Vështirësitë financiare dhe indiferenca e bankës së Shqipërisë

768
Sigal

Gjatë 3 muajve të parë të vitit 2019, Banka Qendrore bleu vetëm 18 milionë euro

 

Banka e Shqipërisë i “jep dorë” rënies së euros, redukton ndërhyrjen në tregun valutor

 

Ndërkohë që euro luhatet në shifrat më të ulëta në mbi 1 dekadë, duket se institucionet përgjegjëse për qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri, po kontribuojnë në nënçmimin e valutës së huaj. Banka e Shqipërisë nëpërmjet politikave të gabuara të saj duket se po i jep një dorë rënies së euros, pasi ky institucion ka reduktuar ndërhyrjen në tregun valutor, duke blerë më pak euro gjatë fillimit të këtij viti. Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar BSH bleu në total një sasi prej 463 milionë euro, për sa i përket këtij viti, banka po tregohet më pak aktive, duke blerë në periudhën janar-mars 2019 vetëm 18 milionë euro. Lindin pyetjet Çfarë përgjegjësie duhet të mbajë Banka Qendrore për këtë nivel alarmant të monedhës së përbashkët evropiane, nivel që po çon në falimentim me dhjetëra e ndoshta qindra biznese që janë goditur rëndë nga luhatjet e euros. A mos duhet cilësuar fajtore Banka e Shqipërisë që mjaftohet thjesht me konstatimin e rënies së euros, duke mos hartuar asnjë plan për frenimin e situatës alarmante të valutës së huaj, apo duke mos folur për shkaqet konkrete që kanë çuar në këtë situatë, siç është prania në vend e një sasie të madhe të monedhës euro për shkak të parave të drogës e krimit të cilat po pastrohen në vendin tonë?

Blerja e euros nga Banka e Shqipërisë

Sipas deklaratës së institucionit monetar qendror për ndërhyrjet në tregun valutor në tremujorin e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë gjatë periudhës ka organizuar 2 ankande të blerjes së valutës në përputhje me kalendarin e publikuar që në fillim të vitit. Në dy ankandet e organizuara janë blerë 18.0 milionë euro, ku 10 milionë janë blerë në ankandin e muajit shkurt dhe 8 milionë euro në ankandin e muajit mars. Në të dy rastet, Banka e Shqipërisë, ka përdorur opsionin e blerjeve në raund-in e dytë, sikurse parashikohet në rregullore. Banka ka blerë valutë me synim rritjen e rezervës së saj valutore. Për gjithë vitin, sipas kalendarit, planifikohet të blihen midis 51 dhe 85 milionë euro valutë. Konkretisht, për rritjen e rezervës valutore, Banka ka blerë gjithsej në 2018-n rreth 124 milionë euro, sipas një kalendari të përcaktuar që në fillim të vitit. Në qershor 2018, pasi euro kishte hyrë në një cikël të pandalshëm rënës, nga 134 lekë në janar në 124 lekë në ditët e para të qershorit, Banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm. Në tremujorin e dytë dhe të tretë, BSH bleu gjithsej 223 milionë euro, nga të cilat 71.50 milionë euro kanë qenë oferta për konvertimin e kapitalit të bankave. Përveç këtyre ndërhyrjeve, gjatë muajit qershor, Banka e Shqipërisë, në marrëveshjet e këmbimit, ka blerë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) 116.22 milionë euro, në kuadër të konvertimit të një kredie për Koorporatën Elektro-energjetike Shqiptare. Ndërhyrjet në tremujorin e dytë dhe të tretë e stabilizuan kursin në nivelin e 124-126 lekëve. Në tremujorin e katërt BSH sinjalizoi se ajo nuk do të ndërhynte më në treg. Të dhënat e publikuara tregojnë se Banka e Shqipërisë në periudhën tetor-dhjetor ka blerë rreth 46 milionë euro vetëm për objektiv të rritjes së rezervës valutore. Gjatë pjesës së parë të këtij viti, euro ka vijuar të jetë e dobët, duke zbritur pak ditë më parë në nivelin më të ulët të 11 viteve prej 121.65 lekë, ndërsa aktualisht këmbehet poshtë 123 lekëve.

Çfarë përgjegjësie duhet të mbajë Banka Qendrore për këtë nivel alarmant të monedhës së përbashkët evropiane, nivel që po çon në falimentim me dhjetëra e ndoshta qindra biznese që janë goditur rëndë nga luhatjet e euros