Sadedin Çeliku/ Nisma ligjore për rritjen e taksave të automjeteve një show mediatik, është e parakohshme

622
Sigal

Nismat që lidhen me rritjen e taksës së qarkullimit nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është e drejtë institucionale, por mjaft e parakohshme. Siç bëhet e ditur, Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese e rrëzoi propozimin në fjalë me argumentet që lidhen me mundësitë që kanë shqiptarët për të blerë autovetura me zero kilometër. Në atë komision apo debat munguan ekspertët e fushës së transportit, të cilët mund e duhet ta kishin thënë fjalën e parë dhe të fundit. Meqenëse, ky problem ha pak diskutim, mendoj se do të ishte me vlerë ndonjë mendim lidhur me këtë çështje.

Së pari, duhet të kuptojmë se makina dhe autovetura të përdorura, të çdo lloj kapaciteti e marke, importohen në të gjithë botën dhe nuk gjendet qoftë dhe një shtet i vetëm ta ketë të ndaluar importin e tyre. Propozimi i distributorëve dhe koncensionarëve që shesin autovetura të reja është i tepruar dhe i pa argumentuar. Sqarojmë se, importi nuk ka kufizime pavarësisht moshës që ka automjeti, ndërsa koncensionarët kërkojnë që autoveturat e vjetra mos të kalojnë moshën pesëvjeçare. Absurditet !?

Së dyti, autoveturat që shesin distributorët tanë dhe të huaj kanë çmimet më të larta në rajon, krahasuar kjo me autovetura të një moshe e të një marke. Së paku, këto kompani marrin një fitim neto prej 20 për qind të vlerës së shitjes, ndërkohë që për kompani të tjera simotra, fitimet shkojnë në limitet 5-7 për qind. Rënia e shitjeve, sidomos për markat e njohura, lidhet pikërisht me çmimet e larta. Ende kuptohet pak se fitimi neto është produkt xhiroje dhe jo çmimesh që shpesh bëhen bllokues të aktivitetit tregtar.

Së treti, taksat konsiderohen të larta në krahasim me vendet e rajonit, por dhe me vendet e zhvilluara. Po të kemi parasysh dhe nivelin e varfërisë, çmimet e karburantit, siguracionit vlerësohen mjaft të larta. Kështu tek ne, nëse blen një autoveturë të përdorur do duhet të paguash 2.100 lekë për kontrollin teknik, 1.500 lekë për kontrollin fizik, 2.000 lekë për certifikatë pronësie, 3.500 lekë për vendosjen e targave, 7.000 lekë për siguracionin dhe 7.000 lekë afërsisht taksa ambientale ( kjo taksë varet nga fuqia motorrike dhe cilindratat). Pra, të gjitha së bashku shkojnë rreth 23-25 mijë lekë të rinj. Nëse do marrim si shembull Francën, do të kemi 57 – 80 euro për kontrollin teknik për çdo autoveturë dhe 35-75 euro taksë qarkullimi pa llogaritur siguracionin. Pra, gjithsej 92-155 euro, ose e shprehur ne lekë rreth 13.000 – 33.000 lekë të rinj. Siç shikohet, tarifat nuk kanë shumë diferenca.

Së katërti, nëse Franca ka  rreth 6000 mijë pika të kontrollit teknik dhe të liberalizuara tërësisht, ne kemi vetëm një kompani e cila e ka monopol shërbimin. Ndryshimet që ne kemi krahasuar me praktikat ndërkombëtare  është se, kontrolli teknik tek ne bëhet vetëm me aparaturat tip Maha dhe veçse konstatim, në vende të tjera të bëjnë dhe servisin nëse automjeti ka probleme teknike. Pra gjendja teknike e autoveturës së re me atë të përdorur, pas servilit, nuk ndryshon shumë.

Së pesti, duhet të liberalizohet tregu i kontrollit teknik dhe të gjithë distributorët duhet të licencohen për të kryer këtë shërbim përfshirë dhe servisin nëse është e nevojshme dhe kësisoj çështjet e sigurisë do të jenë më të sigurta dhe nën kontroll të plotë. Shteti mban dhe miraton politikat tarifore dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë rrugore.

Së gjashti, edhe ai drejtues që posedon një autoveturë të përdorur, konceptualisht, konsiderohet i varfër dhe tejet i varfër ai që nuk posedon, kështu që, nisur nga niveli i varfërisë që ka populli ynë, më duket e shpejtuar nisma lidhur me këtë çështje. Mosmiratimi i projektligjit nga ana e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese më duket i drejtë dhe i argumentuar.