TË PAPËRGJEGJSHMIT QË NUK ULIN ENERGJINË

453
Sigal

Nga Fatos Çoçoli

Për të papërgjegjshmit që nuk ulin energjinë elektrike

Hymë në vitin e pestë që çmimi i energjisë elektrike tek ne nuk ndryshon dhe kjo është skandaloze! Ndryshimi i fundit, me rritje të çmimit edhe për familjarët, ndodhi në 30 dhjetor 2014. Vendimi ishte i drejtë për atë kohë, pse humbjet në rrjet ishin të mëdha, sistemi energjetik gati në kolaps dhe viti hidrik 2013, tejet i keq. Po tani? Kemi një vit me reshje të dendura shiu. Vetë struktura shtetërore, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHE) përmend me mburrje, se për periudhën 2014-2017 ka ulur humbjet jo-teknike në rrjet me mbi 30 për qind. Ka vijuar t’i ulë edhe për vitin që sapo shkoi, 2018-ën. Po pse Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nuk e ul çmimin?! Jemi më të shtrenjtët në Rajon. Të gjitha shtetet e tjera rreth nesh, në varësi të tregut, e ulin sa herë ua lejon konjuktura e çmimeve. Ne jo! E mbajmë energjinë për qytetarët në kuotën 9 cent të euros për kah (kilovat/orë), duke përfshirë taksat. Jemi ndjeshëm më lart, se sa në Maqedoni (8 cent ose 11 për qind më shumë), Serbi (7 cent ose 22 për qind më shumë) apo Kosovë (po 7 cent ose 22 për qind më shumë). Nuk duhet të harrojmë se tregu i shitjes së energjisë elektrike është një nga më të rëndësishmit në vendin tonë. Për 550 mijë familjet shqiptare që e blejnë energjinë nga OSHEE, janë rreth 30 milionë euro që arkëton mesatarisht në muaj kjo ndërmarrje tërësisht shtetërore, ose 360 milionë euro në vit. Madje, për familjet e varfra shqiptare (janë mbi 130 mijë të tilla), shpenzimi i energjisë elektrike (ajo faturë e shkretë, objekt shumë kokëçarjesh e hallesh të mëdha, kur nuk ke ta paguash) shkon edhe në një të katërtën apo edhe të tretën e parave të pakta që fitojnë, sidomos për periudhën e dimrit. Me gjithë këtë gjendje shumë të keqe shoqërore ku familjet e varfra janë tek ne, me perspektiva të pakta punësimi, me braktisje masive të vendit, Ministria e Energjetikës dhe ERE nuk bëzajnë. Nuk marrin nismën ta ulin energjinë elektrike, këtë gur të rëndë shpenzimi mbi shpatullat e varfanjakëve të këtij vendi. Dhe i kishin të gjitha kushtet ta ulnin çmimin në dhjetor 2016, pastaj në dhjetor 2017 dhe tani në dhjetor 2018. Po pse ishin kushtet? Sepse, përveç rënies së fortë të humbjeve jo-teknike në rrjet (vetëm nga kjo rënie duhet ta kishin ulur çmimin me të paktën 4 për qind për familjarët), për shkak të viteve të mira hidrike 2016 dhe 2017, OSHE ka dalë me fitim akoma më të madh se ai i autorizuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Dhe sipas ligjit ku mbështetet ERE në punën e saj, të ardhurat e paautorizuara të fituara, sipas metodologjisë së tarifave të shndërruara në ligj, duhej të kompensoheshin te konsumatorët përmes uljes së çmimit për periudhën pasardhëse. Dhe e dini sa janë këto të ardhura të paautorizuara (fitim shtesë) realizuar nga OSHE për vitet 2015-2017? Janë 14 miliardë lekë të reja, ose 118 milionë euro! Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe ERE mund ta kishin ulur çmimin për familjet tona edhe me 13-14 për qind në dhjetor 2016 dhe në dhjetor 2017. Nuk vepruan. Pakujdesi e tejskajshme. Por fakti që nuk vepruan as në dhjetor 2018, i ngarkon me një përgjegjësi shumë të rëndë. Përse nuk vepruat zotërinj? Janë të gjitha të dhënat, pasqyrat financiare, të analizuara me mjeshtëri nga një hulumtim gazetaresk i BIRN. Janë 500 mijë të varfër të këtij vendi që presin një lehtësim sado të vogël të gjendjes së tyre, lehtësim që ligji ua siguron, por ju, Maliqi nuk jua jepni. T’ju vijë zor, t’ju vijë turp! A keni cipë ju? Sigurisht që nuk keni. Por, nëse institucionet që duhet t’ju mbajnë përgjegjës për këtë padrejtësi të madhe që po u bëni qytetarëve të këtij vendi, nuk ju nxjerrin në kamaren e turpit, të jeni të bindur që institucioni i protestës që studentët themeluan në Shqipërinë tonë, do ta bëjë. Nesër ose një ditë tjetër, kjo ka pak rëndësi. Por do t’ju vijë radha, abuzues me varfërinë e njerëzve!