Koncesionet, 6.8 milionë euro dëmi ekonomik që i shkaktohet shtetit

772
Sigal

Raporti/ KLSH: 10 shoqëritë aksionere që penalizohen me 10 % të vlerës së investimit të munguar

Në përfundim të auditimit në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, KLSH bëri dje të ditur se, dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit në fushën e koncesioneve llogaritet në 6.8 milionë euro. Sipas raportit të KLSH-së, gjatë kontrollit u konstatua një nivel i ulët i realizimit të investimeve për shumë nga koncesionet e dhëna. Për këtë mosrealizim në afatet e parashikuara sipas kontratave koncesionare, janë llogaritur penalitete në masën 10 % të vlerës së investimit të munguar, të cilat duhet të arkëtohen nga 10 shoqëri koncesionare në shumën 578 milion lekë. Nga auditimi, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik prej 956 milionë lekë, ose afërsisht 6.8 milionë Euro, e konkretisht:

1. U konstatua një nivel i ulët i realizimit të investimeve për shumë nga koncesionet e dhëna. Për këtë mosrealizim në afatet e parashikuara sipas kontratave koncesionare, janë llogaritur penalitete në masën 10 % të vlerës së investimit të munguar, të cilat duhet të arkëtohen nga 10 shoqëri koncesionare në shumën 578 milionë lekë.

2. Nuk është përllogaritur, kontabilizuar dhe kërkuar nga Autoriteti Kontraktor detyrimi i dy shoqërive koncesionare në fushën e bakrit, gjithsej në shumën 253 milion lekë.

 3. Nga auditimi i monitorimit të kontratave për periudhën objekt auditimi, rezultoi mungesë e llogaritjes dhe e arkëtimit të penaliteteve në masën 0.005% të vlerës së investimit për çdo ditë vonesë, kjo në rastet e paraqitjes me vonesë të projekt zbatimit të kontratave koncesionare, për faj të koncesionarit, por që nga Autoriteti Kontraktor nuk janë marrë masa ndaj koncesionarëve për zbatimin e këtij kushti të kontratës dhe penalizimin e 13 shoqërive koncesionare, gjithsej në shumën 85 milionë lekë.

 4. Kompanitë koncesionare përkatëse nuk janë penalizuar për mosrealizim të prodhimit vjetor, sipas kushteve të kontratës. Nisur nga ky fakt, për mosrealizim të prodhimin vjetor, i parashikuar sipas kontratave koncesionare, janë llogaritur penalitete në shumën 39 milionë lekë, gjithmonë referuar vetëm kontratave të audituara.

Nga auditimi, KLSH ka konstatuar gjithashtu një sërë problemesh të mprehta të zbatimit të kontratave koncesionare, sidomos: 

a) Mungesa e regjistrit të koncesioneve, i cili nuk është hartuar nga Autoriteti Kontraktor, në kundërshtim me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar dhe VKM nr.27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, i ndryshuar, Kreu VIII, pika 7.

b) Ulja e prodhimit vjetor të energjisë elektrike nga ana e koncesionarit, me miratimin e projektzbatimit të ndryshuar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

c) Vonesa jo vetëm nga koncesionarët (për të cilat llogariten penalitete për Koncesionarin), por dhe nga Autoriteti Kontraktor e vetë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Një gjendje e tillë ka qenë shkak për fillimin me vonesë të punimeve në objektet koncesionare dhe në ndërtimin e hidrocentraleve, sipas afateve të parashikuara në kontrata.

d) Nga auditimi i dokumentacionit për monitorimin e zbatimit të kontratave koncesionare në ish-Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore janë vërejtur problematika dhe konflikte të shoqërive koncesionare kryesisht për kuotat e veprave energjetike. Grupi i Oponencës Teknike Shtetërore dhe Grupi i Identifikimi të Projekteve Propozimeve (GIPP) në METE, në disa raste, përpara realizimit të procedurave konkurruese, nuk kanë vlerësuar me korrektësi të gjitha detajet mbi analizën e rentabilitetit, fizibilitetit dhe të përshtatshmërisë teknike të projekteve të paraqitur, duke sjellë edhe konfliktet midis operatorëve ekonomikë.

