MASR shkeli ligjin dhe penalizoi maturantët pa të ardhura

614
Sigal

Ivana Dervishi

MAS shkeli ligjin me Maturën 2016 dhe penalizoi maturantët pa të ardhura

Një raport i publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se, maturantëve iu cenua e drejta kushtetuese e studimit

Në shtator të vitit 2016, disa qindra maturantë në panik dolën të zemëruar në protestë duke tundur diplomat e tyre me mesatare të larta, të cilat nuk u kishin siguruar një vend në fakultetet e dëshiruara, pasi në fazën e parë kishin arritur të pranoheshin në universitete vetëm 20% e maturantëve. Protestat e tyre vazhduan për disa ditë dhe shënjestruan procesin kaotik dhe ndryshimin e rregullave në minutë të fundit nga MAS, që sipas maturantëve përmes Ligji të ri të Arsimit të Lartë favorizonte universitetet private dhe shkatërronte parimin meritë-preferencë. Shumë maturantë dhe prindër u ankuan se zgjatja e procesit i kishte shkaktuar atyre një tronditje të thellë psikologjike dhe kishte shkatërruar investimin e tyre arsimor për të ndjekur një degë të preferuar të studimit të lartë, duke zhvendosur aplikantët në degë ku rezultuan fitues prej panikut të raundeve 48-orëshe të regjistrimit.

Një raport i publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i shpjegon rastet e maturantëve me mesatare si 9.7 të mbetur jashtë auditorëve në fazat e para të aplikimit si efekti “bottleneck” (grykë shisheje). Ky efekt u krijua për shkak se maturantët ekselentë bllokuan një pjesë të mirë të degëve ku rezultuan fitues, derisa të regjistroheshin për të liruar vendet për 80 për qindëshin e mbetur pa shkollë.

Centralizim i paligjshëm

Audituesit e KLSH zbuluan në raportin “Performanca e Institucioneve Përgjegjëse për Pranimet në IAL të Maturës Shtetërore 2016” se procesi i centralizuar i maturës ndjekur nga MAS ishte i paligjshëm, penalizoi maturantët e varfër dhe se rezultoi i kushtueshëm në mënyrë të panevojshme. Përgjegjësia e kaosit sipas raportit të KLSH bie mbi MAS, e cila përmes një udhëzimi nr. 13, dt. 22.07.2016 – që audituesit e cilësuan në kundërshtim me ligjin për Arsimin e Lartë Nr.80/2015 – hartoi kriteret e pranimit për vitin akademik 2016-2017 përmes një modeli të centralizuar. “Ligji ia njeh të drejtën IAL-ve për ta realizuar vetë procesin pranues në mënyrë të decentralizuar, mbështetur në dokumentet e tyre strategjike”, vëren raporti. Paligjshmëria fle edhe nën faktin që MAS lejoi aplikantët të regjistrohen pas datës kufi në universitetet private, në mënyrë jotransparente edhe pas nisjes së vitit të ri akademik 2016-2017 – gjë që nuk ndodhi në universitetet publike. Platforma e centralizuar zbrazi auditoret e disa IAL-ve, duke mos lënë aplikantët fitues të regjistroheshin pas datës kufi. Kjo solli kosto ekonomike për universitetet, që u ndje në buxhetet e tyre për pasojë edhe në cilësinë e mësimdhënies, axhendat e pedagogëve dhe konkurrueshmërinë me universitetet e tjera.

KLSH shprehet se Matura 2016 pati kosto edhe për qytetarët, pasi aplikantët që mund të ishin pranuar në universitete publike u regjistruan pas datës limit në ato private, ku sipas vlerësimeve të KLSh, tarifat e shkollimit janë 6 deri në 10 herë më të larta. “Më të penalizuarit janë maturantët me nota të mira dhe që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta apo edhe mesatare”, vlerësoi grupi i punës së KLSH.

Studentët ndihen viktima të kaosit

Gerald Ramaj, ishte një ndër maturantët e prekur nga Matura 2016, i cili doli në protestën e shtatorit 2016 kundër sistemit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Aktualisht ai vazhdon studimet në vitin e dytë në Fakultetin e Shkencave në Tiranë për Informatikë, ku u regjistrua në fazat e fundit, duke i rezistuar frikës se do të humbiste të drejtën e studimit duke refuzuar programe që nuk i preferonin.

