Në prag të vitit zgjedhor, qeveria rrit rrogat e administratës

403
Sigal

Departamenti i Administratës Publike (DAP) pret të finalizojë këtë vit reformën  e pagave të cilat, do të rriten në bazë të disa kritereve të reja, që kanë të bëjnë me rezultatet në punë, trajnimet etj.

Me mbështetjen e projektit IPA 2014  “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike” synon zbatimin e reformës së pagave.

Reforma përmban dy nënrregullime sa i takon strukturës së re të pagave në administratën publike, së pari, zbatimin e strukturës së re të pagave sipas legjislacionit të shërbimit civil dhe së dyti vendosjen e standardeve që do të shërbejnë si udhërrëfyes për përcaktimin e pagave për të gjithë  administratën publike, duke mbajtur në konsideratë parimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”,  si dhe shpërblimin e drejtë për përgjegjësinë dhe impaktin që jep puna e gjithësecilit në realizimin e funksioneve dhe detyrave të institucionit.

DAP-i  njofton se, dokumenti i reformës së pagave pritet të finalizohet gjatë vitit 2020, dhe më pas DAP-i në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të fillojë llogaritjen e implikimeve  të buxhetit për këtë reformë me qëllim zbatimin e plotë të saj.

Organizimi i ri sistemit të pagave në shërbimin civil, do të bazohet në vlerësimin e vendit të punës, të arritjeve vjetore të nëpunësve civilë dhe rezultateve në trajnimet e detyrueshme.

DAP thekson se reforma e pagave mbetet një sfidë, pasi nevojitet një transformim i strukturës aktuale të pagave bazuar në përformancë.

SIGMA, njësia e OECD-së për suportin dhe përmirësimin e qeverisjes vlerësoi me tre 3 pikë indikatorin e pagave në administratë me një rënie në raport me vitin 2015, duke nënvizuar faktin që vlerësimi “promovimi vertikal dhe rritja e pagave, mbeten të vetmet mënyra për të përmirësuar kushtet e pagave” dhe ndryshimet e bëra në legjislacionin shqiptar ende nuk po sigurojnë një sistem koherent të pagave. Sa i takon vitit 2019, nuk ka një vlerësim të këtij indikatori nga SIGMA, megjithatë pritet që realizimi i reformimit të sistemit të pagave të adresojë rekomandimet e vlerësimit të fundit të SIGMA.

Gjithashtu  nuk ka ndryshuar që nga viti 2017 , indikatori që paraqet raportin e pagës maksimale në administratën publike (paga e Presidentit të Republikës së Shqipërisë) me pagën minimale në administratën publike.

Ky indikator nuk ka ndryshim krahasimisht me vitin 2017 pasi paga e Presidentit duhet të jetë 22 herë më e lartë se paga minimale në vend. Kështu me rritjen e pagës së Presidentit rriten në mënyrë automatike edhe pagat minimale në administratë, por paga e kreut të shtetit nuk është rritur që prej tre vjetësh.