e) Nga auditimi është konstatuar se kushtet e parashikuara në Kontratat Koncesionare, për kërkesa apo probleme të së njëjtës natyrë, janë të ndryshme, duke i vënë koncesionarët në pozita të pabarabarta edhe pse procedurat e përzgjedhjes mbështeten në të njëjtën bazë ligjore. Në hartimin e disa kontratave nuk janë pasqyruar mendimet e Avokatit të Shtetit, duke mos parashikuar afate të paraqitjes së projektzbatimit për miratim nga Autoriteti Kontraktor, mungesë të Pagesës Koncesionare, të penaliteteve për mosrespektimin e afateve, apo nivel i ndryshëm penaliteti për shkelje të njëjta të kushteve të kontratës. Këto mangësi të kontratave krijojnë mundësinë që koncesionarët të mos vihen para përgjegjësisë e të mos penalizohen në rastet e mosrespektimit të kushteve të projektimit, realizimit dhe përfundimit të koncesionit në parametrat e projektuar, duke i favorizuar ata, krahasuar me interesat e Shtetit, që mbeten të pa mbrojtura dhe, siç ka rezultuar, të rrezikuara nga papërgjegjshmëria e këtyre operatorëve ekonomikë.

g) Koncesionarёt nuk paraqesin informacion mbi realizimin e investimeve në vlerë, mungojnë situacionet për punimet e realizuara, faturat tatimore e doganore, nuk paraqiten bilancet e shoqërive koncesionare për aktivitetin vjetor, etj. Mungojnë procesverbalet e fillimit të punimeve, procesverbalet e mbikëqyrësit për punimet e kryera, etj. Mungesa e dokumentacionit ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera, duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga Autoriteti Kontraktor.

l) Nga auditimi i kryer në monitorimin e kontratave koncesionare janë konstatuar raste të transferimit të aksioneve deri në masën 100% (edhe menjëherë pas lidhjes së kontratës koncesionare), duke ruajtur vetëm emrin e shoqërisë koncesionare të krijuar mbas lidhjes së kontratës koncesionare me fituesin, dhe duke i lënë formalisht të drejtat e detyrimet kësaj të fundit, në cenim të plotësimit të marrëdhënieve kontraktuale dypalëshe. Raste të tilla kompromentojnë marrëveshjet koncesionare dhe marrëdhëniet me Shtetin, lidhur me përgjegjësitë e koncesionarit gjatë gjithë kohës së koncesionit.

ll) Nga auditimi i dokumentacionit rezulton se, për vitet 2011 dhe 2012, vetëm për një numër shumë të vogël të HEC-eve të futur në prodhim, është kryer testimi në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Prania e Autoritetit Kontraktor në testimin e veprave është e domosdoshme për të saktësuar respektimin e kushteve të kontratës, të cilat janë të pandryshueshme si, fuqia e instaluar dhe prodhimi vjetor i energjisë, pa lënë mënjanë kushtet e tjera që kanë të bëjnë me vlerën e investimit të realizuar, makineritë e pajisjet e vëna në punë, etj.

 Rekomandimet kryesore të dhëna nga KLSH, lidhur me koncesionet e hidrocentraleve:

 1. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me strukturat e saj të varësisë, të rishikojë strategjinë kombëtare, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje problemeve të shfrytëzimit të kapaciteteve ujore, përdorimit të tyre pa përkeqësuar jetën dhe aktivitetin e përditshëm të qytetarëve, si dhe në respekt të aspekteve mjedisore dhe marrëveshjeve rajonale të shfrytëzimit të ujërave. Strategjia të reflektojë edhe ndjekjen dhe monitorimin e këtyre koncensioneve, për të patur një panoramë të plotë të veprave energjetike të dhëna me koncesion dhe ecurinë e tyre.

2. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, të marrë masa të menjëhershme për krijimin dhe plotësimin e regjistrit të koncesioneve, si dhe të një database, ku të pasqyrohen të dhënat për të gjitha koncesionet e dhëna. Ky regjistër të jetë i disponueshëm për të gjithë të interesuarit.

