Rikthimi i Marksit në bankat gjermane

2436
Sigal

Nuk është më çudi, as “skup” gazetaresk. Është thjesht një natyrshmëri e kohës që po shtrihet përditë e më shumë përreth globit, rikthimi i Marksit! Në Gjermani këto ditë të vështira krize globale ai, Karl Marksi, ka bërë edhe një hap tjetër të madh, të dukshëm. Ka pushtuar bankat gjermane me emrin e tij. Dhe kjo është fare e natyrshme, tashmë për vet gjermanët, që në unison epokal, të majtë e të djathtë, këtu janë në konsensus, si dy anët e një monedhe. Të njëjtë për Marksin, në mendim dhe vlerësim. Ashtu si e kanë të prerë fytyrën e tij mjekroshë, në memorial të monedhës së vjetër me vlerë 100 marka.

Këtë muaj Marksi ka pushtuar faqe të tëra gazetash dhe revistash botërore, madje edhe në Shqipëri ka kaluar duke u publikuar nga gazeta Telegraf: së pari me një analizë filozofike të filozofit dhe politikanit të njohur prof. Servet Pellumbi dhe më pas, me një tjetër hyrje të Marksit në Shqipëri, nëpërmjet Marksit të “gjallë”, milionerit industrialist italian, Stefano Riçi.

