Shteti fundos OSHEE,  borxhi arrin 687 mln euro

896
Sigal

Çmimi i energjisë në pikpyetje, sot ERE mbledh bordin ndërsa ministrja Balluku deklaron se vendimin përfundimtar do e marë qeveria.OSHEE “gostit” me 700 mln kunatin e “bosses” së Check-up Vilma Nushi për blerje kancelarie, kurse KESH blen 44 mln euro energji më shtrenjtë se në bursë

Fasha mbi 800 kwh publikohet në Fletoren Zyrtare. Balluku: Është e drejta e qeverisë nëse e aplikon apo jo!

Ditën e djeshme u bë publik në Fletoren Zyrtare fasha e konsumit mujor të energjisë elektrike për klientët familjarë. Sipas vendimit, çmimi i shitjes së energjisë elektrike do të jetë 42 lekë/kwh për konsumin mbi 800kwh/muaj për klientët familjarw për periudhën 1 tetor–31 dhjetor 2022. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka sqaruar botimin në fletoren zyrtare të vendimit të ERE-s, për rritjen e çmimit të energjisë me 42 lekë për ata që konsumojnë mbi 800 kwh. Duke iu kundërpërgjigjur kështu akuzave të opozitës në lidhje me këtë çështje.

Sipas saj,  fasha 800 kwh, kur shprehet ERE, shprehet për miratimin e çmimit  dhe çdo kwh mbi 800 do kushtojë 42 lekë.

“Kjo është detyra e ERE. Ia bëmë kërkesën në muajin shtator dhe pasi e shqyrton vendosi ta miratojë. Këtu mbaron fusha e përgjegjësisë së ERE. Qeveria shqiptare ka të drejtën nëse e aplikon apo jo fashën.

Jemi të lumtur që ia kemi dalë për shkak të konsumit më të ulët që nuk e aplikojmë gjatë muajit tetor. ERE ka marrë vendim mbi çmimin, qeveria ka marrë vendim në shtator dhe vazhdon ta mbajë atë vendim për të mbrojtur konsumatorët”,-  u shpreh Balluku.

Shteti fundos OSHEE, Borxhi arrin 687 milionë euro,

Borxhet e prapambetura ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arritën në fund të 8-mujorit të këtij viti 687 milionë euro.Në raport me fundin e vitit 2021 ky total u rrit me 1.8 për qind dhe kontributi për këtë efekt negative i atribuohet institucioneve të administratës dhe biznesit.

Familjarët nga ana tjetër kanë vijuar të ulin borxhin e tyre të energjisë pavarësisht se janë mbajtësit e 56 për qind të totalit të tij. Shifrat periodike të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se biznesi kishte një borxh mbi 12 miliardë lekë në fund të gushtit me një rritje prej 5.5 për qind në raport me fundin e vitit 2021.

Institucionet jo buxhetore janë ato që kanë pasur rritjen më të lartë me një total prej 15 për qind në fund në gushtit në raport me fundin e dhjetorit të vitit të shkuar. Institucionet buxhetore kanë rritur detyrimet ndaj OSHEE me 3 për qind kurse familjarët ulën këtë borxh me 4 për qind.

Në totalin e borxhit ku 56 për qind e mbajnë familjarët, pesha e grupeve të tjera është e tillë: Privatët apo biznesi mban mbi 15 për qind të tij, Jo buxhetorët 22.6 për qind dhe buxhetorët në 6.2 për qind.

Borxhlinjtë më problematikë të OSHEE-së përfshijnë ndërmarrjet publike ku një peshë kyçe zënë ato të ujësjellës-kanalizimeve për të cilat nisi një plan shlyerjeje të miratuar nga dy ministri ajo e Financave dhe Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në një intervistë të posaçme për “Monitor” në numrin e 200 kompanive më të mëdha shqiptare sipas me xhiros vjetore në vitin 2021 administratori i OSHEE Group Adrian Çela pohoi se në disa bashki ka përmirësim të gjendjes, tregohet korrektësi në pagesat e detyrimeve, megjithatë, panorama e përgjithshme paraqet një situatë, ku niveli i borxhit ndaj OSHEE ka arritur në rreth 24 miliardë lekë (nga të cilat, 11 miliardë lekë janë kamatëvonesa).

