Si do bëhet deklarimi dhe publikimi i transparencës së financave në universitete

474
Sigal

Shpenzimet ndahen në dy zëra qendrore: Shpenzime nga granti i buxhetit dhe ato nga të ardhurat e veta të universiteteve

Kur ende protesta e studentëve dhe së fundmi greva e paralajmëruar e pedagogëve vijojnë të mbeten çështje të ditës Ministria për Financat dhe Ekonominë dhe ajo për Arsimin, Sportin dhe Rininë kanë nxjerrë një urdhër të përbashkët lidhur me transparencën e financave në universitete. Urdhri që mban firmën e dy ministreve të reja përcakton qartësisht se cili do të jetë formati që do të ndiqet për publikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve në institucionet publike të arsimit të lartë në bazë mujore. “Formati i publikimit, i cili do të përmbajë të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet e institucioneve publike të arsimit të lartë, kryhet sipas aneksit A, bashkëlidhur këtij urdhri. Brenda datës 15 të çdo muaji, raportimi financiar nga institucionet publike të arsimit të lartë sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij urdhri, rakordohet me degën e thesarit përkatëse dhe publikohet në faqen zyrtare të IAL-së përkatës” thuhet në urdhër. Por çfarë përmban aneksi A? Formati tip tregon ndarjen e të ardhurave në tetë zëra kryesorë duke specifikuar se sa prej tyre vijnë nga tarifat e shkollimit në gjithë ciklet, sa nga ajo e regjistrimit, të ardhurat nga konkurset e pranimit, qiratë apo shërbimet e ndryshme që merren në IAL-e. Nga ana tjetër shpenzimet ndahen në dy zëra qendrore si shpenzime nga granti i buxhetit dhe ato nga të ardhurat e veta që kanë universitetet. Në secilin zë ka nënzëra që specifikojnë në detaj shpenzimet për ndërtime, rikonstruksione, biblioteka, aparate apo pajisje kompjuterike, mobilie, shpenzime personeli deri tek shpenzimet për bursat e ekselencës. Urdhri i ministreve përcakton se brenda datës 20 të çdo muaji, institucionet publike të arsimit të lartë përcjellin raportimin financiar sipas pikave 2 dhe 3 të këtij urdhri, në format elektronik pranë Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, e cila e publikon në faqen e saj zyrtare. Administratorët e institucioneve publike të arsimit të lartë, pasqyrojnë dhe përditësojnë sipas afateve të përcaktuara të dhënat sipas këtij udhëzimi edhe pranë Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar.