Ja si u bënë “rrush e kumbulla” paratë e studentëve. Universitetet shqiptare shpenzuan 2 miliardë lekë për roje, makina, karburant, udhëtime dhe pajisje zyrash

650
Sigal

Miliarda lekë për tenderët e sigurisë, makina e pajisje zyre – Ja si shpenzohen paratë e studentëve

Universitetet shqiptare shpenzuan 1.6 milionë euro për rojet e godinave dhe 0 lekë për studime e libra

Mijëra studentë shqiptarë dolën në sheshe duke zhvilluar protesta masive për muaj të tërë në kërkim të kushteve më të mira shkollimi dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë. Megjithatë, drejtuesit e universiteteve publike duket se nuk i kanë ndalur abuzimet dhe keqpërdorimin e fondeve që paguhen nga xhepat e studentëve. “Qëndresa Qytetare” ka bërë publike monitorimet e bëra në universitetet e vendit nga 1 shtatori 2018 deri më 15 shkurt të këtij viti. Në tërësi sipas raportit, në rreth 6 muaj, pesë universitetet më të mëdha publike në vend kanë shpenzuar 12.2 milionë euro, para me burim kryesor tarifat dhe taksat që këto institucione të arsimit të lartë i mbledhin nga studentët e tyre. Sipas shifrave të publikuara zërin kryesor e zë kategoria “shpenzime personeli”, që janë pagat për pedagogët dhe gjithë stafin tjetër të universiteteve, me përjashtim të Universitetit të Tiranës, ku shpenzimet për personelin nuk janë deklaruar. Nën monitorim më të imtësishëm kanë qenë Universiteti i Tiranës, Politekniku, Universiteti i Korçës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës. Nga vëzhgimi është dalë në përfundimin se, në këtë periudhë kohore, pesë nga shtatë universitetet publike nuk kanë hedhur asnjë cent për studime dhe kërkime shkencore. Vetëm 0.9 për qind e shumës totale ka shkuar për këtë qëllim, në një institucion që në vetvete duhet të përqendrohet tek studimi.

1.6 milionë euro për sigurinë e godinave

Por, më shumë se tek studimi, universitetet janë përqendruar tek siguria. 1.6 milionë euro, ose rreth 8 për qind e shpenzimeve totale të kësaj periudhe kanë shkuar në zërin për sigurinë e godinës. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 177 mijë e 700 euro për të ruajtur godinat e tij në këtë hark kohor, ndërkohë që më 7 mars ka nënshkruar një tjetër kontratë me vlerë 436 mijë e 500 euro për sigurinë për një vit. Studimi dhe kërkimi shkencor është 0 lekë për UT. “Dorëlëshuar” në tenderët për sigurinë janë treguar të gjitha universitetet, që kanë vendosur fonde të majme për këtë shërbim që ofrohet nga kompanitë e ruajtjes dhe sigurisë fizike private. I vetmi reflektim ka mbërritur nga Universiteti i Tiranës, që më 31 dhjetor 2018 ka hapur dy tenderë me vlerë totale rreth 44 milionë lekë për blerje pajisjeje laboratorike për Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Megjithatë, kjo shumë nuk zbeh shifrat e çuditshme që universitetet në vend kanë përdorur për shërbime të tjera.

Shpenzime të majme për makina, karburant e mobilie zyre

Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar 24 mijë euro për blerjen e një makine, ai i Korçës, Vlorës dhe Elbasanit kanë shpenzuar 46 mijë euro për karburante. Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ka shpenzuar plot 380 mijë euro në gjashtë muaj për pajisje dhe orendi zyre, ai i Tiranës 190 mijë po për këtë qëllim dhe 80 mijë ka shpenzuar Universiteti “Aleksandër Moisiu”. Në tre universitetet janë shpenzuar zero lekë për blerje librash.