Thellohet varfëria në Shqipëri/ Anketa/ 89% e pensonave mbi 60 vjeç pohojnë se pensioni është i pamjaftueshëm për të blerë edhe ilaçe

394
Sigal

Pagesat që rrjedhin nga pensionet në Shqipëri janë të pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat bazë.Një anketë e studimit “Sistemi ekonomik dhe roli i shtetit në shoqëri”, realizuar nga ekonomistët Selami Xhepa dhe Adrian Civici, që u udhëhoq nga Fondacioni “Friedrich Ebert” zbuloi se 89% e personave mbi 60 vjeç mendonin se pagesa mujore e pensionit ishte e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e mbijetesës.

Studimi vërejti se mbi 90% e pensioneve janë ndjeshëm më të ulëta se paga minimale dhe minimumi jetik. Ky shqetësim dëshmohet edhe nga anketa e zhvilluar, sipas së cilës 89% e të anketuarve mbi moshën 60 vjeç pohuan se “pensioni është i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat bazë”, 8% janë “disi dakord”, dhe vetëm 4% e tyre mendojnë se “pensionet janë të mjaftueshme për plotësimin e nevojave bazë”.

Autorët e studimit mendojnë se përmirësimi i kësaj situate lidhet ngushtë me një angazhim më të madh të shtetit në reformimin e skemës së pensioneve, uljen e informalitetit në pagesën e kontributeve shoqërore dhe shtimin e financimeve nga buxheti i shtetit për buxhetin e ISSH-së.

Çështje që presin trajtim dhe zgjidhje afatgjatë janë marrëdhëniet dhe opinionet e qytetarëve në lidhje me diversifikimin e skemave të pensioneve.

Në vlerësimin e tyre për sa i përket pyetjes nëse “individi duhet të marrë më shumë përgjegjësi individuale për moshën e pensionit, duke investuar dhe duke zbatuar skema të ndryshme investimi privat”, rreth 70% e tyre kanë reaguar duke u shprehur se nuk janë “aspak dakord” ose janë “disi dakord”, ndërsa vetëm 30% e tyre janë “dakord” dhe “shumë dakord” që të përfshihen në skema alternative, si pensionet suplementare dhe pensionet private.

Xhepa dhe Civici argumentojnë se ky qëndrim ka të bëjë me tri elemente themelore: mendimin se skemën e pensioneve duhet të vazhdojë ta mbështetë buxheti i shtetit dhe individët duhet të vazhdojnë të paguajnë vetëm detyrimet e sigurimit social sipas pagesave në fuqi aktualisht; mungesën e informacionit dhe të kulturës financiare për të njohur skemat alternative të pensionit; mungesën e besimit në qëndrueshmërinë dhe garancinë e këtyre skemave në realitetin shqiptar.

Skema e pensioneve në Shqipëri ndodhet aktualisht nën një presion negativ të dyfishtë nga plakja e popullsisë, çka nënkupton shtimin e numrit të personave që përfitojnë pension dhe pakësimin e kontribuuesve në skemën e sigurimeve sociale. Kësaj i shtohet edhe informaliteti i lartë në tregun e punës, që nënkupton faktin se ka një numër të konsiderueshëm të punësuarish, të cilët, duke mos deklaruar punësimin, nuk kontribuojnë në skemën e sigurimeve sociale.

Në Shqipëri përfitojnë pensione 621,2 mijë pensionistë dhe paguajnë kontribute 752,4 mijë kontribuues. Norma e varësisë së sistemit është 1.22, që do të thotë se 122 kontribuues mbulojnë 100 pensionistë. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet janë të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet për përfitime dhe, si rrjedhojë, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit (rreth 40% të totalit të skemës së pensioneve).