Raporti i FMN, borxhi i jashtëm shqiptar në rritje, në 43.2%

644
Sigal

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka prezantuar dje në Stamboll “Raportin Ekonomik Rajonal” për disa shtete për Europën Qendrore, Lindore e Juglindore CESEE.

Sipas raportit, rritja ekonomike për Shqipërisë për këtë vit (2014) do të mbetet në të njëjta shifra, 2.1 për qind, ndërsa përmirësime priten në 2015, ku rritja e ekonomisë parashikohet në 3.3 për qind. Ndërkohë që parashikimet e FMN-së japin të dhëna për rritje të borxhit të jashtëm, ndërsa borxhi publik pritet të ulet nga 71.7% në 71.2% për 2015. Borxhi i jashtëm shqiptar pritet të vijë në rritje, në 41.4% dhe 43.2%, përkatësisht në 2014 dhe 2015, nga 39.7% në 2013-n.

Rritja reale e konsumit privat pritet të kthehet në pozitive në 2014, në 0.5%, nga -2% në 2013-n. Edhe rritja reale e kërkesës së brendshme parashikohet pozitive në 2.9% në 2014-n, nga -0.9% në 2013-n, për t’u zgjeruar ndjeshëm në 5% në 2015-n.

“Raporti Ekonomik Rajonal” për Europën Qendrore, Lindore e Juglindore “CESEE” i referohet shteteve: Shqipëria, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Kosova, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia., Sllovenia, Turqia dhe Ukraina.

Sipas raportit, rritja po përshpejtohet në pjesën më të madhe të CESEE, në valën e rimëkëmbjes së zonës euro, por rajoni po përballet me një valë të pazakontë rreziqesh. “Kushtet janë bërë më të luhatshme që nga mesi i vitit 2013. Përveç reduktimit të vazhdueshëm të fondeve më bankat e huaja, portofoli i flukseve drejt CESEE, përjashtuar Rusinë dhe Turqinë, u kthye në negativ në tremujorin tretë 2013, për herë të parë që nga 2009. Ndërsa ky fluks u rimëkëmb sërish në tremujorin e katërt 2013, presionet mund të rishfaqen, në rast se rreziku që vjen nga përshkallëzimi potencial i tensioneve gjeografike në rajon, do të nxisë më tej luhatshmërinë financiare. Në këtë drejtim mund të ndikojnë dhe rruga drejt normalizimit të politikës monetare në ekonomitë e avancuara dhe mundësia që eurozona të përballet me një rritje të dobët”, theksohet në raport.