Shkëlqim Cani: Sot akt normativ për shpërblimin e pensionistëve

453
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, bëri të ditur se sot do të publikohet akti normativ për shpërblimin e pensionistëve, por edhe për blerjen e energjisë elektrike për shkak të thatësirës së madhe që po kalon vendi ynë këto ditë. Ministri Cani vizitoi të hënën një qendër për të moshuarit në kryeqytet. I pyetur nga mediat, lidhur me mbështetjen financiare që qeveria planifikon për pensionistët, Cani tha se nga ministria e Financave është parashikuar që të marrin të njëjtën vlerë parash si një vit më parë, pra rreth 3 mijë lekë.

Ndërkaq përmes një tjetër akti normativ do të përcaktohet një fond i veçantë për Korporatën Elektro-Energjetike të Shqipërisë, për blerjen e energjisë elektrike, pasi për shkak të thatësirës prodhimi vendas nuk plotëson nevojat e konsumatorëve.
“Kjo është punë e qeverisë nuk është e një Ministri. Sot qeveria në orën 17:00 besoj që do marrë vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Besoj që është e njëjta skemë me vitin e kaluar. Por për vlerën dhe gjitha të tjerat t’ia lëmë mbledhjes së qeverisë. Është qeveria që vendos për këto gjëra”, deklaroi kreu i financave publike.
Sipas Canit, ndryshimet do të bëhen përmes një akti normativ. “Do ketë një akt normativ,nuk është çudi që akti të bëhet për dy arsye, njëra për pensionet dhe arsyeja e dytë energjia. Çështje thatësire”, tha Cani.