Mallrat me akcizë, kryetatimori i Fierit z. Malaj: Gjoba për 52 subjekte

647
Sigal

Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të Fierit ka konfiskuar mallin e 52 subjekteve tregtare, nga të cilat 29 janë subjekte që kryejnë shërbime të transportit, të cilët kanë ofruar në treg mallra pa akcizë dhe të papajisur me pullën e akcizës dhe kodin e sigurisë. Këtë e ka deklaruar ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” Drejtori i Administratës Tatimore ne Drejtorinë Rajonale të Fierit, z. Albert Malaj. Personat që i zotërojnë mallrat janë dënuar me gjoba, të cilat kapin dyfishin e vlerës së tregut të mallrave me akcizë si pije alkoolike, kafe, ku përfshihen dhe barna mjekësore, pije freskuese energjike etj.. “Lufta pa kompromis ndaj shkelësve të ligjit, duke filluar nga prodhuesit, tregtuesit dhe transportuesit ka shërbyer për të siguruar mbledhjen e detyrimeve tatimore, ku për periudhën janar- maj të vitit 2014 plani i të ardhurave ka kapur vlerën e rreth 2 miliardë e 410 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-s, ku vlera ka qenë përafërsisht 2 miliardë e 148 milion lekë, si edhe i ka shërbyer zbatimit të rregullave dhe procedurave për miradministrim të detyrimeve tatimore, si edhe respektimit të parimit për unifikimin, vendosjen dhe zbatimin e standardeve bashkëkohore për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe të drejtë, barazi në trajtim dhe transparencë”, ka pohuar kreu i tatimorëve në Fier z. Malaj. Konfiskime nga sektori i verifikimit në terren janë kryer edhe ndaj aktiviteteve të lojërave të fatit, ku 20 subjekteve, që u janë shmangur pagesës së tatimeve në kohë dhe detyrimeve tatimore, u janë sekuestruar kompjuterët dhe makineritë e lojërave të fatit. Ky fakt, i cili ka qenë i dhimbshëm edhe për tre subjekte lojërash fati; 2 në Lushnje dhe 1 në Fier, të cilat kryenin veprimtari biznesi të paregjistruar. “Të luftosh aktivitetet e paligjshme, të ndëshkosh evazionin fiskal dhe të formalizosh biznesin informal i shërben dhe rritjes së ekuilibrave ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve për tatimpaguesit dhe administratën tatimore, si dhe nxit vetëdeklarimin dhe pagesën vullnetare të detyrimeve nga tatimpaguesit, ku një rol të domosdoshëm zë edukimi nëpërmjet kontrolleve të paanshme e të bazuara edhe në analizën e riskut”, është shprehur Kryetatimori i Fierit.

 Besnik Sulejmani