Vepror Hasani: Pasiguria për të nesërmen detyron korçarët të kursejnë. Tregëtarët po ngrohen në diell

458
Sigal

Njerëzit nuk shpenzojnë, ka pasiguri për të nesërmen

Qytetin e mban fshati, tregtarët e Korçës ngrohen në diell

 


Që nga 27 prilli bizneset e lejuara për të ushtruar aktivitetin e tyre, janë të shumta, si të tilla, mund përmendim tregtinë e veshjeve dhe artikujve të ngjashëm, tregtimin e mishit, të peshkut, të elektroshtëpiakeve, të parfumerisë, të kozmetikës etj, por edhe pse u bënë ditë që këto aktivitete funksionojnë, sërish shitjet e tyre gjatë një dite janë minimale, të pakrahasueshme me periudhën e parapandemisë së koronavirusit. Kjo ndodh në të gjitha qytet e qarkut: në Korçë, Pogradec, Bilisht dhe Ersekë. Mungesa e aktivitetit tregtar ndihet veçanërisht në dyqanet e veshjeve, te tregu i rrobave të përdorura, te tregjet e fruta-perimeve, te shitja e peshkut etj. Sipas tregtarëve, ndodh kështu sepse  lëvizja e banorëve të fshatit në tregjet e qytetit ende po mbahet e bllokuar. Është pikërisht fshati ai që mban qytetin gjallë, përsa kohë që do të mungojnë kjo lëvizje, tregtarët do të ngrohen në diell. Më të dëshpëruar në këto kohë ndihen tregtarët që nuk ishin të pajisur me NIPT dhe për pasojë nuk përfituan pagën e luftës; të tillë ishin kryesisht tregtarët e mbulant apo të veshjeve dhe sendeve të përdorura, pasi përveç mosmarrjes së pagës së luftës, nuk patën aktivitet për gati dy muaj dhe gjithçka që kishin hequr mënjanë e shpenzuan.

Pasiguria për të nesërmen

Mungesa e fshatit në tregjet e qytetit është arsyeja kryesore e mosgjallërisë në tregje sepse nga 220.357 banorë që ka qarku i Korçës, 132.546 banorë jetojnë në fshat, ndërsa vetëm 87.811 në qytet, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Sipas tregtarëve të Korçës, ekziston edhe një arsye tjetër po kaq e qenësishme: njerëzit kanë filluar të ndihen më të pasigurtë për të nesërmen, për këtë arsye po përpiqen të kursejnë dhe të shpenzojnë sa më pak të jetë e mundur, sepse nuk i dihet çfarë mund të ndodhë nesër, kur ashtu siç flitet, virusi korona do të rikthehet sërish dhe përsëri ka të ngjarë të merren të njëjtat masa: mbyllje biznesesh, mungesë qarkullimi, papunësi, ndihma më të pakta ushqimore sepse edhe rezervat e fondacioneve bamirëse po shkojnë drejt  fundit. E nesërmja me praninë e virusit korona mund të jetë edhe më e vështirë; nësë ketë radhë jo të gjithë e fituan pagën e luftës, nesër dhënia e kësaj page do të jetë më e vështirë. Dhe mbi të gjitha stresi i izolimit, që tashmë të gjithë e dinë çfarë do të thotë të rrish brenda,  nëse ndodh për herë të dytë do të jetë shumë i lodhshëm. Pra, sipas tregtarëve, të gjitha këto pasiguri të njerëzve, ndikojnë në aktivitetin tregtar. “Megjithatë shpresohet, të shohim çfarë do të ndodhë pas datës 18 maj”, thonë tregtarët.

Lëvizja e njerëzve nuk zgjidhet me taksi

Gjithashtu tregtarët e Korçës  e shohin të pamundur që gjendja të ndryshojë vetëm nga lëvizja e njerëzve nëpërmjet taksive, me të cilat mund të udhëtojë një njeri i vetëm dhe ai i ulur diagonal, edhe pse drejtuesi i mjetit dhe klienti duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe automjeti i dezinfektuar. Taksia mund të marrë më shumë persona, vetëm kur klientët janë të të njëjtës familje, kur janë fëmijë apo me aftësi të kufizura,  por kjo kategori njerëzish lëviz vetëm për arsye të dmosdoshme, pa sjellë ndonjë ndryshim për tregtarët.  “Vetëm lëvizja e lirë e njerëzve thonë ata,  me doreza dhe maska mund të zgjidhë situatën e vështirë në të cilën ndodhemi. Edhe pse Korça, ka 80 taksi, dalja e tyre në rrugë nuk solli ndonjë gjallëri të dukshme tek udhëtarët, ashtu si ne tregtarët edhe drejtuesit e automjeteve taksi ngrohen në diell, duke pritur klientin e tyre, që në mbëremje të mos kthehen në banesat e tyre pa asnjë qindarkë në xhep”.