Bashkitë, 2/3 e buxhetit e shpenzojnë për rrogat e personelit

478
Sigal

Bashkitë shpenzime masive për personelin, vetëm 1/3 shkon për investime

61 bashkitë në vend kanë shpenzuar mesatarisht rreth 30.541 lekë apo afro 250 euro për frymë gjatë vitit 2019, në përmbushje të funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligj.   Raporti i financave publike për vitin që lamë pas ve në dukje, se sipas burimit të financimit, shpenzimet me fondet e veta rezultojnë në rritje me 15,7 për qind në terma vjetorë, apo afro 20 mijë lekë për frymë, ndërsa pjesa tjetër mbulohet me fondet e kushtëzuara, të cilat paraqiten më rënie 12.6 për qind në terma vjetore.

Në total, nga vendorët u shpenzuan rreth 85.4 miliardë lekë në fund të 2019, me një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm. Ajo që vihet re është se edhe gjatë vitit 2019 ka vijuar tendenca e rritjes së shpenzimeve korrente për personelin apo operative, të cilat mbajnë peshën kryesore. Kështu, shpenzimet korrente regjistrohen në 70.9 për qind të totalit dhe ato për investime në 29.1 për qind.

E përkthyer në vlerë monetare, për shpenzime korrente totale  shkuan 60.6 miliardë lekë në rritje me 3.1 për qind në terma vjetorë, ku vetëm personeli mori 22,4 miliardë lekë, ndërsa pjesën tjetër e përbëjnë transfertat në buxhetet familjare, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë, etj.  Ndërsa nga ana tjetër,  për investime shkuan 24.8 miliardë lekë, ku edhe pse në rritje me 6.4 për qind në terma vjetorë, sërish zenë një peshë të vogël në paratë e shpenzuara.