“Detyrimet ndaj nesh, pra FSHU-së, rriten çdo vit me 1.4 miliardë lekë, kurse për vitin 2022, pritet të jetë më e lartë, për shkak të kalimit të disa shoqërive në status FMF, me tarifë më të lartë, vendosur nga ERE (18.8 lekë/kWh, nga 12 që ishte më parë).

Megjithatë, kemi shoqëri që nuk kanë detyrime, ose janë në marrëveshje për pagesat me këste, duke shlyer edhe detyrimet e prapambetura si UK Tiranë, UK Berat, UK Lezhë, UK Korçë dhe UK Pogradec. Sikurse kemi shoqëri që mundohen të mos krijojnë detyrime të reja, pra paguajnë vetëm faturën korrente si Ujësjellës-Kanalizime Fier, Elbasan dhe Sarandë.

Disa shoqëri e paguajnë pjesërisht faturën si UK Durrës, 34% të faturës, UK Lushnjë, 58%, UK Shkodër, 59% apo dhe UK Vlorë, 64%. Ndërsa, mund të themi, kemi shoqëri në pikë kritike, të cilat nuk kanë asnjë mundësi pagese, si UK Cërrik, Patos, Kavajë, Kurbin, Selenicë, Tepelenë, Libohovë nënvizoi Çela.

OSHEE “gostit” me 700 milionë kunatin e Vilma Nushit për blerje kancelarie

Plot 708 milionë lekë të vjetra me TVSH do të paguajë OSHEE e Ardian Çelës ndaj kunatit të Vilma Nushit, Edmond Hido. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-26060-04-21-2022 dhe me objekt “Blerje kancelari për nevojat OSHEE Group sh.a, për një vit”, me fond limit 59,423,158 lekë të reja pa TVSH ose rreth 713 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Në një kohë kur vetëm pak ditë më parë qeveria donte t’ua “fuste” me 4.4 herë më shumë çmimin e energjisë gjithë shqiptarëve që kalonin fashën e harxhimit kufi prej 800 kWH, duket se OSHEE gjen luksin të shpenzojë një shifër të tillë të frikshme për kancelari.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë shpenzim thelbësor që do të rriste performancën dhe efiçencën e energjisë, përkundrazi janë plot 708 milionë lekë të vjetra me TVSH që do të harxhohen për kancelari. Shihet se një zë kryesor në shpenzim e zë kostoja e blerjes së letrave.

Nuk kuptohet arsyeja se përse në një kohë kur kryeministri Rama i mëshon fort teknologjisë, duhen harxhuar një tufë me para për të blerë letër kur fare mirë mund të përdoreshin dokumentat në format dixhital. Aq më tepër që tashmë mundësohet edhe nënshkrimi elektronik, që eviton në këtë mënyrë nevojën për firmosjen e shkresave me dorë.

Gjithsesi përtej këtyre, tenderi është tepër i dyshimtë edhe për mwnyrën e realizimit. Kështu rezulton se fituesi, firma INTERLOGISTIC, përveçse pronari është kunati i Vilma Nushit, ka ofruar edhe vlerën më të lartë se gjithë konkurruesit e tjerë.

Diferenca mes ofertës së tij dhe ofertës më të ulët të ofruar nga një kompani tjetër është plot 140 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në rastin më të mirë këto 140 milionë lekë janë humbje e pastër. Por jo vetëm kaq.

Oferta fituese e ofruar nga kunati i Vilma Nushit është gati 100% e njejtë me fondin limit të tenderit. Më saktësisht është sa 99.34% e tij. Për ta përmbledhur, ky tender ëhstë vërtetë i denjë për SPAK. Por gjasat janë që askujt nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë.

 

S’ka krizë për KESH/ Blen 44 milionë euro energji më shtrenjtë se në bursë

44 milionë euro ka shpenzuar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për blerjen e energjisë për 5 ditët e fundit të muajit shtator dhe për plotësimin e nevojave të konsumatorëve gjatë muajit tetor. Në bazë të tenderit të zhvilluar energjia është blerë për periudhën 1-31 tetor dhe ka kushtuar rreth 34 milionë euro. Sipas të dhënave në total është blerë një sasi prej 74,500 megavatorësh me një çmim mesatar prej 455.24 eurosh.

