Dritëhijet e investimeve të reklamuara si sukses

702
Sigal

Puna dhe mënyra se si dita ditës Kontrolli i Lartë i Shtetit auditon dhe dokumenton punën e vet audituese cilësia e të cilës është rritur ndjeshëm me rritjen e profesionalizmit të vetë audituesve dhe kërkesave gjithnjë në rritje të menaxhimit, me qëllim rritjen e cilësisë së auditimit dhe performancës së Institucionit Suprem të financave publike

Jonild HOXHAJ

Kryeauditues

Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja

Kontrolli  i Lartë i Shtetit, një ndër institucionet promotor  në drejtim të nxitjes së llogaridhënies, promovimit  të transparencës, dhe mirëpërdorimit të parasë dhe pronës publike, është gjithnjë e më tepër duke dhënë shembullin e vet institucional,  për sa i përket këtyre parimeve. Ajo që duhet të jetë një qëllim i përbashkët i gjithë administratës publike, me sa duket  është kthyer në një betejë mes KLSH-së,  nga njëra anë që dokumenton dita -ditës faktet dhe evidenca konkrete të shkeljeve dhe abuzimeve, dhe një ekzekutivi nga ana tjetër, që i promovon papushim këto investime si suksesin e rradhës. Për shkak të vlerave të konsiderueshme dhe impaktit që kanë, investimet publike  kanë qenë gjithnjë në fokus të optikës së KLSH-së, pasi eksperienca audituese ka treguar qartë që procedurat e prokurimit në lidhje me to, dhe zbatimi i kontratave,  kanë tendencë të jenë objekt shpërdorimi. Edhe pse janë bërë të qarta herë pas here në botimet e audituesve të KLSH-së, nëpërmjet shkrimeve në mediet online dhe atë të shkruar, nuk është e tepërt të thuhet përsëri, se në vijimësi vazhdojnë të konstatohen fakte konkrete të deformimit të procedurave të prokurimit nëpërmjet vendosjes së kritereve, të cilat paracaktojnë fituesin, s’kualifikimit të padrejtë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, nëpërmjet mbajtjes  së qëndrimeve të ndryshme për të njëjtat mangësi, etj. Nisur nga situata të tilla, kur përcaktohet në mënyrë kaq flagrante fituesi i kontratës,  ajo që vihet në dyshim ,është ajo çka i kushton edhe më shumë publikut, produkti final. Në një mjedis të tillë, ku bashkëpunimi midis aktorëve që shoqërojnë një investim nga fillimi, (procedura e garës publike), e deri në fund, (marrja në dorëzim e produktit final punë publike, mallra, shërbime),  natyrshëm lind pyetja se: “A u arritën objektivat e investimit?” Një ndër rastet e konstatuara së fundmi në lidhje me investimet, problemet e të cilave nisin shpesh që në fazën e procedurës së prokurimit, është ai i subjektit  “Rezidenca  Studentore Universitare nr. 1”, Tiranë, në lidhje me investimin me objekt  “Rikonstruksion i godinave 11 – 12”

Nga auditimi rezultoi se sipas Urdhërit nr. 4 datë 123 prot. Datë 29.05.2019, është iniciuar procedura e prokurimit e llojit-  “E hapur” nga Titullari i Autoriteti  Kontraktor  Rezidenca Studentore  Universitare nr. 1 Tiranë, SHA, e cila ka përcaktuar një fond limit në shumën 247,470,811 lekë pa TVSh, me fonde nga Buxheti i Shtetit, sipas VKM nr. 124 datë 13.03.2019.  Në këtë procedurë u konstatua, se janë propozuar nga punonjësit dhe miratuar nga “Titullari”, të paktën 6 kritere, të cilat nuk janë të argumentuara teknikisht dhe ligjërisht dhe që nuk lidhen domosdoshmërish  me nevojat e investimit në fjalë. Vendosja e kritereve të tilla, jo vetëm që rezultoi e kryer për një operator ekonomik të paracaktuar,  por nga ana tjetër nuk ka sjellë gjë tjetër, veçse ulje të eficiencës, efikasitetit, mirëpërdorimit të fondeve publike,  ulje të konkurrencës, diskriminim, si dhe krijimin e konfuzionit mes operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedurat e prokurimit. Konkretisht,  rezultoi se janë s’kualifikuar 13, nga 14 operatorë ekonomikë pjesëmarrës në tender, duke fituar operatori i cili ndodhej i renditur i njëmbëdhjeti. Në lidhje me vlerësimin e bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionet e Shqyrtimit  të Ankesave rezultuan disa shkelje, ndër të cilat si më kryesoret mund të theksohen:

Kualifikim i operatorëve me mangësi në dokumentacion;

Konkretisht, rezultoi se nga KVO-ja  është kualifikuar, dhe më pas shpallur fitues, bashkimi i operatorëve ekonomikë, (BOE) dhe pse nuk plotësonte  të  paktën 5 kritere të veçanta të kualifikimit dhe/apo kanë paraqitur të dhëna të rreme me qëllim kualifikimi.

