Totozani takon përfaqësues të CEZ dhe ERE, 60 ankesa vetëm për Janar-Prill 2014

455
Sigal

Avokati i Popullit/Ankesat ndaj CEZ: Keqfaturimi, faturimi i padrejtë për taksën e RTSH-së, ndërprerja kolektive e energjisë, mosriparimi në kohë i defekteve, etj.

Avokati i Popullit, Igli Totozani zhvilloi dje një takim me Drejtorin e Kujdesit ndaj Klientit të CEZ, Arben Pregja dhe përfaqësues nga Enti Rregullator i Energjisë për të diskutuar në lidhje me ankesat e paraqitura nga qytetaret përsa i përket problemeve të energjisë elektrike. “Për periudhën 01.01.2013- 29.04.2014, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur 133 ankesa nga të cilat 73 ankesa për vitin 2013 dhe 60 ankesa për periudhën Janar-Prill 2014”, thuhet në njoftimin e AP-së.

Nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, bazuar në ankesat e qytetarëve janë konstatuar:

• Rishikimi i dispozitave të lidhjes së Kontratës Tip të Furnizimit me energji elektrike duke vendosur trajtimin me tarifa të diferencuara për shtresat në nevojë (Romët, Personat me Aftësi të Kufizuar, Pensionistët, etj.)

• Rishikimi i Udhëzimit Nr. 29 datë 27.12.2011, Për disa shtesa e ndryshime në udhëzimin Nr. 1 datë 08.01.2009, “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive”, të ndryshuar”, lidhur me subjektet të cilët përjashtohen nga pagesa e saj, duke iu referuar objekteve të pabanuara (sikundër mund të jenë kasollet) apo vendeve ku nuk ka sinjal të Televizionit Publik Shqiptar.

• Ankesa e Bashkisë Orikum në të cilën parashtrohet mosrespektimi i dispozitave të Kontratës së Furnizimit me energji elektrike ndaj konsumatorëve të kategorisë familjare dhe jofamiljare përsa më poshtë vijon:

1. Ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike, me orare të tej zgjatura pa asnjë justifikim nga ana e Kompanisë, ndërprerje të cilat kanë si shkak linjat tepër të amortizuara dhe për të cilat nuk është marrë asnjë lloj investimit

2. Luhatje të shpeshta të tensionit të cilat jo pak herë bëhen dhe burim i shkatërrimit të pajisjeve elektro-shtëpiake dhe ato të biznesit.

3. Ndërprerje të energjisë elektrike në mënyrë kolektive në rastin e aksioneve ndaj debitorëve, duke ndëshkuar edhe ata të cilët rregullisht paguajnë faturat e energjisë elektrike.

4. Pamjaftueshmëri të specialistëve elektricistë në zonë, çka sjell pamundësinë e riparimit të defekteve të vogla në rrjet.

5. Faturime të padrejta si dhe mungesë stafi të specialistëve të leximit të matësve dhe shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike.

6. Mungesa të njoftimit të qytetarëve në rastin e remonteve për oraret dhe datat e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Bashkia Orikum shpreh shqetësimin se të gjitha problematikat më sipër, po bëhen një pengesë jo vetëm për konsumatorët familjarë, por edhe për bizneset që operojnë në këtë zonë.

• Keqfaturimi i energjisë elektrike duke përfshirë mbifaturim dhe nënfaturim të sasisë së energjisë elektrike. Kështu janë trajtuar pretendime për mosfaturim të rregullt dhe total mujor të energjisë në bazë të Kontratës Tip në fuqi ndërmjet palëve nga ana e Kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a, për disa muaj duke e faturuar “sasinë gjendje” në një muaj të vetëm. Kështu, konsumatorë të ndryshëm, kanë pretenduar se prej 4-5 muajsh pas vendosjes së matësit në banesë, kur bëhej fjalë për hapjen e një kontrate të re, nuk faturoheshin prej 4-5 muajsh.

• Masa administrative e gjobave për dëmtim matësi, të konstatuara nga vetë Kompania “CEZ Shpërndarje sh.a.”.

• Ankesat nga konsumatorë, të cilët rezultonin debitorë, kjo për disa shkaqe:

a) Moskreditim të faturave të mëparshme të energjisë elektrike të paguara në bankë apo shërbimet postare kryesisht për periudhën 2007-2008.

b) Moslikujdim i detyrimeve nga ana e ish banorëve të mëparshëm të apartamenteve

c) Vonesa në pagesat e energjisë elektrike (detyrime të cilat janë likuiduar nëpërmjet sistemit bankar apo edhe filialeve të shërbimit postar) e për të cilat nuk është arkëtuar kamat-vonesa, por si detyrim është mbartur në vijim.

• Faturimi i taksës vjetore për Radio-Televizionin Shqiptar, si dhe tarifën fikse të shërbimit, për kontratat e konsumatorëve që kanë parashtruar kërkesë për “pezullim të përkohshëm të energjisë në banesë, dhe ndërprerje të energjisë”. Në këtë kontekst ka pasur dhe ankesa për faturim të padrejtë nga CEZ Shpërndarje sh.a, mbi taksën e Radio-Televizionit Shqiptar për garazhet e mjeteve lëvizëse.

• Ka mungesë transparence për ballafaqim me matësat nga abonentët që pretendojnë mbifaturim të energjisë për muaj të caktuar nga CEZ Shpërndarje sh.a.