Meri Lalaj: Këndez nuk u kam… të të nap një kuçkë ?

648
Sigal

Nga Meri Lalaj

Ne, një poet i dëgjuar, një mjek me disa grada shkencore dhe me shumë libra të botuar, një ish-profesor universiteti, përkthyes i sa e sa librave dhe unë, ishim ulur tek një tryezë dhe ndonëse nuk e kishim marrë ende shtesën e pensionit 1.6 përqind, po pinim kafenë e mëngjesit nën hijen e drurëve në Parkun e Liqenit. Për çudi po bisedonim për kohën e dikurshme, kur rrinim nëpër radha që pasmesnate deri në të aguar për të blerë shishen me qumësht apo për të marrë racionet e djathit dhe të gjalpit përkatësisht 500 gram djathë dhe 100 gram gjalpë.
-Kishim fëmijë të vegjël dhe duhej t’i ushqenim, -tha profesori. –Nuk mund ta harroj se një herë se në prag të Vitit të Ri kam ndenjur tetë orë në radhë vetëm për të blerë bukë. Përfytyroni vigjilje e Vitit të Ri dhe në shtëpi nuk kishte bukë…
-Po ju rrëfej diçka – thashë unë. – Isha disa ditë në Selanik, tek një mikja ime, vëllai i saj, Arjani ka qenë futbollist në qytetin tone. Ditën e 10 janarit 1990, kur u ngjita në tribunë bashkë me disa të tjerë në mitingun ku kërkonim “Liri-Demokraci”, nja tre djem aty poshtë në shesh më kërcënuan me thika duke bërë me shenja: “Do të ta presim kokën!”. Arjani për të na mbrojtur na shoqëroi për në shtëpi mua dhe time bijë. Asaj nate njerëz të panjohur më hidhnin gurë të vegjël tek qelqet e dritares dhe telefoni binte pa pushim duke më kërcënuar me lloj-lloj fjalësh. Një ndër këto ditët kur u ktheva në shtëpi tek dera e banesës time gjeta të ngjitur me marmalatë fotografinë e Enver Hoxhës, ndërsa ditët e tjera gjeja poshtë derës copa letrash me shkrim të keq dhe me gabime ku shkruheshin vargje përçmuese e kërcënuese kundër personave që po ndryshonin sistemin politik në Shqipëri.
Dhe pikërisht u ndodha me Arjanin që tashmë prej njëzet vitesh jeton emigrant në Selanik, ndërsa ishim ulur tek një lokal përballë detit duke ngrënë akullore, po sillnim në mendje kohën kur buka e zezë u jepej qytetarëve me listë dhe fshatarëve nuk u jepej bukë gruri duhej të hanin vetëm bukë misri. E sjell në kujtesë fare mirë, sepse asokohe i jepja gjysmën e racionit tim një burrit nga fshati fare i sfilitur nga varfëria dhe pothuajse i verbër. Arjani na tregoi: -Ju e mbani mend Xajën, ai trupmadhi që shpërndante me makinë bukën nëpër qytet. Një ditë i vete tek makina një djalë i vogël fshatar nja dymbëdhjetë vjeç dhe po i lutej: – Më nep një bukë… Më nep një bukë… (Xaja nuk denjonte as t’i kthente përgjigje). Ai vazhdonte me të tijën: – Më nep një bukë! – Asnjë përgjigje. – O shoko, më nep një bukë. –Heshtje. –O shoko, ja ku i kam lekët gati. – Xaja nuk përgjigjej. Djali vazhdonte të lutej. Më së fundi Xaja pak me djallëzi i tha djalit të vogël: -Më jep një këndes të të jap një bukë… Djali i vogël u mendua një grimë dhe u përgjigj: -Këndes nuku kam… të të nap një kuçkë?…
Nuk besoj se Xaja ishte aq zemërgur mendoj se ia dha bukën djalit dhe ai siç qe i uritur ia nguli dhëmbët kores së trashë. Asokohe nuk gjeje as pulë as këndes, madje nuk gjeje as glasa pule dhe djali me mençuri donte t’i jepte kuçkën që dikush t’ia ushqente.
Ku do të jetë sot vallë ai djalë? Përfytyroj se do jetë emigrant diku sigurisht është martuar, ka vënë pak bark dhe kanë filluar t’i bien flokët, ndërsa është duke ngrënë drekë i thotë gruas së vet: -Prapë tiramisu për ëmbëlsirë unë desha kremkaramel.
Dhe nuk duhet harruar se gjëja e parë që bëmë kur u ndërrua sistemi politik ishte: Mbushëm barkun me bukë.