Si të përfitojnë ushtarakët pensionin e parakohshëm

667
Sigal

Ministria e Mbrojtjes bën gati projektligjin për ndryshimet në karrierë të ushtarakëve

Koha maksimale e qëndrimit në shërbimin ushtarak do të rritet me 3 vjet për ushtarakët që shërbejnë me gradat toger, nëntoger, lejtënant apo nënlejtënant në forcat tokësore, ajrore dhe detare.

Ndryshimet e propozuara në projektligjin nga Ministria e Mbrojtjes synojnë që edhe këto kategori të jenë përfitues të pensionit të përkohshëm, sipas dispozitave ligjore, pasi penalizoheshin për shkak të mosplotësimit të kriterit të kohëzgjatjes së shërbimit të paktën 15 vjet.

Ndryshimet e propozuara në karrierën ushtarake, gjithashtu ulin kohën e qëndrimit në gradë për kategorinë “Ushtar IV” me qëllim shkurtimin e kohës për t’u ngjitur në gradë, pasi kjo dispozitë iu mohonte të drejtën për të të përfituar pension të përkohshëm.

Ndryshim do të ketë edhe mosha minimale e konkurrimit për marrjen e gradës. Në shërbimin tokësor, ajror dhe detar të forcave të armatosura, mosha minimale për konkurrim për marrjen e gradave të larta dhe gradës “Gjeneral brigade/Kundëradmiral” do të jetë nga 34 vjeç deri në 50 vjeç.

Për rritjen e numrit të rekrutimeve në Forcat e Armatosura sipas draftit të Ministrisë të Mbrojtjes të paraqitur për konsultim , është ulur edhe pragu i arsimit për t’u titulluar ushtar/detar aktiv nga parauniversitar në arsimin 9-vjeçar.

Ndryshimet e ligjit

Neni 3

Neni 3 përcakton se në nenin 13 të ligjit do të ndryshohet shkronja “ç”, duke e ulur kohën e qëndrimit në gradë për gradën “ushtar IV”, me qëllim shkurtimin e kohës për të marrë gradën e radhës. Gjithashtu, është shfuqizuar pika 2, sepse kufizonte kohën e shërbimit, duke përcaktuar dalje në lirim për ushtarakët që nuk merrnin gradën “tetar” dhe “toger” dhe që kishin 14 vjet shërbim. Kjo dispozitë mohonte të drejtën për pension të parakohshëm, sipas nenit 13, të ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar e cila për ushtarakët meshkuj përcakton kriterin e 15 viteve shërbim për të përfituar pensionin e parakohshëm.

Neni 4

Në nenin 4, ndryshon shkronjat “g” dhe “gj”, të nenit 14, duke ndryshuar kohën maksimale të qëndrimit në shërbimit aktiv për gradat “nëntoger/nënlejtënant” dhe “toger/lejtënant”, duke e shtuar me 3 vjet. Ky ndryshim është çmuar i arsyeshëm, sepse me rregullimet e deritanishme, në rast se një ushtarak e mbyllte karrierën me këtë gradë nuk përfitonte nga dispozitat për përfitimin e pensionit të parakohshëm, sipas ligjit 10 142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të mosplotësimit të kriterit të kohëzgjatjes së shërbimit të paktën 15 vjet.

Neni 5

Neni 5 i projektligjit shton 2 pika pas nenit 14, duke detajuar kohën maksimale të qëndrimit në gradë për ata ushtarakë që kanë një specialitet të veçantë. Në pikën e dytë paraqitet një risi tjetër, duke parashikuar një minimum moshe për të konkurruar për gradat e larta dhe gradën “gjeneral brigade/kundëradmiral”. Kjo shtesë është parashikuar me qëllim që drejtuesit e ardhshëm të Forcave të Armatosura të kenë kriter moshe dhe eksperiencë minimale të caktuar.

Neni 6

Në nenin 6 të projektligjit është parashikuar një ndryshim i nenit 15 të ligjit aktual. Me qëllim rritjen e numrit të rekrutimeve dhe për të rritur aksesin e sa më shumë personave në Forcat e Armatosura është ulur edhe pragu i arsimit për t’u titulluar ushtar/detar aktiv nga parauniversitar në arsimin 9-vjeçar.

Neni 7

Neni 7 përcakton një ndryshim të nenit 16 të ligjit, duke shtuar fjalët minimalisht arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit.

Neni 8

Neni 8 i projektligjit unifikon numrin maksimal të aplikimeve për marrjen e gradës së radhës. Në ligjin ekzistues për kalimin nga “toger” në “kapiten” dhe nga “nëntetar” në “tetar” mund të konkurrohet vetëm dy herë, ndërkohë që gjithë të tjerët aplikojnë 3 herë. Me këtë ndryshim aplikimi do të jetë 3 herë për të gjithë ushtarakët, për të bërë të realizuar bazarazinë në mundësi për secilën gradë (përjashtimisht, oficerët me grada madhore do të vijojnë të aplikojnë vetëm 1 herë).

Neni 9

Neni 9 i projektligjit rregullon arsimin dhe kualifikim për përparimin në gradë, duke ndryshuar nenin 20 të ligjit aktual në tërësinë e tij. Arsimi i detyrueshëm për marrjen e gradës së radhës për t’u përditësuar sipas nevojave të Forcave të Armatosura, të cilat po ndryshojnë me ritme të shtuara, është propozuar të mos përfshihen më në tekstin e një ligji, por në një dokument strategjik të arsimit të miratuar nga ministri i Mbrojtjes me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Gjithashtu, ky rregullim vjen si pasojë e ngritjes të Akademisë së Forcave të Armatosura, si institucion kombëtar i arsimit të lartë në fushën ushtarake ngritur me vendimin nr. 156, datë 19.02.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e statusit të veçantë Akademisë së Forcave të Armatosura, si institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, si dhe organizimin e funksionimin e saj”. Ky i fundit do të ofrojë programe, të cilat do të jenë të nevojshme për përparimin në gradë të ushtarakëve dhe do të shprehet mbi ekuivalentimin e tyre me kurse të një natyre të ngjashme.