Ramaj tha për BIRN se e kujton fazën e regjistrimit në universitet si kaotike dhe pa informacionet e duhura për maturantët. “Sistemi nuk ishte meritë-preferencë, pasi ne nuk kishim informacion të duhur për fazat, për më tepër që pati ndryshime në moment të fundit – të gjitha këto na penalizuan,” tha për BIRN studenti Gerald Ramaj. Ai shtoi se shumë shokë të tij u detyruan të shkonin në universitete private nga frika dhe nga pamundësia për të fituar degën për të cilën dëshironin të studionin në publik, pavarësisht se sipas tij në fund në fakultetin e tij mbetën të paktën 25 vende bosh.

Po ashtu, Klaudina Kuçi, një tjetër ish-maturante e 2016, e cila aktualisht studion në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës tha për BIRN se pasi rezultoi jo-fituese në raundin e parë në asnjë degë studimi, në të dytin ajo u detyrua të vendoste brenda 48 orëve për dilemën më të madhe të jetës së saj. “Do të doja të kisha pasur më shumë kohë të mendohesha [për të zgjedhur mes dëshirës për shkenca sociale dhe drejtësisë ku ajo mendoi se do të kishte më shumë shanse punësimi]. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë, nuk është një lojë,” u shpreh Kuçi. Studentja shtoi se stresi që kaloi ajo dhe familja e saj ndërkohë që prisnin për regjistrimin në studimet e larta në universitetin publik, nuk ishte i njëjtë me atë të atyre që zgjodhën universitetet private, ku fasha e fituesve mbeti e gjelbër pavarësisht ditëve që kalonin.

Esmeralda Nikolla, një tjetër maturante e vitit 2016, e përshkruan pranimin në universitet në shtator-tetorin e vitit 2016 si periudhën e saj më të vështirë “për një vajzë që kalonte çdo orë mbi libra”. Ajo tha për BIRN se pavarësisht mesatares 9.2 priti deri në raundin e dytë për të hyrë në Fakultetin e Drejtësisë dhe se kur mbërriti atje situata nuk ishte ajo që kishte imagjinuar. “Te lista e studentëve pashë studentë të pranuar me mesatare 6 të futur në raundet e fundit, se më të mirët u regjistruan [nga frika] në degë që nuk kërkonin notë të mirë”, tha ajo për BIRN, duke shtuar se gjithsesi studimet në juridik i nisi e shkurajuar mes talljeve se çdo jurist në Shqipëri përfundon kamarier ose operator telefonik. Nikolla vendosi t’i riniste studimet për drejtësi nga e para në Francë, ku për çudinë e saj ajo zbuloi se tarifat ishin më të lira, profesorët nuk të detyronin të blije librat dhe se oraret ishin freksibël për studentët që punonin. “Në Francë është krejt ndryshe. E ndjen privilegjin e të qenët student. Këtu i kushtojnë shumë rëndësi praktikës dhe kemi filluar që në vit të parë me çështje, jo si në Tiranë që bënin historira,” tha Nikolla. Esmeralda megjithatë thotë se në letrën e motivimit për pranimin në universitet në Francë ka shkruar se “dua të marr mësime nga shteti i të drejtave të njeriut për të ndryshuar gjendjen aktuale në Shqipëri, për të përmirësuar shtetin tim” dhe ajo thotë se i qëndron edhe sot kësaj ideje. Ajo shpreson që në kthimin në Tiranë, një diplomë franceze të bëjë diferencën në punësim, krahasuar me kolegët e saj të rinj, të cilët u futën në shkollë falë një sistemi kaotik që shpërbleu të duruarit, por jo ata me nota të mira.

