Rekord me çmimin e energjisë për të liberalizuarit, dyfishohet në janar

493
Sigal

Çmimi i energjisë për bizneset që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (OSHEE) arriti në janar një rekord të ri. Në vendimin e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë ky çmim ishte 18.73 lekë, çmimi më i lartë i regjistruar për kategorinë e të liberalizuarve që nga nisja e procesit një vit më parë, kur këto biznese merrnin energjinë me një tarifë të rregulluar 9.5 lekë/kwh. I ndarë në zëra rezulton, se çmimi fillestar për sigurimin e energjisë ishte 14.33 lekë/kwh. Mbi këtë janë shtuar elementë të tjerë të parashikuar nga metodologjia, duke nisur nga kthimi për riskun që ishte 0.43 lekë, kostot administrative të furnizuesit të mundësisë së fundit 1.80 lekë, tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë, tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes 1.5 lekë/kwh. “Vërehet se, në këtë aplikim për çmimin FMF për muajin Janar 2019, OSHEE sh.a. ka zbatuar me korrektësi përcaktimet e nenit 8 të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga furnizuesi i mundësisë së fundit, për sa i përket çmimit maksimal të blerjes. OSHEE sh.a. me e-mailin e datës 07.02.2019 protokolluar në ERE me nr. 132, informon se, do të vazhdojë të aplikojë koston administrative si në vitin 2018 (1.79 lekë/kWh), për llogaritjen e çmimit FMF-35 kV” thuhet në vendimin e ERE. Në dhjetor bizneset e lidhura në 35 kilovolt paguan një tarifë 15.22 lekë/kwh ndërkohë që në tetor dhe nëntor të njëjtat biznese paguan 16 lekë/kwh. Këto të fundit ishin edhe dy muajt më të shtrenjtë me të cilin bizneset blenë energjinë. Përgjatë korrik, gusht dhe shtator, çmimi i energjisë për këtë kategori u caktua 12.86 lekë kwh, ndërsa nga janari në qershor u luhat mes 9.5 dhe 9.82 lekë kah. Në fillim të vitit të shkuar ishin 90 biznese të lidhur në 35 kilovolt, të cilët u detyruan të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë në mënyrë të pavarur. Vetëm një pakicë e tyre arritën të gjejnë furnizues, ndërkohë që pjesa tjetër vijojnë të mbeten nën OSHEE sipas periudhës tranzitore të caktuar, e cila zgjat deri në fund të 2019-s. Në mes të këtij viti, pritet që të dalë në tregun e lirë një numër i madh biznesesh, por këtë herë të lidhur në tension 20 kilovolt./Monitor