Sigal

Sektori fason ka ndikuar në uljen e ndjeshme të eksporteve gjatë muajit gusht të këtij viti.

Sipas të dhënave të Instat në krahasim me korrikun e këtij viti konstatohet një ulje prej 23.9% por duke u rritur me 10,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë në 8 muaj eksportet shqiptare i kanë sjellë ekonomisë 205 mld lekë duke prekur një rritje me 16 për qind dhe duke ndikuar në uljen e deficitit tregtar, i cili arriti vlerën 211 mld lekë. Instat bën të ditur se në të njëjtën periudhë vlera e importeve shkoi ne 416 miliardë lekë.

Në bazë të kontributit të nëngrupeve rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga energjia dhe mineralet si dhe materialet e ndërtimit, ndërsa ka ndikuar negativisht grupi: “Tekstile dhe këpucë” me -2,6 pikë përqindje.

Një ndryshim i ndjeshëm gjatë muajit gusht ka pasur edhe në partnerët tregtarë të Shqipërisë. Nga të dhënat e Instat vihet re se Kosova ka rifituar terren përsa i përket eksporteve shqiptare po ashtu edhe Spanja e Italia. nga ana tjetër raportohet ulja e mallrave made in albania që nisen drejt Kinës, Turqisë dhe Ukrainës.

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia, Greqia dhe Turqia ndërsa vendet me të cilat është shënuar uljen më e madhe janë: Gjermania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,4 % të gjithë tregtisë.