Pasojat e pandemisë: Humbën 400 milion vende pune, shumica nga gratë

354
Sigal

Sipas azhornimit më të fundit nga ILO, Organizata Ndërkombëtare e Punës, në mbarë botën janë pezulluar 400 milionë vende pune. Gratë janë më të prekurat.

Llogaria e 400 milion vendeve të punës konsiderohet ekuivalent i orëve të humbura nga punëtorët me kohë të plotë në bazë të një jave 48-orëshe.

Organizata sqaron se kushtet e atyre që kanë pezulluar aktivitetet e tyre janë shumë të larmishme: nisur nga personat që janë pezulluar përkohësisht, te ata që marrin ndihmë sociale dhe në fund personat që  e kanë humbur përfundimisht vendin e punës.

Në nivel gjeografik, ato që janë prekur më shumë janë vendet në zhvillim. Amerika ka përjetuar një humbje prej 18.3%, Europa dhe Azia Qendrore 13.9%, Shtetet Arabe (13.2%). dhe Afrika (12.1%).

Ndikimi i pandemisë tek gratë është i rëndësishëm: gratë punëtore janë goditur “në mënyrë disproporcionale” nga Covid, duke rrezikuar përparimin e bërë në drejtim të barazisë.

Femrat janë tepër të përfaqësuara në sektorët ekonomikë (shërbime) që vuajnë më shumë nga kriza: mikpritja, hotelieri, shitjet dhe prodhimi.

Në nivel global, rreth 510 milion gra (40% e totalit të punësuarve) janë të punësuar në katër sektorët më të prekur nga kriza, kundër 36.6% të burrave.

Përveç kësaj, raporti thekson se gratë kanë një prani më të madhe në punën shtëpiake dhe në sektorët e shëndetit e kujdesit shoqëror. Kështu ka një rrezik më të madh për të humbur pagat e tyre dhe madje t’u cënohet shëndeti. Më në fund, mbyllja e shkollave e bëri edhe më të rëndë barrën e kujdesit familjar.

Sa i përket të ardhmes, parashikimet për rimëkëmbje janë të pasigurta dhe të paplota. Në çdo rast, një rikuperim i gjendjes së punësimit për vitin 2020 është i përjashtuar.