Por kjo blerje ka ardhur në një kohë kur gjatë fundjavës çmimi i energjisë në bursë është ulur dhe në oraret e pikut është shitur edhe nën 300 euro për megavat. Por edhe pse në bursa çmimi ka pësuar rënie të ndjeshme, duket se KESH ka zgjedhur të blejë energji me çmim disa herë më të lartë se në Bursë. E njejta gjë ka ndodhur edhe me tenderin e parafundit të KESH, për blerjen e energjisë për plotësimin e nevojave për datat 21 deri në 25 shtator. Për këtë periudhë Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka shpenzuar  10 mln euro. Në total, KESH njofton se ka blerë 23.400 Mëh, ndonëse në tenderin e hapur u kërkua vetëm gjysma e kësaj sasie, 12.000 Mwh.

Mbetet e paqartë sesi është zhvilluar procedura e blerjes për këtë sasi, ndërkohë që, edhe çmimi me të cilin është siguruar energjia, është më i lartë se në bursë. Sipas KESH, çmimi mesatar me të cilin u ble energjia është 435,80 Euro/Mwh , ndërkohë që Bursa Hungareze, që shërben si referencë për Shqipërinë, u mbyll me një çmim mesatar prej 276.76 Euro/Mwh. Çmimi që raporton KESH nuk është arritur as në pik, pasi sipas Bursës së Hungarisë çmimi mesatar i pikut ishte 302.89 euro/Mwh. Fasha më e shtrenjtë orare në tregun e datës 19 shtator ka qenë 19:00 – 24:00, ku 1 Mëh u tregtua me 380.65 euro, një çmim që gjithsesi është më i ulët se ai që raporton vetë Korporata. Vetëm për blerjet e muajit shtator, KESH ka shpenzuar rreth 45 mln euro. Nuk sqarohet se kush kanë qenë kriteret e përdorura nga KESH që gjatë muajve shtator-tetor ka blerë gati 90 milionë energji me një çmim disa herë më të lartë se bursa.

Çmimi i energjisë në pikëpyetje. Sot ERE mbledh bordin

Enti Regullator prej ditësh mban peng vendimin për mos aplikimin e çmimit të ri për energjinë. Bordi Drejtues i këtij institucioni do të vendosë sot nëse energjia elektrike do të vijojë me çmimin që u vendos në mbledhjen e 23 shtatorit. Dhe e gjithë kjo situatë duket se vijon të shkaktojë paqartësi tek qytetarët. Nga Korporata Energjitike Shqiptare, thuhet se përgjatë muajit tetor, energjia elektrike nuk do të aplikohet me çmimin e ri për qytetarët që do të tjekalojnë fashën 800kwh.

Shkak i këtij vendimi sipas KESH, janë prurjet e reshjeve. Në varësi të situatës do të shihet se si do të vendoset gjatë nëntorit. Po ashtu KESH thekson se qytetarët kanë nisur të sensibilizohenpër shpërdorim të energjisë elektrike.

Marifeti me energjinë, si do të përdoret kriza për t’ju marrë shqiptarëve më shumë para

Priti t’i jepte lamtumirën shtatorit për të thënë të pavërtetën e parë për këtë dimër. Nga zyra e tij, “live” me telefon, kryeministri Edi Rama mori përsipër që t’u jepte vetë lajmin e mirë shqiptarëve, meqë dhe zgjedhjet po afrojnë, i duhej një frymë “ shpëtimtari”dhe tha  se nuk do u vendoste fashën kufizuese prej 800 kËh për konsumatorët familjarë. 1 tetori u fshi, pasi Rama kishte vënë re që shqiptarët po kursenin, edhe shi po binte. Kështu që mendoi për të gjithë dhe vendosi t’i “falte”.

