Mbi 46% e popullsisë, duan të largohen nga Shqipëria

399
Sigal

Anketa/ Shqiptarët edhe për vitin 2021 renditen si populli me përqindjen më të madhe që kërkonë të ikin jashtë vendit. 68% duan të shkojnë në vendet e BE, dhe vetëm 25% në SHBA. Ndërkohë që mbi 30 mijë qytetarë regjistrohen për ndihmë ekonomike me vlerë 7675 lekë në muaj dhe Shqipëria po shpopullohet, bizneset po importojnë dhe kanë filluar punësimet e punëtorve nga Bangladeshi

/Gazeta TELEGRAF

NOA

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, janë shpërngulur nga Shqipëria mbi 500 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 70 % e të rinjve në Shqipëri, shprehin dëshirën, që të emigrojnë nga vendi. Shqipëria po mplaket, fshatra dhe qytete të tëra po shpopullarizohen, sepse në Shqipëri nuk ka të ardhme, as për të mbijetuar, ka pllakosur mjerimi, papunësia. Mirëpo, para zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama, duke vizituar në biznes privat në Shkodër, e inkurajoi pronarin që të “importojë” punëtorë nga Bangladeshi. Madje, kryeministri Rama e “këshilloi” pronarin që punëtorët nga Bangladeshi, t’i mbajë në punë deri sa të mësojnë gjuhën, pastaj, t’i ndjekë e të “importojë” të tjerë.

“Bizneset në Shqipëri, që ankohen se nuk gjejnë dot fuqi punëtore, kanë filluar të “importojnë” punëtorë nga Bangladeshi, duke u siguruar edhe strehim edhe ushqim”

Bizneset në Shqipëri punësojnë të huaj

Bizneset në Shqipëri, që ankohen se nuk gjejnë dot fuqi punëtore, kanë filluar të “importojnë” punëtorë nga Bangladeshi, duke u siguruar edhe strehim, edhe ushqim. Nazmul Haque, 40 vjeç, prej një muaji ka ardhur në Shqipëri nga Bangladeshi, për t’u punësuar në një fabrikë të trajtimit të mbetjeve shtazore, në qytetin e Lezhës. “Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë, por duke qenë se në vendin tonë nuk na jepet mundësi punësimi, u detyrova të vi këtu,” thotë Haque, i cili thotë se është i kënaqur me kushtet e punës, ndërsa pronari i ka siguruar gjithashtu ushqimin dhe fjetjen. “Problem mbetet gjuha, por po mundohemi ta mësojmë,” shtoi 40-vjeçari. Haque nuk është i vetëm. Në fabrikën e përpunimit të mbetjeve me origjinë shtazore “INCA” në qytetin e Lezhës, janë punësuar rishtazi 10 punëtorë nga Bangladeshi. Drejtuesit e kësaj sipërmarrje, theksojnë se, mungesa e krahut të punës në vendin tonë, i ka detyruar që t’i kthejnë sytë nga vendet e tjera të botës dhe janë në pritje të lidhjes së kontratave të tjera me punëtorë të huaj. “Me zgjerimin e kompanisë tone, lindi nevoja për fuqi punëtore,” tha Iris Gruda, drejtoreshë e prodhimit të kompanisë. “Duke qenë se nuk kemi mundur të sigurojmë fuqi punëtore këtu në Shqipëri, po detyrohemi të marrim punonjës të huaj,” shtoi ajo. Ndërmarrjet prodhuese nuk janë të vetmet që përballen me mungesë të burimeve njerëzore në bashkinë e Lezhës. Probleme raportohen edhe nga sipërmarrjet e shërbimeve në fushën e turizmit, të cilat kanë vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar gjatë sezonit të verës. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës çdo vit, 400 mijë punëtorë, migrojnë nga Bangladeshi për t’u punësuar jashtë vendit, në punë të pakualifikuara dhe me rroga të ulëta. “Do qëndroj këtu për një kohë të gjatë, se nuk kam zgjidhje tjetër, pasi në vendin tonë nuk ka punë,” tha  Abudalep, një tjetër punëtor nga Bangladeshi i punësuar në fabrikën “INCA” në Lezhë. “Nevoja për bukën e gojës na ka detyruar që të vimë në Shqipëri, sepse nuk kemi asnjë të ardhur e më duhet të mbaj familjen,” shtoi 28 -vjeçari. Kryeministri Edi Rama shkaktoi debat gjatë fushatës zgjedhore, kur i sugjeroi një sipërmarrësi fason në qytetin e Shkodrës, që të rekrutonte punëtorë nga Bangladeshi. “Shtatë ditë është procedura me marrë punëtorë të huaj dhe po të them që me pagën që ke ti këtu, e ke të garantume – se unë e shof të marrin edhe të tjerët, nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India,” tha Rama. “Kur të fillojnë të mësojnë shqip, fillo ndërroi, se i hyn krymi, mësojnë thashethemet, i hyn krymi, jo politika, jo demokracia, jo liria, jo Evropa, jo bota,” shtoi ai. Me një shkallë zyrtare papunësie prej 11.7 %, Shqipëria mbetet një vend ku shumë të rinj emigrojnë në Perëndim për të gjetur punë. Ndërkohë që opozita dhe mazhoranca, debatojnë për investitorët dhe punëtorët e huaj, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme vendase, në mënyrë të veçantë ato në sektorin e turizmit, ankohen se rekrutimi i stafit gjatë sezonit të verës, është kthyer në një sfidë për bizneset. “Këtë vit e kam hapur prej datës 15 maj, por kam hasur problem në sigurimin e stafit,” thotë Nureman Hasani, i cili prej 7 vitesh administron një piceri-fast food në plazhin e Shëngjinit.