MAS mohon

Në kundërpërgjigje të raportit të KLSH, Ministria e Arsimit dhe Sportit këmbëngul se ka vepruar sipas ligjit dhe brenda afateve të pranueshme të lajmërimit të maturantëve për ndryshimet në vlerësim. “Sqarojmë se, udhëzimi nr.13/2016 “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në vitin akademik 2016–2017”, jo vetëm që nuk është në kundërshtim me ligjin, por dispozitat e këtij udhëzimi kanë respektuar në mënyrë rigoroze detyrimet ligjor si për MAS, institucionet në varësi të MAS dhe IAL-të publike dhe jo publike”, u përgjigj ministria te ekipi i auditimit. Ministria shtoi se koordinim nga ana e saj është i nevojshëm dhe se e kundërta do të krijonte hapësirë për abuzime nga universitetet në regjistrime dhe do të linte të painformuar aplikantët për mundësitë e studimit në vendet e hapura në kohë reale. “Do të ishte i pamundur kontrolli i ligjshmërisë së procesit …nëse nuk do të kishte një platformë kombëtare regjistrimi”, argumenton MAS. Gjithsesi, raporti i quan hijet e dyshimit që hedh MAS ndaj IAL-ve si paragjykuese dhe se cungojnë zhvillimin e universiteteve, cenojnë lirinë e studentëve për t’u regjistruar sipas nevojave të tyre dhe se lë sistemin arsimor pas modeleve europiane.

KLSH dhe MAS ndanë opinione të ndryshme edhe për të drejtën e studentëve për t’u regjistruar në dy programe studimi njëkohësisht dhe më pas të regjistrohen në njërën prej tyre, ku KLSH e cilësoi këtë si të kundërligjshme, ndërsa MAS u shpreh se ligji flet për dy cikle të ndryshme studimi, jo dy degë të ndjekura paralelisht.

Para të çuara dëm

Një tjetër ndikim negativ i procesit të Maturës 2016 sipas raportit ishte kostoja e madhe ekonomike. “Platforma elektronike e RASH ishte joekonomike pasi kushtoi 11.718.416 lekë, për një punë të ngjashme që Universiteti i Tiranës e realizoi për 5 ditë me 5-6 pedagogë pa kosto të tjera veç punës jashtë orarit,” vëren raporti. Një platformë e krijuar për transparencë ndaj MAS në përputhshmërinë e aplikimeve të kandidatëve me renditjet që do të bënin IAL-të, platforma elektronike e RASH realizoi de fakto procesin pranues në universitete, të cilët 5 IAL e paguan privatisht pa procedura korrekte.

Universitetet pasive

Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri përveçse dolën nga Matura 2016 me kosto ekonomike të ardhura prej vendeve të lira të mbetura në auditoret e tyre, pas shtyrjes së studentëve në degë të tjera ose në universitete private, u përfshinë gjithashtu në kaos. Senatet akademike të Institucioneve të Arsimit të Lartë publikuan kritere pranimi të paqarta dhe shpesh të papërputhshme me kurrikulën e shkollave të mesme. Pati gjithashtu ndryshime të procesit të pranimit në raundin e dytë. U ndryshua llogaritja e mesatares pas mbarimit të provimeve. Maturantët nuk u informuan për peshën që do të kishin lëndët me zgjedhje në vlerësimin e arritjeve dhe për mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare.

Kontrolli i Lartë i Shtetit u shpreh se mesatarja në Shqipëri nuk është tregues i besueshëm për shkak të ndryshimeve mes arsimit të mesëm publik dhe privat, atij në rajone të ndryshme të vendit dhe maturës shtetërore që varet më tepër prej administrimit. Kaosi do të mund të ishte shmangur përmes procesit të decentralizuar të pranimit në institucionet e arsimit të lartë në vend, sipas KLSH. Megjithatë ky model nuk u zbatua për vitin 2016-2017 pasi shumë IAL nuk kanë Statute dhe Rregullore përtej afateve ligjore, atyre u mungon kapaciteti dhe aftësia teknike për të renditur kandidatët, si dhe prej zgjedhjes për të mos pasur barrë ligjore dhe morale në zgjedhjen e fituesve. “IAL-të aplikuan një qasje të pajustifikuar pasive që në fillim të procesit të pranimit, përmes përcaktimit të dobët të kritereve dhe mosmarrjes së përgjegjësive që iu takonin në këtë proces, në mjaft raste duke kryer edhe shkelje të natyrës financiare”, vlerëson raporti.

Raporti përfundon duke rekomanduar që MAS të decentralizojë procesin ku, IAL-të duhet ta konceptojnë, dizajnojnë dhe implementojnë vetë procesin e pranimit, në përputhje me Ligjin dhe praktikat e mira. Kriteret e tyre e të pranimit duhet të reflektojnë një politikë afatgjatë të tyren./BIRN