Vendimet e Strasburgut për pronat, kushtojnë 680 USD

271
Sigal

Vendimi i Strasburgut për pronat: Rritet në 680 milionë USD fatura e kompensimit

 

Fillimisht mendohej se i gjithë procesi do t’i kushtonte buxhetit 500 milionë Dollarë, ndërsa tashmë, fondi i kompensimit, duhet të jetë 680 milionë.

 

Çështjet e pazgjidhura të pronësisë e kanë mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, pa përmendur konfliktet sociale që kanë krijuar, të drejtat e cënuara të ish-pronarëve dhe miliona eurot që buxheti i varfër i Shqipërisë, detyrohet për kompensimin e kësaj shtrese.

Në krye të rrokopujës janë cenuar rëndë interesat e publikut. Faturat në proces nga buxheti i shtetit në Gjykatën e Strasburgut, kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare.

Tashmë bëhët me dije se fatura që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit pas vendimit të marrë një vit më parë nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut se, vlera e kompensimit të pronave nuk duhet të jetë më e ulët se 10% e vlerës të saj të tregut, është rritur me 180 milionë Dollarë.

Fillimisht mendohej se i gjithë procesi do t’i kushtonte buxhetit 500 milionë Dollarë, ndërsa tashmë fondi i kompensimit, duhet të jetë 680 milionë.

Shifra u bë publikle gjatë raportimit vjetor në Kuvendin e Shqipërisë të drejtoreshës së Agjencisë së Trajtimit të Pronave Jonida Baci, e cila deklaroi se nga ky vendim do të përfitojnë në total 10,120 subjekte.

“Janë 10 120 subjekte që do të përfitojnë shtesën prej 18.2 miliardë lekësh. Vendimet e kompensimit do të indeksohen me normën e interesit që nga momenti i plotësimit të dokumentacionit deri në ekzekutim të tij.”

Viti 2020 bllokoi për 3 muaj punën për kthimin dhe kompensimin e pronave për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe mungesës së specialistëve në dokumentacionin fizik të dosjeve. Në total buxheti ka kompensuar vetëm 19 milionë Dollarë nga 35 milionë të akorduara fillimisht.

“Në vitin 2020  vetëm 106 aplikime janë ekzekutuar për shkak të Covid.  ATP e kishte të pamundur 3 muaj të pranojë aplikime dhe ka vijuar problemi i shqyrtimit të vendimeve, sepse dosjet ishin fizike.”

Në total që prej nisjes së aplikimit të ligjit të ri të trajtimit të pronave në vitin 2015,  janë shqyrtuar në total  26,091 vendime përfundimtare.

Box

Kompensim “cash” për pronarët

Agjencia e Trajtimit të Pronave do të kompensojë plotësisht pronarët që presin vlera të vogla dëmshpërblimi deri në 1.5 milionë lekë. Agjencia e Trajtimit të Pronave aktualisht ka pezulluar procesin e kompensimit të pronarëve në pritje të ndryshimeve ligjore të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi disa nene të ligjit të vitit 2015.