“Më 1 shtator, kur ne vendosëm të vendosnim fashën, kërkesa për energji ishte shumë e lartë, por tashmë është ulur. Rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i qasjes së familjarëve për të kursyer energjinë. Përmirësim kemi pasur dhe në nivelin e Fierzës. përmirësim pritet të ketë edhe në ditët në vijim. Kjo na bëri që të vendosim që nga 1 tetori të mos hyjë në fuqi kjo fashë,”- tha Rama.

Por teksa Kryeministri Edi Rama njoftoi me entuziazëm vendimin e tij për të mos ndryshuar modelin e tarifimit për energjinë elektrike, për fashën mbi 800 kW/h, ERE , bordi i që i vendos rroga vetes nag 4 mln lekë, doli me një tjetër vendim. Autoriteti që ka përgjegjësinë dhe detyrimin për t’u mbledhur në mënyrë të pavarur dhe për të diskutuar për çmimin e energjinë, ka krijuar në publik një perceptim se është qeveria që vendos dhe më pas ERE që miraton fiktivisht. Një histori e ngjashme si me atë të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Një komitet fantazëm që mblidhej me porosi të kryeministrit për të njoftuar vendimet e kryeministrit dhe për t’ju bërë alibi sa herë shihej se qe nevoja. Njësoj duket edhe me krizën e energjisë.

ERE-s i qe caktuar në këtë rast “pjesa e gogolit” të historisë. Marifeti u kuptua të nesërmen. Atë mbrëmje, ERE njoftoi se tarifat e reja të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë nuk ndryshojnë, ato do mbeten në varësi të tregut por deri në dhjetor. ERE sqaron se në kushtet e energjisë në krizë, atëherë çmimi nuk do të fashohet me 800 kw, por ndoshta me më shumë ose më pak. Pra, në muajt kur do të ketë më shumë konsum, çmimi do të rritet për të gjithë, me apo pa fashë.

“Çmimet e vendosura nga ERE mbeten të aplikueshme për periudhën 1 tetor deri në 31 dhjetor 2022. Në situatën e emergjencës energjitike që ndodhemi, rishikimi i çmimeve do të jetë periodik, pra nëse Furnizuesi i Shërbimit Universal do të njoftojë për kosto të ndryshuara të çmimit të blerjes së energjisë, atëherë do të reflektohen dhe nga ERE. Për shembull, nëse për muaji tetor FSHU sh.a do ta sigurojë energjinë nga KESH sh.a me çmimin 2.6Lekë/kwh, dhe çmimi i energjisë për konsumatorin familjarë do të mbetet 9.5lekë/kwh”, nënvizon ERE.

Pasi ERE zbuloi trukun, magjinë e bëri vetë. Rama doli të nesërmen duke konfirmuar se fasha vërtet nuk do të vihej në fuqi nga 1 tetori, ama në nëntor do të kishte një rimendim të situatës dhe se e gjitha ishte një shfaqje për të treguar se çmimi do të rritet në mënyrë të pacaktuar duke ia faturuar shqiptarëve kilovatin në bazë të asaj sesa konsumon e gjithë popullata.

‘Në muajin nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat ose do t’i rikthehemi këtij vendimi duke pasur parasysh parametrat. Është e vërtetë që nuk është shtuar asnjë burim energjie.’’- tha Rama.

Ky vendim e kthen ERE-n nga një institucion rregullator dhe përgjegjës për çmimin e blerjes dhe shitjes së energjisë në një lloj Bordi si ai i karburanteve, “ kukull”, ku përditësimi i uljes së çmimit është i pallogaritshëm për xhepin e qytetarëve. Kush do ta caktojë sesa do të shitet energjia në muajtë kur temperaturat do të ulen dhe i ftohti të kaplojë vendin? Sa do të rëndojë kjo në faturën e muajit. ERE po përgatit terrenin e saj për të mbyllur çdo deficit të mundshëm që ka në rrjet duke shfrytëzuar rastin për të ngritur Bordin e saj. Sigurisht me dy shembuj abuzues dhe të padrejtë që në orën e tyre të parë të punës. Kriza vazhdon, Bordet shtohen. Një krizë, një Bord dhe një Komitet. Një instrument teknik, i përkohshëm dhe i pakontrollueshëm që jep llogari vetëm tek ai. Kryeministri. Por kryeministri as nuk sheh dhe as di gjë.