Kreditë për individë, sa ju kushton huaja për shtëpi

648
Sigal

Huatë për blerjen e banesave janë më të lirat nga të gjitha kreditë e tjera që jepen për individët, sipas statistikave të BSH në muajin shtator, interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë ishte 3.7%

Nëse doni të blini një shtëpi, duke e financuar një pjesë të saj përmes kredisë, ky është momenti më i mirë. Normat e interesit janë në minimumin e tyre, por edhe bankat janë të prira të japin hua për familjarët, pasi kreditë për shtëpi përgjithësisht rezultojnë që kanë kthime të kënaqshme dhe janë më pak problematike se të tjerat. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në muajin shtator, interesi mesatar i kredive për shtëpi në lekë që jepen për individët ishte 3.7%.
Huatë për blerjen e banesave janë më të lirat nga të gjitha kreditë e tjera që jepen për individët. Për overdraft, interesi mesatar ishte 12.18% në shtator, për mallra të qëndrueshëm dhe qëllime të tjera luhatet midis 8 dhe 8.5%. Përgjithësisht bankat financojnë 70% të vlerës së apartamentit përmes kredisë dhe pjesën tjetër duhet ta sigurojë vetë individi. P.sh., nëse doni të blini një shtëpi që kushton 10 milionë lekë (rreth 78 mijë euro), bankat jep hua deri në 7 milionë lekë. Sipas kalkulatorit të kredisë, me një interes prej 3.7%, dhe afat 15 vjet, shuma mujore që duhet paguar është 50,732 lekë dhe në fund paguhen gjithsej rreth 9.1 milionë lekë. Nëse merret huaja me afat më të gjatë, për 20 vjet, shuma mujore është 41,320 lekë dhe në fund paguhet 9.9 milionë lekë.
Nëse merrni një hua në ekuivalentin në euro, 54 mijë euro (me kursim mesatar 1 euro = 127 lekë), për afatin 15-vjeçar, kësti mesatar mujor është 372 euro dhe pas 15 vitesh do t’i keni kthyer gjithsej bankës, përfshirë interesa rreth 67 mijë euro. Për afatin 20 vjet, kësti mujor është 299 euro dhe shuma e paguar në fund 71.7 mijë euro. Për momentin, teksa kredia në euro është më e lirë, kurseni në muaj rreth 3500 lekë, nëse merrni 54 mijë euro hua me afat 15-vjeçar, përkundrejt 7 milionë lekë. Por, ekspozimi ndaj kursit të këmbimit mbetet shumë i lartë. P.sh., nëse euro kërcen në 140 lekë, sa ishte në periudhën 2009-2016, atëherë kësti mujor në euro, nëse konvertohet në lekë, kërcen në 52,000 lekë, ose 2,000 lekë më shumë nëse do ta kishit marrë në lekë. Me diferencën minimale mes interesave të kredisë për shtëpi në lekë dhe në euro, ekspertët financiarë pohojnë se nuk ia vlen të rrezikosh, duke marrë hua në monedhën e përbashkët. Edhe vetë bankat i orientojnë klientët të marrin hua në monedhën që kanë të ardhurat. Sipas “Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë”, të publikuar nga Banka e Shqipërisë , standardet e kreditimit për individët vijuan të raportohen të lehtësuara edhe në tremujorin e tretë të vitit. Ky lehtësim u manifestua në të dyja kategoritë, si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore. Bankat u shprehën për një lehtësim të mëtejshëm të pritur të standardeve të kreditimit për individët, për të dyja kategoritë, në tremujorin e fundit të vitit. Faktorët që diktuan standarde të lehtësuara për individët në tremujorin e tretë ishin: toleranca më e lartë e bankave ndaj rrezikut; perceptimi më i ulët i rrezikut lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit; si dhe kosto më të ulëta nga pozicioni i kapitalit të bankave. Kushtet dhe termat e përgjithshme për kreditë akorduar individëve u lehtësuan në tremujorin e tretë. Përmirësimi i kushteve dhe termave të përgjithshme në kreditë dhënë individëve u mundësua nëpërmjet një kërkese më të ulët për kolateral në raport me kredinë e marrë. Në kahun e kundërt me këtë faktor ndikuan marzhet më të larta të aplikuara mbi kreditë me rrezik, si dhe madhësia e kredisë/monitor