“Gjatë 8 viteve të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, janë shpërngulur nga Shqipëria mbi 500 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 70 % e të rinjve shprehin dëshirën, që të emigrojnë nga vendi. Shqipëria po shpopullarizohet”

“Shumë prej atyre që kanë punuar tek unë vitet e shkuara, janë larguar jashtë vendit, e të tjerë, që kam kontaktuar, nuk kanë interes fare për të punuar,” shtoi ai. Në mungesë të krahut të punës, 60-vjeçari thotë se është detyruar që të punësojë familjen e tij, pasi nuk po gjen zgjidhje tjetër. “Mua më nevojiten të paktën 10 punëtorë, por vetëm 4 kam arritur të siguroj,” tha Hasani. “Kam djalin me nuse e gruan, të cilët janë vendosur tek biznesi prej disa ditësh, sepse nuk po kemi zgjidhje tjetër,” shtoi ai. Sigurimi i stafit është kthyer në sfidë për bizneset në zonën turistike të Shëngjinit. Në hyrje të bizneseve apo dhe në vende të tjera, vëren lehtësisht, njoftime për vende të lira pune. Besnik Sula, administrator i një hoteli, thotë se prej dy muajsh po rendet në kërkim të stafit, por ende nuk ka arritur ta sigurojë. “Kam vendos njoftime e po kërkoj në shkolla profesionale – deri në Tiranë, por shoh që nuk ka fare interes,” tha Sula, i cili theksoi se ka nevojë për 5 punëtorë shtesë. “Deri tani jam munduar t’ia dal duke punuar bashkë me familjen, por kjo nuk është zgjidhje, sepse numri i pushuesve sa vjen dhe rritet dhe nevojat për krah pune në hotelin tim, janë të mëdha. Unë e kam hotelin prej 15 vitesh këtu në Shëngjin, por problemet me sigurimin e stafit, janë shfaqur vetëm vitet e fundit,” – tha ai. Ded Pronoka, administrator i një hoteli dhe restoranti, shprehet se pagat dhe kushtet e punës për punëtorët vendas janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, por ndërkohë, shumë të rinj janë larguar nga vendi.

Anketa: Gjysma e shqiptarëve drej emigrimit

Shqipëria me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim më 2021

 

Sipas rezultateve të anketës, 46% e të anketuarve në Shqipëri, po konsiderojnë të largohen nga vendi. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon.

Edhe më 2021 shqiptarët rezultuan me përqindjen më të lartë të dëshirës për të jetuar e për të punuar jashtë vendit, në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, sipas Anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në Barometrin e Ballkanit 2021.

Sipas rezultateve të anketës, 46% e të anketuarve në Shqipëri po konsiderojnë të largohen nga vendi. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon. Pas shqiptarëve, malazezët shfaqën dëshirën më të lartë për të emigruar me 45% të të anketuarve, Boshnjakët me 39%, Kosova me 32%, Serbia me 25% dhe Maqedonia e Veriut me 27%, e cila kishte përqindjen më të ulët të e dëshirës për emigrim në raport me vendet e tjera.

Nga totali i të anketuarve nga Shqipëria, që dëshirojnë të emigrojnë, 68% synojnë vende të Bashkimit Europian dhe 25% Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Emigracioni është shndërruar në problemin më të mprehtë të shoqërisë shqiptare, teksa numri i të larguarve, kryesisht të rinj po rritet, duke e vënë në pikëpyetje zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen.

Liria e lëvizjes për të zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, një tipar dallues i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja fatale, boshatisjen e vendit. Anketa e madhe e emigracionit vitin e kaluar zbuloi se nga viti 2011 deri në 2019 kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia reale në vend nga 2.8 milionë, është diku te 2.4 milionë.