Në të vërtetë Marksi nuk kishte ikur, as ishte harruar, por, gjithsesi ishte denigruar! Bile ashpër nga vet ish-komunistë, si për shembull Oketa, në Itali, që e quante “të vjetruar nga koha dhe zhvillimi”, ndërsa një ish-komunist tjetër, stalinist i konvertuar me “urdhër” në demokrat, Sali Berisha, i zbritur në Tiranë, mburrej publikisht se “Marksi kurrë nuk do të kalojë më në vendin tonë”, duke u vetëshpallur, madje publikisht, nga totalitar i përgjakshëm, (rishfaqur serish më 21 janar 2011) në përçues i lirisë së pakufizuar, një lloj “liliputi”. Adam Smith, filozofi i njohur, i cili, në të vërtetë, edhe për kapitalin e lirë thotë se: “Kapitalizmi i përngjet një anije që grumbullon shumë pasuri, me të gjitha mënyrat (vrasje, korrupsion, dhunë, shtypje, shfrytëzim, imoralitet, vjedhje… shënim i autorit), të cilës i dihet edhe nisja… Por nuk i dihet kurrë vendmbërritja, pasi mund edhe të mbytet nga koha, pirateritë dhe humbja e busullës…” (marre me shkurtime nga libri: “Libri i zi i kapitalizmit”). E vërtetë gjithashtu është edhe pjesëmarrja e Marksit e hapur, tek më e fundit lëvizje panbotërore, kundër papunësisë së rinisë dhe qytetarëve, kundër varfërimit dhe falimentimit të familjeve, ndërmarrjeve, bankave, shteteve… kundër globalizimit të shfrenuar dhe krizës në përgjithësi. Lëvizja panbotërore me origjinë lindje në Spanjë, Indinjados (Të irrituarit) ka në flamur të saj pikërisht Karl Marksin dhe pranë tij, përherë, komunistin liberal të mirënjohur në Itali, shqiptarin, nga babai, Antonio Gramshi. Retrospektivë e detyruar, apo kthim për humbje rruge? Kaleidoskop, për të parë më mirë qytetaret e rruzullit, diejt që ngrohin, apo “intermexo” muzikore, për të rikapur harmonizimin e jetës plot enigma tek e nesërmja! Mund të jenë të gjitha, siç janë parë tek minatorët spanjollë, ditë më parë që, si lum kërcënues, “pushtuan” pas 500 kilometrash rrugë Madridin. Janë parë Marksi dhe Gramshi në “Okupy Wall Street”, ku qindra amerikanë protestonin në kërkim të së drejtës së punës, jetës së garantuar dhe mirëqenies relative, pasi janë ata 99 përqind që kanë ndërtuar Amerikën dhe shfrytëzohen e keqpërdorin vlerat vetëm një përqind e amerikanëve e që janë të pasurit… Në Gjermani, si shkruan këto ditë gazeta italiane “La Repubblica”, ka marrë hov të pandalshëm propagandimi i Karl Marksit. Dhe, nuk e bëjnë këtë për nostalgji ish-gjermano-lindorët të cilët, është e vërtetë, edhe pas 23 vjet bashkim pas rënies së Murit, shpesh u sheh në portofol portretin e Marksit, ndërsa në orët e dorës, mjekrën e tij të famshme. Kjo nuk mund të jetë nostalgji, pasi tashmë është edhe banka e kursimeve në Kemnitz, qyteti i lindjes së Karl Marksit që, ka stampuar fytyrën e njohur të babait të socializmit, në kartat e kreditit. Mijëra qytetarë tanimë kanë Marksin tek mjeti që “mbërthen” me rritje a ulje, pasurinë e tyre prej punës. Në qytezën, që në të kaluarën kishte emrin e tij dhe thirrej Karl – Marx – Stadt, banka ka zhvilluar edhe një “referendum” të klientëve me fotot më të spikatura të qytetit, ku foto e “mjekroshit” Marks ishte marrë nga një statujë e tij e lartë 7 metër, e vendosur tashmë në qendër të qytetit, midis Brückenstrasse dhe rrugës së Kombit. Marksi ka fituar pa asnjë vështirësi përballë rivalëve të tij, monumente të shquara të qytetit si: Kështjella e Waldemburgut, ajo e Forderglauchau, Kulla e Kuqe, osé Bashkia e vjetër, autodromi Sachsenring dhe Muzeu i Industrisë. Në Gjermani ka filluar të shfaqet termi i parasë bankare, “Marxtercard” ku flitet se do ta aplikojë shpejt në Europe edhe e mirënjohura D.Bank, që më duket se ka filiale edhe në Shqipërinë e ndaluar për Marksin, prej Saliut. Vëzhguesit dhe analistët e pavarur vënë në dukje se më shumë se sa një eveniment kulturor, kjo përhapje e Marksit është një rifitore historike e ekonomisë kapitaliste dhënë me meritë autorit te Kapitalit. Rivlerësimet gjer në qendër të Nju Jork dhe shtete të tjera amerikane, kanë treguar ndërkohë edhe lavdinë e merituar, që mbajnë prej tij gjermanet në hapësirën botërore, lavdi që rrjedh mbi të gjitha nga aktualiteti dramatik i parashikuar mrekullisht prej tij në teoritë marksiste. Kjo ripërhapje gjiganteske, si dallgë deti, thotë shtypi, në të gjithë Gjermaninë nuk ka qenë e pritshme 10 vjet më parë. Por, gjerat kanë ndryshuar me shpejtësi dhe është rinia ajo që, pasi e studion edhe në shkolla, reflekton dhe materializon Marksin. Por, ka dhe faktorë të tjerë nxitës, ku klasa e mesme, por dhe të pasurit propogandojnë Marksin, bile janë këta që kanë propozuar t’i bëjnë bust në qendër të kryeqytetit, duke entuziazmuar punëtorë e fshatarë. Është kjo arsyeja që, siç shkruan “La Repubblica”(13 korrik 2012) “një sondazh në ish-Gjermaninë lindore tregon se në dy persona njëri “qan” kohen e socializmit real, dhe e konsideron ekonominë e sotme kapitaliste “të paaplikueshme”. Është dikush që thotë, përfundon gazeta italiane, se: “nëse ka një fantazmë që xhiron sot, nëpër Europë, është ajo e parave që duhen paguar! “Dhe ky është pikërisht gjeniu që e ka parashikuar edhe fantazmën.”Bentornato Marx”(Mirësevjen Marks) është edhe titulli i një libri të ri prej filozofit të njohur Diego Fusaro, libër që renditet i dyti, pas të të mirënjohurit filozof kontemporan anglez Honsbaëm, libri i të cilit ka kapur rekorde shitje kudo në perëndim, duke qenë Gjermania, në renditje e para!… Thua thjesht është kriza që ringre Marksin? Nëse kjo ngritje progresit i shërben, atëherë nuk ka perse të mos vlerësojmë më mirë edhe në Shqiperinë e bërë copë-copë nga shkatërrimi i industrisë, pasurisë, dinjitetit dhe moralit. Marksi nuk të vret dhe imponon si stalinizmi!…