Konfindustria: Qeveria të bëjë publike variantet rezervë për sigurimin e energjisë!

749
Sigal

Konfindustria i kërkon Qeverisë së Shqipërisë të përgatiti dhe të bëjë publike të gjithë variantet rezervë për garantimin e furnizimit të energjisë elektrike të biznesit dhe qytetarëve, pavarësisht ecurisë së marrëdhënieve dhe problematikës me shoqërinë CEZ Shpërndarje sh.a, zotëruesin e sotëm monopolist të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në vend.  Konfindustria paraqet kërkesën e mësipërme drejtuar ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike në përgjithësi mbështetur në shqetësimin në rritje të industrive të rëndësishme  vendore lidhur me garantimin e furnizimit të energjisë elektrike në kushtet e dështimit të menaxhimit dhe të performancës së dobët të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a. Gjendja paraqitet veçanërisht shqetësuese pas vendimit të fundit të ERE/Entit Rregullator të Energjisë për paralajmërimin e heqjes së licencës  për CEZ Shpërndarje sh.a. Gjithashtu, tentativa e pandodhur me parë e CEZ Shpërndarje sh.a për prerjen e energjisë elektrike për ujësjellësit ishte kërcënim i pastër për biznesin dhe para së gjithash për industritë prodhuese vendore të vendit. Konfindustria vlerëson, se në kushtet e vazhdimit të krizës globale, që tashmë ka prekur ndjeshëm edhe ekonominë shqiptare, do të ishte me pasoja mjaft të rënda dhe të pallogaritshme për zhvillimin afatgjatë të vendit, nëse industritë vendore, biznesi dhe qytetarët do të përballeshin edhe me problematikën e furnizimit me energji elektrike.