Ministritë dhe bashkitë, kanë 140 mln USD borxhe

253
Sigal

Borxhlinjtë dynden drejt zyrave të shtetit, për të kërkuar faturat e papaguara nga institucionet qendrore  dhe pushteti lokal, për shërbimet e kryera. Drejtuesit e këtyre institucioneve shpenzojnë miliona për luksin e zyrave dhe udhëtimet, por nuk janë të interesuar të shlyejnë detyrimet ndaj  të tretëve, vlera e së cilës arrin në 147 miliardë lekë. Ja ministritë dhe bashkitë me borxhet më të mëdha

 

14.7 miliardë lekë fatura të papaguara. Ja kush kryeson në listën e borxheve sipas institucioneve qendrore të bashkive dhe ministrive 

Bashkitë dhe ministritë “të zhytura” në borxhe përballë faturave të papaguara

 

Institucionet vendore, 6.8 miliardë lekë borxhe – kryeson Bashkia e Kavajës dhe 7.9 miliardë lekë fatura të papaguara ku kryesojnë “super ministritë”

 

Nga ana tjetër kemi institucionet vendore, të cilat zënë po ashtu një peshë të konsiderueshme në totalin e detyrimeve të prapambetura deri më 31 mars të këtij viti, siç raporton vetëm ministria e financave dhe ekonomisë. Si renditen ato në këtë listë borxhesh? Në total, borxhet e institucioneve lokale llogariten në rreth 6.8 mld lekë, tregojnë shifrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në vend të parë në këtë listë borxhesh kemi Bashkinë Kavajë, me 840 milionë lekë detyrime të prapambetura, ose rreth 12% të totalit, e ndjekur nga Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës me rreth 752 milionë lekë, ose rreth 11% të totalit.

Në vend të tretë ndërkohë kemi Bashkinë e Vorës me rreth 674 milionë lekë, ose rreth 10%. Pikërisht tre vendet e para mbahen nga tre institucione vendore të qarkut të Tiranës. Vendin e institucionit vendor më të rregullt me detyrimet e mban ajo e Shkodrës, me vetëm 600 mijë lekë, e ndjekur nga Qarku i Vlorës dhe Bashkia Pustec. Ndër bashkitë e mëdha, me më pak detyrime të prapambetura figurojnë edhe ajo e Fierit si dhe ajo e Gjirokastrës.

Ajo që bie në sy është edhe pesha mjaft e madhe që kanë në listën e borxheve bashki të vogla, si ajo e Belshit apo Roskovecit. Të dyja këto bashki së bashku zënë rreth 8.5% të totalit. Sa i përket vetëm vendimeve gjyqësore si detyrime të papaguara, në vend të parë kemi Bashkinë e Durrësit me rreth 137 mld lekë, e ndjekur nga ajo e Pogradecit me rreth 116 mln lekë si dhe ajo e Dibrës me rreth 109 mln lekë, tregojnë shifrat zyrtare.

Kryesojnë  “super ministritë”

Detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe institucioneve vendore deri në fund të marsit të këtij viti rezultojnë në rreth 20.7 mld lekë, nga rreth 23.8 mld lekë që ishin në fund të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe e zënë detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore, me rreth 7.9 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Por, cilat janë institucionet më borxhlije dhe ato më të rregullta? Shifrat tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë mban vendin e parë, me 29.1% të totalit, ose 2.3 mld lekë, e ndjekur nga ajo e Mbrojtjes me rreth 26.7% të totalit si dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë me 26.2% të totalit.

Presidenca, Këshilli i lartë Gjyqësor si dhe Ministria e Bujqësisë rezultojnë të jenë ato më të rregulltat. Më saktësisht, institucioni i presidencës, dhe ai i Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë pasur vetëm nga 100 mijë lekë detyrime deri më 31 mars të këtij viti. Ministria e Bujqësisë, me “vetëm” 3.6 mld lekë detyrime të prapambetura duket të jetë Ministria më e rregullt në drejtim të pagesave.

Por si janë të klasifikuara këto detyrime të prapambetura? Në vend të parë janë detyrimet e prapambetura rrjedhojë e vendimeve gjyqësore, me rreth 3.7 mld lekë. Ky zë, mban thuajse gjysmën e totalit, ose më saktë, 47.4% të totalit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve qendrore, të paktën deri më 31 mars të këtij viti. Më pas ndjekin investimet, me rreth 26% të totalit, ose 2.1 mld lekë. Edhe zëra si shërbimet apo mirëmbajtja zënë një peshë të konsiderueshme në “faturat” e papaguara të këtyre institucioneve. Zëra si rimbursimi i TVSH, mallra apo sigurimet shoqërore ndërkohë, zënë ndjeshëm më pak hapësirë në listën e borxheve të institucioneve të qeverisë qendrore. Vendimet gjyqësore të papaguara kapin një vlerë prej rreth 5.4 mld lekësh, ose rreth 44 mln euro, së bashku me detyrimet e institucioneve vendore.