Zef Preçi/ Kaosi me koncesionin qeveritar të TVSH

843
Po risjellë në statusin tim publikimin e mëposhtëm, jo për të vazhduar debatin (sepse jam shprehur edhe më herët rreth kësaj teme), por nisur nga ky rast për t’u ndalur tek elementi i transparencës rreth veprimtarisë së qeverisë në përgjithësi. Është në interesin e qytetarëve të vendit, por mbi të gjitha në dobinë e shëndoshjes së ekonomisë sonë kombëtare përdorimi me efektivitet sa më të lartë i çdo qindarke që mblidhet nga taksat apo merret borxh nga shteti. E nëse ka paqartësi, dikush duhet të sqarojë jo vetëm dobinë, por edhe rrisqet e procedurat dhe të provojë ligjshmërinë e vendim-marrjeve të tilla. Të jem i qartë, nuk jam kundër partneriteti publik – privat, as kundër koncesioneve si formë e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Forma të tilla përdoren kudo në botën e zhvilluar dhe janë përgjithësisht të dështuara, korruptive, shkatërruese për të ardhmen e ekonomisë në vendet të varfra, me institucione të dobëta, gjyqësor të korruptuar dhe qeveritë e kontrolluara nga lobet e biznesit të madh si ky yni. Por nëse flitet për partneritet publik – privat, përvoja botërore na mëson se janë rreth 40 hapa procedurale, teknike, të fizibilitetit ekonomik, juridike, që krijojnë mundësinë për të ndërtuar atë lloj bashkëpunimi në të cilin shërbime të caktuara shteti i ushtron në bashkëpunim me sektorin privat. Çfarëdo procedure tjetër është në thelb shkelje e konkurrencës, dhënie eksluzivitetesh apo avantazhesh që bien ndesh me principet e ekonomisë së tregut të lirë. E për këtë më shumë se kushdo na mëson historia e tranzicionit tonë, të cilit nuk po i shihet fundi… Së dyti, mbas përvojës së dështimeve spektakolare të shumicës së koncesioneve dhe partneriteteve të tilla, është në përgjegjësinë ligjore dhe kushtetuese të qeverisë që të mos lejojë rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë kombëtare, deformimin e tregjeve dhe varfërimin e qytetarëve shqiptarë. Rasti i RAPISCAN dhe zhvillimet e publikuara sot (largimi i firmës “mëmë”) duhet të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare të secilit qytetar a vendim-marrës të vendit, aq më shume të atyre që kanë marrë përsipër ta qeverisin atë, për rreziqet në rritje të ndikimeve oligarkike, interesave klienteliste, korrupsionit e kapjes së shtetit, për të mos lejuar dështimin përfundimisht të tij. E pra, mbas sqarimeve zyrtare dhe jo-zyrtare të ditës së sotme rreth partneritetit të TVSH-së (alias koncesionin e mbledhjes së TVSH-së), personalisht jam më konfuz se më parë për të: Tashti na thuhet se do të jetë thjesht një investim në teknologji bashkëkohore dhe gjurmim elektronik i ecurisë së lëvizjes monetare të mallrave me qëllim zvogëlimin e evazionit. Madje jepen edhe shifra për përfitimet dhe ndarjen e tyre për shkak të këtij partneriteti, shifra te të cilat, për të qenë i sinqertë, do t’i kishte lakmi edhe vetë Sudja në kohë të vet… Personalisht mendoj se qeveria mund dhe duhet të blejë çfarëdo teknologjie që ka nevojë zhvillimi ekonomik i vendit, por me parë se të bëjë këtë duhet të shfrytëzojë teknologjinë që ka në dispozicion; mund dhe duhet të pajtojë kompani vendase dhe të huaja të specializuara për të mirëmbajtur teknologjinë që zotëron. Kjo e fundit quhet tender i zakonshëm dhe nuk ka nevojë për të “ofertë të pa kërkuar” as të kinezeve të Hong Kong-ut dhe as atyre të Tiranës… Por në të njëjtën kohë, është detyrim i qeverisë që të respektojë parimet për të cilat është betuar mbi Kushtetutën e vendit, pasi zhgënjimi publik rreth veprimtarisë jotransprente të saj në lëmin e fondeve publike e borxhit të shtetit, pasurive të shtetit apo të drejtave ekskluzive të tij është në rritje. Të mos harrojmë: nga uria dhe të ftohtit po vdesin deri edhe njerëz – fëmijë, e qytetarë të varfër, sepse kriza është gjerësisht prezente, përfundimet e reformave dhe të “aksioneve” që janë ndërmarrë janë kontradiktore, ndërsa mirëqenia e qytetarëve të vendit si detyrim bazë i qeverisë ndaj qytetarëve të vet po përmendet rrallë e më rrallë në fjalimet e pafundme të udhëheqësve të vendit…Me këtë rast shpreh respekt dhe solidaritet me përpjekjet e Avokatit te Popullit për të sensibilizuar qeveritarët dhe publikun rreth kësaj situate dramatike për shumë familje shqiptare. Personalisht mendoj se çfarëdo emri a funksioni që t’i vihet këtij procesi në lidhje me TVSH-në, shumëçka është e paqartë…
Sigal