Fenomeni pritet të përkeqësohet prej efekteve negative të pandemisë COVID-19. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka lajmëruar se, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, pritet të përballen me flukse të larta emigrimi për shkak të pandemisë. Në një raport të vitit 2020, OECD konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000 deri në 2016.

68%  synojnë vende të Bashkimit Evropian dhe 25%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anketa e madhe e emigracionit , vitin e kaluar zbuloi se, nga viti 2011 deri në 2019, kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia  reale në vend, nga 2.8 milionë, është diku te 2.4 milionë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2020, edhe pse në kushtet e kufizimeve ekstreme në lëvizje nga pandemia Covid-19, emigracioni neto (diferenca ndërmjet të larguarve dhe të kthyerve në vend) ishte 16 mijë e 684 persona. Gjatë vitit të kaluar u larguan nga vendi 23 mijë e 854 persona dhe u rikthyen vetëm 7171 persona.

 

30 mijë qytetarë regjistrohen për të marrë ndihmë ekonomike

Pandemia  rriti me 30% numrin e personave të regjistruar në tremujorin e parë të vitit aktual

 

Masa e ndihmës ekonomike, përcaktohet sipas strukturës së familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më tepër se 150 për qind e pensionit social, që është 7 675 lekë.

 

Pandemia Covid-19, e cila i shtriu efektet e saj negative gjerësisht në ekonomi, e përkeqësoi trendin e varfërisë. INSTAT raportoi se stoku i personave që janë regjistruar për të përfituar ndihmën ekonomike në tremujorin e parë të vitit actual, shënoi rritjen më të lartë që nga viti 2018, kur ndryshoi metodologjia për përfitimin e ndihmës.

Gjatë janar -mars 2021, stoku i personave që janë të regjistruar për të përfituar ndihmë ekonomike, arriti në 29,579 me një rritje 30 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit 2020.

Rritja e personave që kërkojnë trajtim financiar për ndihmën ekonomike pësoi rritje të ndjeshme që nga tremujori i dytë i vitit 2020, ku efektet e krizës pandemike u reflektuan në ekonomi.

Në fillim të këtij viti qeveria miratoi një vendim për dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike deri në qershor 2021.

Sipas ligjit në fuqi, masa e ndihmës ekonomike përcaktohet sipas strukturës së familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më tepër se 150 për qind e pensionit social, që është 7 675 lekë.

Pavarësisht nga numri i anëtarëve, një familje nuk mund të përfitojë më tepër se 11.510 lekë. Vendimi i qeverisë përcakton se maksimumi i ndihmës ekonomike shkon në 23 020 lekë. Por ky vendim ka fuqi deri në fund të këtij muaji.

 

Sipas Bankës Botërore, pandemia Covid -19, ka futur në hartën e varfërisë edhe rreth 112 mijë persona rishtas për shkak se, në Shqipëri, një pjesë e madhe e popullsisë,  kanë të ardhura shumë afër kufirit të varfërisë.

Ndihmën ekonomike e përfitojnë familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, j jetimët të cilët nuk janë në institucione. viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje, etj.

Pandemia Covid-19 ndikimet negative i kishte me të mprehta i kishte tek shtresat e varfra dhe ato që ishin afër pragut te të ardhurave me (5,5 dollarë, sipas fuqisë blerëse) në ditë, kufiri i varfërisë relative i matur me standardet e Bankës Botërore.

Sipas Bankës Botërore pandemia Covid -19 ka futur në hartën e varfërisë edhe rreth 112 mijë persona rishtas. Ndikimi i pandemisë në Shqipëri ishte më i mprehtë se në Rajon për shkak se, në Shqipëri një pjesë e madhe e popullsisë kanë të ardhura shumë afër kufirit të varfërisë.

Ndaj një luhatje e vogël në ekonominë e vendit dhe në punësim, ka ndikim shumë të lartë në nivelin e varfërisë, se sa në vendet e tjera. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2021, gati 34 për qind e punonjësve ishin të paguar me pagë minimale (30 mijë lekë).

Ekspertët e Bankës Botërore sugjerojnë se, ulja e qëndrueshme e varfërisë arrihet duke investuar në aftësitë e të rinjve (përmes arsimit) dhe të rriturve (përmes programeve të tregut të punës).

Të tjera mjete, janë rritja e ndihmës sociale për fëmijët dhe të rriturit e moshuar në varfëri, lehtësimi i gjenerimit të punësimit sidomos në qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe përmirësimi i strehimit dhe shërbimeve sociale, që do të krijonte përmirësime të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës për të varfrit.