Qytetarët shqiptarë, ndonëse paguhen më pak në Europë, me rreth 41% të mesatares europiane, sipas fuqisë blerëse, shumë grup mallra i blejnë deri në 50% shtrenjtë se në Europë në vitin 2024, sipas indeksit krahasues të Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Eurostat. Grupi i parë i produkteve parë janë pijet alkoolike, që kushtojnë gati 53% më shumë sesa mesatarja europiane (152.8%). Kjo do të thotë që për të njëjtat produkte që në Europë shpenzohen mesatarisht 100 euro, në Shqipëri do të duheshin 152.8 euro, ose gati 53 euro më shumë, e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse. Grupi i dytë janë ‘Pajisje audio-vizuale, fotografike dhe për përpunimin e informacionit. Këto produkte mesatarisht kushtojnë gati 50% më shumë sesa mesatarja europiane (149.5%). Nuk janë më lirë as pajisjet elektroshtëpiake që kushtojnë 45.8% më shumë se në pjesën më të madhe të Europës (145.8%), nga 130.8% një vit më parë. Një produkt mjaft jetik është grupi që përfshin qumështin, djathin dhe vezët. Mesatarisht këto kushtojnë 31.5% më shumë se mesatarja europiane, nga 19.5% në 2023-n, duke treguar për një shtrenjtim relativ të çmimeve. Deri në vitin 2013, ky grup kushtonte 10% më lirë se mesatarja europiane. Në 2020-n për herë të parë çmimet kaluan mesataren e BE-së (104.9%) për tu shtrenjtuar vazhdimisht në vitet e mëpasshme. Në total, Sipas të dhënave të Eurostat, niveli mesatar i çmimeve në vendin tonë ishte sa 62.9% e mesatares së BE-së, nga 58.2% që ishte ky nivel, më 2023 dhe 54.6 në vitin 2022.