METE sekuestron bizneset për llogari të korporatës politiko-tregtare, LSI

801
Sigal

Shoqëria tregtare “Heidorn & Binjaku”sh.p.k denoncon dhunimin e biznesit për arsye korruptive

Përmes kësaj deklarate, shoqëria Tregtare “Heidorn & Binjaku”sh.p.k, kërkon  të denoncojë publikisht veprimet arbitrare që bëhen në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të cilat shkojnë deri në veprime që janë hapur grabitje e bizneseve që nuk i përkasin apo nuk pranojnë të bëhen pjesë e klanit politiko-ekonomik të LSI-së, shkruhej dje në gazetën elektronike “IDEA”. Shoqëria jonë është bërë viktimë e një vendimi arbitrar, hapur i kundraligjshëm dhe kryekëput për qëllime korruptive. “Heidorn & Binjaku”sh.p.k, e themeluar ne 16.10.2007  e ushtron aktivitetin në nxjerrje, përpunim dhe tregtim mineralesh.  Me datë 12.11.2010 shoqëria jonë është pajisur me leje minerare  me objekt: Shfrytëzim i shllameve të hekurit (mbetje të ish-Kombinatit Metalurgjik), Paper, Elbasan. Kohëzgjatja e kësaj leje është me një afat 20 -vjeçar.  Sipas planit të investimit të miratuar dhe nga METE, firma ka filluar investimin sipas afateve kohore të përcaktuara në ligj. Paralelisht me investimin ne kemi realizuar dhe tejkaluar dhe planin vjetor të prodhimit në masën 120%, dhe ky i miratuar nga METE. Këto shifra janë të pohuara dhe nga një grup kontrolli i kësaj ministrie. Kjo kompani ka qenë një ndër kompanitë lider në tregun ndërkombëtar, ku në bashkëpunim me kompaninë gjermane “Aria International GmbH” kanë bërë atraktive për tregun kinez këtë lloj minerali. Gjithashtu, kjo kompani ka realizuar operacionin më të suksesshëm që është bërë në portin e Durrësit me anije 55 mijë tonësh. Me gjithë këto rezultate,  në 29 Maj 2012, nga ministri i kohës, Nasip Naço, njoftohemi mbi fillimin e procedurave te revokimit te lejes minerare. Pasi nuk u konstatua asnjë shkelje ligjore, ne u njoftohemi se procedura e revokimit të lejes u ndërpre. Por vetë 45 ditë më pas, me ndërrimin e ministrave dhe ardhjen në këtë detyrë të z.Edmond Haxhinasto, nisi sërish gjuetia e shtrigave ndaj biznesit tonë. Ne u njoftuam sërish për fillimin e procedurave të revokimit të lejes dhe ministria krijoi një grup pune për verifikimin e kësaj leje, për të cilin është mbajtur dhe një procesverbal i datës 02.08.2012, ku nuk kanë vërejtur asnjë shkelje. Duke vendosur vetëm një pretendim, për gjoja ndotje mjedisi, pa përcaktuar as llojin dhe as sasinë e dëmit të shkaktuar. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë ne duhej të ishin penalizuar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit në Elbasan, gjë që nuk ka ndodhur me gjithë verifikimet e kësaj agjencie. Sërish, edhe sikur të kishte ndodhur kjo, ne duhej të paralajmëroheshim për ta përmirësuar situatën, pasi ishim në kompania që kishte marrë lejen e shfrytëzimit dhe kishim investuar mbi 2 milion dollarë për ndërtimin e infrastrukturës për shfrytëzimin e këtyre mbetjeve. Por ndodhi ajo që kjo ministri kishte vendosur që më parë. Më datën 17.08.2012, METE, në mënyrë arbitrare bllokon shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit, në një kohë kur ne e kishim ende aktive lejen minerare. Megjithë përpjekjet tona për të negociuar me autoritetet për zhbllokimin e situatës, me shkresat Nr. 62 datë 23.08.2012, Nr.63 dhe 64 date 27.08.2012, Nr.65 date 03.09.2012, me date 19.09.2012 njoftohemi në mënyre arbitrare dhe mafioze për revokimin e lejes. Firma “Heidorn & Binjaku” në momentin e pajisjes me leje minerare brenda rregullave, në mirëbesim me METE ka bërë një kontrate për të gjithë sasinë e mineralit që ndodhet brenda koordinatave të kësaj leje minerare. Gjithashtu ka investuar rreth 2 milionë dollarë për ngritjen e infrastrukturës për shfrytëzimin e shllamit, sipas lejes. Por me revokimin e kësaj leje i gjithë investimi ne na shkon dëm. Gjithashtu dhe kontrata e realizuar me kompaninë gjermane  bie poshtë, ku ne si kompani rrezikohemi nga një padi e bërë nga kompania blerëse në gjykatën e arbitrazhit, Francë, siç është parashikuar dhe në kontratë ku dëmi do të jetë i pallogaritshëm, kosto e cila do të rëndojë tek taksa paguesit shqiptarë. Paralelisht ne zgjodhëm rrugën ligjore dhe iu drejtuam gjykatës dhe çështja është në proces. Në datën 17.09.2012 ne iu drejtuam Kryeministrit te vendit z. Sali Berisha, i cili ka urdhëruar krijimin e një grup i antikorrupsioni, i cili po bën një hetim administrativ. Pavarësisht hapjes së një procesi gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, hetimit administrativ të antikorrupsionit, METE, me një nxitim të madh ka vazhduar procedurat për ta nxjerrë në ankand në mënyrë të kundraligjshme, duke ftuar që të marrin pjesë disa firma që janë afër partisë LSI, që drejton edhe këtë ministri. Duam të sqarojmë se në marrëdhëniet më këtë institucion qeveritar kemi hasur në një arrogantë të hapur dhe prepotencë nga ana e drejtuesve. Ne jemi tërësisht të bindur se kjo është një grabitje e hapur e biznesit, për arsye klinteliste të kësaj partie. Pasi ne kemi investuar në ndërtimin e infrastrukturës, kjo ministri ndërhyn dhe kërkon t’ia japë biznesin një tjetër kompanie, që është pranë LSI-së. Përmes kësaj deklarate kërkojmë të japin alarmin e shkeljes së hapur të ligjit dhe shpërdorimit të pushtetit nga klane politike që kanë vënë në kontroll sektorë të caktuar të ekonomisë kombëtare. Edhe pse kryeministri është informuar dhe është në dijeni të rezultateve të kontrollit që janë në favorin tonë, ai nuk ndërhyn pasi është peng i bashkëqeverisjes me Ilir Metën, duke i lënë atij dorë të lirë të sekuestrojë bizneset për llogari të korporatës së tij politiko-tregtare, që quhet LSI. Në kushtet kur flitet për përmirësimin e klimës së biznesit, biznesi po vihet në darën e presionit, ose të bëhet klientelist dhe financues i partive, ose të falimentojë apo të mbyllë aktivitetin e të marrë arratinë. Ne kërkojmë ndërhyrjen e kryeministrit Berisha për këtë çështje, por u bëjmë thirrje edhe sipërmarrësve të tjerë që të denoncojnë presionet e partive politike për të derdhur në arkat e tyre para, për financimin e fushatës elektorale në mënyrë informale. Ne gjithashtu bëjmë të ditur se do ti drejtohemi gjykatës së arbitrazhit ndërkombëtar duke e kërkuar të drejtën tonë deri në fund, pavarësisht kostos që mund të ketë.