Sektor i bankave nuk njeh krizë, fitimi u rrit me 33.5% krahasuar me 2020

516
Sigal

Gjatë vitit që lam pas, fitimi i sektorit bankar u rrit me 33.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11-mujorin 2021, fitimi neto arriti vlerën e rreth 19.15 miliardë lekëve, ose 33.5%, niveli më i lartë që prej vitit 2017, vit kur sektori bankar ka shënuar fitimet më të larta historike.

Viti 2021, me të dhënat deri në fund të nëntorit, po shënon fitimin e dytë më të lartë historik të sektorit bankar në vend.

Mbështetur në të dhënat e 9-mujorit 2021 të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me standardet IFRS sektori bankar ka regjistruar fitimin më të lartë të dekadës së fundit.

Edhe treguesit e rentabilitetit, paraqiten në nivelet më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e fitimeve të sektorit bankar po mbështetet nga zmadhimi i sektorit dhe rritja e huadhënies dhe nga përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor, niveli i kredive me problem, zbriti në 6.2%, niveli më i ulët në 13 vjet. Ulja e raportit të kredive me probleme ka një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën financiare të sektorit bankar. Pakësimi i kredive të këqija sjell më pak shpenzime, duke ndikuar pozitivisht në  përfitueshmërinë e bankave. Rritja e portofolit të kredisë dhe letrave me vlerë, gjithashtu ka zgjeruar të ardhurat nga interesat, ndërsa gjallërimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar pozitivisht edhe të ardhurat nga tarifat dhe komisionet.

Rritja e përfitimit është një parakusht i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të sektorit dhe për mbështetjen e nevojshme të ekonomisë me kreditim, por edhe për ta bërë sektorin bankar më tërheqës për investitorë strategjikë. Në vitet e fundit, sistemi është përballur me largimin e disa prej grupeve të rëndësishëm bankare të Eurozonës, që ka sjellë një proces konsolidimi dhe rritjen e peshës së investitorëve lokalë dhe rajonalë. Shumica e bankave janë shitur me çmime relativisht të ulëta dhe nën vlerën e kapitalit të tyre aksioner, shkrins monitor, pikërisht për shkak të keqësimit të performancës financiare, në periudhën e pas krizës së 2008-ës.