3. Duke shfrytëzuar hapësirat e nenit 28 të Kontratës, që lejon ndryshime, shtesa dhe/ose zëvendësime, me marrëveshje me shkrim nga palët, Ministria e Energjisë dhe Industrisë të ngrejë një grup pune me specialistë të fushës ligjore e teknike, duke evidentuar problemet e natyrave të ndryshme në Kontratat e nënshkruara, dhe duke bërë rekomandimet konkrete për përmirësimet e mundshme ligjore, me qëllimin që koncesionarët në fushën e ndërtimit e shfrytëzimit të hidrocentraleve të vihen në pozita të barabarta, gjithmonë duke vepruar në mbrojtje të interesave të Shtetit.

 4. Ministria e Energjisë dhe Industrisë të punojë mbi bazë të kontratave tip (sipas niveleve të parametrave energjetikë) të hartuara në bashkëpunim me Avokatin e Shtetit, duke siguruar në këtë rast që të trajtohen të gjithë koncesionarët njësoj, por dhe të mbrohen interesat e Shtetit.

 5. Të realizojë ndërhyrjet e duhura në aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe të ndërmerren iniciativa për hartimin e një udhëzimi të veçantë lidhur me procedurën e transferimit dhe masën e aksioneve, për të cilën nuk duhet të kalojë 49% të tyre (pra koncesionari i përcaktuar fitues në garë të jetë zotërues i paketës kontrolluese), dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë subjekti, si dhe procedurën e vlerësimit të dokumenteve të paraqitura dhe kapaciteteve ekonomiko-financiare e tekniko-juridike.

6. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, në bashkëpunim të ngushtë me Avokaturën e Shtetit, të analizojë dhe të vendosë për vazhdimësinë e mëtejshme të kontratave koncesionave, që janë në kushtet e shkeljeve serioze të marrëveshjeve koncesionare, duke mos zbatuar detyrimet kontraktore, si dhe duke e bërë të pamundur realizimin e veprave energjetike në kohë, por duke patur parasysh që vendimi të mos ketë kosto për Shtetin dhe të synojë vënien në eficencë të këtyre projekteve.

7. Të përcaktojë kufij maksimalë për të gjitha rastet e ndryshimit në rritje të parametrave hidroenergjetik, si fuqinë e instaluar, prodhimin vjetor të energjisë elektrike, apo vlerën e investimit, si dhe të kërkojë pasqyrimin e ndryshimeve në Kontrata Shtesë të nënshkruara nga palët. Testimi i veprës të bëhet mbi bazën e treguesve të përmirësuar hidroenergjetikë..

8. Mbështetur në nenin 28 të Kontratës Koncesionare, të bëhen ndërhyrjet e nevojshme ne Kontrata, ku të cilësohet që, parashikimi i prodhimit vjetor të energjisë elektrike, të mos bjerë nën nivelin e shpallur fitues, në të kundërt të ketë sanksione për koncesionarin.

9. Të bëhen përmirësimet apo plotësimet e nevojshme në Rregulloren e miratuar të funksionimit të Oponences Teknike Shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku të reflektohen problematikat e konstatuara. Të përcaktohen afate konkrete për kthimin e përgjigjeve apo paraqitjen e dokumentacionit të munguar nga koncesionarët, në rastet kur kërkohen plotësime apo rregullime të Projektzbatimit, afate që do të garantonin një oponencë cilësore.

10. Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në mënyrë urgjente duhet të përgatisin një bazë rregullatorë që do të qartësojë mënyrën e organizimit, funksionimin, bashkëveprimin, dokumentacionin që duhet mbajtur në terren nga grupet e monitorimit të Kontratave Koncesionare.

11. Nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të kërkohet nga KESH sh.a., arkëtimi i shumës 48,045,049 lekë, si detyrimi për koncesionare për prodhimin e realizuar dhe të shitur KESH sh.a, për vitet 2011-2012, e cila nuk është derdhur në Buxhetin e Shtetit.

 Nuk është përllogaritur, kontabilizuar dhe kërkuar nga Autoriteti Kontraktor detyrimi i dy shoqërive koncesionare në fushën e bakrit, gjithsej në shumën 253 milion lekë.