Ndryshimi në rregullore, kredia e dhënë nga bankat shqiptare në Kosovë nuk do të klasifikohet me rrezik të lartë

23
Sigal

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë javë një ndryshim në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”.

Ndryshimi parashikon që për qëllime të llogaritjes së aktiveve të ponderuara me rrezikun, nga kategoria e ekspozimeve me rrezik të lartë, ku përfshihet edhe vlera e kredisë së akorduar jashtë territorit ku banka ushtron veprimtarinë nëpërmjet filialeve, degëve ose agjencive të saj, të përjashtohet nga ky trajtim vlera e kredisë së akorduar në Republikën e Kosovës.

Sipas rregullores aktuale, bankat ponderojnë me peshën e rrezikut 150%, ekspozimet të cilat u përkasin kategorive me rrezik të lartë, të cilat përfshihet edhe vlera e kredisë së akorduar jashtë territorit ku banka ushtron veprimtarinë nëpërmjet filialeve, degëve ose agjencive të saj.

Me ndryshimin e rregullores, kredia e dhënë në Kosovë do të përjashtohet nga ky rregull dhe do të ponderohet sipas koeficientëve standardë të parashikuar për kreditë e dhëna brenda vendit, që ndryshojnë në varësi të llojit, qëllimit dhe karakteristikave të kredisë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

Ponderimi i kredisë së dhënë në Kosovë me koficientë më të ulët rreziku rrjedhimisht do të ketë një efekt pozitiv në treguesin e konsoliduar të mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave shqiptare që veprojnë në Kosovë me filiale apo degë të tyre.

Aktualisht, në tregun bankar kosovar veprojnë dy banka nga Shqipëria, Banka Kombëtare Tregtare, nëpërmjet filialit të kontrolluar prej saj BKT Kosovë, si edhe Credins, nëpërmjet degës së saj Credins Kosovë.

Të dhënat nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se pjesa e tregut të dy bankave me kapital mbizotërues shqiptar vazhdon të rritet. Në fund të vitit 2023, Banka Kombëtare Tregtare Kosovë dhe Banka Credins Kosovë zotëronin 17.4% të tregut bankar në Kosovë, për një total të përbashkët aktivesh prej afërsisht 1.27 miliardë eurosh. Pjesa e tregut e bankave shqiptare në rritje të ndjeshme nga niveli prej 16.5% i një viti më parë.

BKT Kosovë tashmë është banka e tretë më e madhe në Kosovë, me active totale në vlerën e 1.19 miliardëve euro ose 16.3% të tregut. Pjesa e tregut të BKT Kosovë është rritur me 0.7 pikë përqindje në harkun e 12 muajve të fundit. BKT hyri në tregun kosovar në vitin 2007, duke nisur fillimisht operacionet si degë e bankës mëmë në Shqipëri. Pasi në vitin 2018 BKT-Kosovë kaloi kufirin e 10% të tregut bankar në Kosovë, që nga fillimi i vitit 2019 ajo u transformua në një bankë të veçantë, me aksionar të vetëm Bankën Kombëtare Tregtare.

Banka e dytë shqiptare në tregun kosovar, Credins Bank, e nisi aktivitetin gjatë vitit 2020. Në fund të vitit 2023, totali i aktiveve të bankës arriti në pothuajse 79 milionë euro. Pjesa e tregut e Credins është rritur në 1.1% në totalit, nga 0.9% që zotëronte një vit më parë. Banka Credins Kosovë kontrollohet në masën 62.11% të aksioneve nga Banka Credins Shqipëri, ndërsa pjesa e mbetur e aksioneve zotërohet nga disa sipërmarrës shqiptarë dhe kosovarë.

Tregu kosovar në vitet e fundit ka qenë i lakmuar për institucionet financiare shqiptare. Ky treg në dekadën e fundit është karakterizuar nga një rritje e shpejtë, nivele të ulëta të kredive me probleme dhe përfitueshmëri më e lartë krahasuar me tregun bankar në Shqipëri./ Revista “Monitor”