Ja si “rripen” studentët, paguajnë dyfish më shumë se në Kosovë

195

Qyteti Studenti në krahasim me rezidencën studentore në Prishtinë ofron shërbimin e akomodimit  të studentëve me dyfishin e çmimit dhe me më pak shërbime se Qendra e Studentëve Prishtinë, e cila mbi të gjitha, ofron edhe një mencë publike për studentët.

Nisur nga vëmendja publike ndaj kushteve dhe gjendjes së godinave në konviktet e Qytetit Studenti, me qëllim realizimin e transparencës së munguar të investimeve,  “Qëndresa Qytetare” realizoi një monitorim mbi transparencën dhe menaxhimin financiar në këtë rezidencë, gjatë periudhës 1 Janar – 31 Dhjetor 2019.

Nga gjetjet e këtij monitorimi, rezulton se RSU Nr.1, rezulton si një nga Autoritetet Publike me nivel shumë të ulët transparence. Kontratat e akomodimit që lidhin studentët me Qytetin Studenti kanë probleme ligjore dhe të formulimit. Ato shfaqen në disa variante me çmime të ndryshme në varësi të kushteve të godinave duke diskriminuar studentët bazuar në mundësitë e tyre financiare.

Megjithëse shërbimet e mencës dhe ngrohjes janë të parashikuara në statutin e kësaj rezidence, Qyteti Studenti, nuk i ofron këto shërbime, ndërkohë, 50.8% e studentëve i konsiderojnë çmimet në mensat private si të papërballueshme.

Në sitën e “Qëndresës Qytetare” kaloi edhe buxheti i Qytetit Studenti për vitin 2019. Të ardhurat e RSU NR. 1, për vitin 2019,  ishin  8.9 milionë euro, ndërsa blerjet dhe investimet nëpërmjet prokurimeve publike  2.3 milionë euro. Por nga anketimi i realizuar me studentët që banojnë në QS, 57.5% e tyre shprehen se investimet kanë qenë ndërhyrje vetëm në fasadë, 25.4% mendojnë se investimet nuk kanë sjellë përmirësime infrastrukturore dhe vetëm 16.6% e tyre shprehen se ato kanë përmirësuar disi kushtet brenda godinave.

Qyteti Studenti në krahasim me rezidencën studentore në Prishtinë ofron shërbimin e akomodimit  të studentëve me dyfishin e çmimit dhe me më pak shërbime se Qendra e Studentëve Prishtinë, e cila mbi të gjitha, ofron edhe një mencë publike për studentët.

Sa i përket kushteve në konvikte,  97.5%  e studentëve shprehen se ngrohjen e sigurojnë vetë pasi sistemi i ngrohjes nuk është funksional, ndërsa  për 70.5%  e tyre higjiena dhe kushtet në tualete janë të këqia ose shumë të këqia.

Ne i Rekomandojmë:

Këshillit Bashkiak Tiranë të miratojë buxhetin në dispozicion të ofrimit të mensës për studentët në Qytetin Studenti me çmime preferenciale dhe kupona ditore (sipas modelit të Qendrës Studentore Prishtinë për vitin akademik 2020 – 2021)

Bashkisë Tiranë: – të zbardhë menjëherë, projektin real dhe kontratën për ndërtimin e Kampusit të Ri  Universitar, të realizojë konsultim  me studentët dhe të përfshijë ata në Komisionin përzgjedhës të ofertave të kompanive që do e ndërtojnë atë.

Drejtorisë së Qytetit Studenti:  -të rishikojë kontratat e akomodimit në aspektin ligjor, në raportin tarifë – shërbim – të drejta duke mos lejuar diskriminimin dhe përjashtimin, bazuar në mundësitë financiare.

Qytetit Studenti dhe te gjitha rezidencat e tjera universitare: – kanë rëndësi thelbësore për mirëarsimimin e studentëve dhe të ardhmen e vendit,  mungesa e vëmendjes ndaj tyre është e patolerueshme. Së bashku me studentët kemi përgjegjësinë t’i shndërrojme në vende me standarte dinjitoze