Shqipëria do të emetojë një tjetër Eurobond me vlerë 500 milionë €

269
Sigal

Shqipëria pritet të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një Eurobond tjetër me vlerë 500 milion Euro.

Këtë herë Shqipëria do të tentojë përveç tregut europian edhe bursat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sipas mediave, kërkon gjetjen e një konsulenti ligjor ndërkombëtar, i cili do të asistojë qeverinë në këtë proces.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë po kërkon propozime për këshilltarë ligjorë që do të japin asistencë ligjore gjatë emetimit të Eurobondit të pestë. Firmat duhet të ofrojnë ekspertizë në ligjin anglez dhe atë federal të letrave me vlerë në SHBA.”

Një pjesë e Eurobondit që do të emetohet do të përdoret për shlyerjen e një shume të marrë më parë, ndërsa pjesa tjetër për financimin e nevojave të buxhetit të shtetit.  Parashikimi i bërë fillimisht për daljen në tregjet e huaja ishte viti 2022, por burime zyrtare thonë se në varësi të tregjeve dalja mund të jetë në fund të këtij viti ose në fillimin e vitit të ardhshëm.

Ky do të jetë Eurobondi i 5-të që emeton Shqipëria, i fundit ishte ai i vitit 2020 i cili arriti një vlerë rekord prej 650 milionë Euro kundrejt një interesi 3.62%.