Ministritë nuk paguajnë detyrimet, rritet shuma që duhet të paguhet për punonjësit e shkarkuar nga puna

299
Sigal

Në 9 muaj ministritë kanë rritur detyrimet e prapambetura si për faturat e papaguara, por dhe për pagat që punonjësit e shkarkuar i kanë fituar në gjyq. Ministria e Infrastrukturës kryeson listën, e ndjekur nga ajo e Brendshme. Shqetësim mbetet dhe përplasja e shifrave, pasi KLSH dyshon se detyrimet janë më të larta.

Fatura e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga institucionet publike vazhdon të jetë e lartë, ndikuar nga disa faktorë mes të cilëve dhe largimet e paligjshme nga puna.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në nëntëmujorin e parë të këtij vitit stoku arriti në vlerën e 22.4 miliardë lekëve, 4.8 prej të cilave vetëm këtë vit.

Për vitin 2020, 50%  e shumës i atribuohet pagesave të vendimeve gjyqësore për të larguarit padrejtësisht nga puna në administratën shtetërore, duke kapur vlerën e 2.6 miliardë lekëve.

Në krye të listës me borxhin më të madh qëndron Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me rreth 2 miliardë lekë.

Nga raporti rezulton se vetëm për shkarkimet e padrejta kjo ministri duhet të paguajë rreth 1.4 miliardë lekë.

Edhe  mbrojtja raporton një shifër të lartë të detyrimeve të akumuluara me rreth 1.1 miliardë lekë.

Nga ana tjetër Ministria e Brendshme renditet e treta për nivelin e borxhit me rreth 644 milionë lekë, por e dyta për pagesat e vendimeve gjyqësore për largimet e padrejta.

Për to do të duhet të paguajë 635 milionë lekë paga, shifër kjo vetëm për 9 muajt e fundit.

Në auditimet e kryera në Thesarin e Shtetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në fund të vitit 2019, faturat e papaguara kapën vlerën e 390 milionë dollarëve.

Ndërkohë që së fundmi kreu i këtij institucioni, Arben Shehu teksa raportoi në Komisionin e Ekonomisë u shpreh se detyrimet e prapambetura që kanë krijuar institucionet publike kanë dalë jashtë kontrollit të Ministrisë së Financave.