Qëndrim me dy standarde në lidhje me vlerësimin e ofertave.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion rezultoi se nga ana e Komisionit të Vlerësimit  të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, si dhe vetë Titullarit  të Autoriteti Kontraktor, janë mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj ofertuesve të s’kualifikuar dhe atij të kualifikuar dhe shpallur fitues për mangësi identikisht të njëjta në të paktën 3 raste. Në këto kushte, KVO-ja, KSHA-ja dhe Titullari i Autoritetit Kontraktor, kanë hartuar dhe miratuar procedura të cilat përbëjnë qëndrime të ndryshme për të njëjtat mangësi, në të paktën këto 3 raste, ku diferenca midis këtyre operatorëve ose bashkime operatorësh ekonomikë të skualifikuar dhe atij të kualifikuar, është në shumën 40,906,364 lekë pa TVSh. Grupi i auditimit duke i qëndruar korrekt periudhës objekt auditimi 01.01.2017 deri më 31.08.2019, auditoi të gjithë dokumentacionin brenda këtij afati nga ku rezultoi se deri në datën 12.09.2019,  datë në të cilën u mbajt njëAkt verifikimi, me nr. 1 datë 12.09.2019, i administruar në RSU nr. 1 me nr. 270 prot., nuk rezultonte të ishte lidhur ndonjë kontratë për zbatim punimesh, ose për shërbimin e mbikëqyrjes së punimeve, të cilat tashmë kishin nisur në godinat nr. 11 dhe nr. 12, pa prezencën e një mbikëqyrësi të licencuar. Fakt ishte se deri në atë moment, bashkimi i operatorëve ekonomikë të kualifikuar nuk kishte dorëzuar të gjithë dokumentacionin  pas shpalljes fitues, pasi ndodhej brenda  afatit 1 mujor dhe tenderi i shërbimit  të mbikëqyrjes, ishte ende në proces pa u lidhur akoma kontrata përkatëse. Pra, e thënë ndryshe, si kontrata e zbatimit me bashkimin e operatorëve të shpallur fitues, si ajo e shërbimit të mbikëqyrjes, janë lidhur pas nisjes së punimeve dhe për sa më sipër, është mbajtur Aktverifikimi nr. 1 datë 12.09.2019 i administruar në Rezidencën Studentore Universitare, me nr. 270 prot., datë 12.09.2019. Pavarësisht sa më sipër, si dhe dokumentimit me fakte konkrete të gjetjeve të rezultuara nga auditimi në lidhje me këtë praktikë, në vijim u konstatuan shkelje të tjera të cilat trajtohen hollësisht si më poshtë. Konkretisht po rendisim disa dokumente të cilat janë lehtësisht të aksesueshme në APP-ë si më poshtë:

Sipas Buletinit nr. 36, datë 09.09.2019, është bërë njoftimi i shpalljes së fituesit të procedurës së prokurimit.Sipas këtij dokumenti, në faqen 132 të tij, është përcaktuar midis të tjerave:

Fondi limit në shumën 247 470 811 lekë pa TVSh, afati 5 muaj, pjesëmarrja e 14 OE dhe s’kualifikimet e 13 OE si dhe oferta e fituesit në shumën 232 570 443 lekë pa TVSh. Sipas Buletinit nr. 41 datë 14.10.2019, faqe 108 e këtij materiali, është bërë shpallja e formularit të njoftimit të fituesit të procedurës  së mbikëqyrjes; Sipas Buletinit nr. 42 datë 21.10.2019 është bërë shpallja e lidhjes së kontratës së shërbimit të mbikëqyrjes me Autoritetin Kontraktor RSU nr. 1, Tiranë SHA.

Sipas këtij buletini, në faqen 210 të tij, është përmendur fakti se kontrata është lidhur me datë 10.10.2019 në një kohë që nga verifikimi në terren u konstatua se punimet ishin në proces dhe pikërisht ato procese pune të cilat ishin objekt prokurimi për shërbimin e mbikëqyrjes. Sipas Buletinit nr. 42 datë 21.10.2019 është bërë shpallja e lidhjes së kontratës së punimeve të zbatimit me bashkimit ekonomik të operatorëve dhe Autoritetit Kontraktor RSU nr. 1 Tiranë SHA.Sipas këtij buletini, në faqen 233 – 234 të tij, janë përmendur midis të tjerave: Fondi limit në shumën 247 470 811 lekë pa TVSh; vlera totale e kontratës 271,652,614 lekë me TVSh; kontrata është lidhur me datë 10.10.2019 me vlerën e mësipërme;  Në fakt nga verifikimi në terren i godinave rezultoi se punime të cilat ishin pjesë e preventivit objekt prokurimi për punimet e zbatimit dhe objekt mbikëqyrjeje për procedurën e shërbimit të mbikëqyrjes, ishin duke u kryer në objekt, pa një kontratë punimesh zbatimi, pa kontratë shërbimi mbikëqyrjeje, pa u mbikëqyrur nga subjekt i licencuar dhe pa dokumentacionin e nevojshëm për fillimin e punimeve. Nga verifikimi i dokumentacionit  të vënë në dispozicion dhe në Sistemin e Prokurimit Elektronik, (SPE) rezultoi se vlera e ofertës me të cilën është shpallur  fitues BOE, është e ndryshme nga vlera me të cilën është lidhur kontrata e zbatimit të punimeve. Ky ndryshim vjen pasi në ofertën e paraqitur nga BOE, (shiko buletinin nr. 36 datë 09.09.2019, fq. 132),  oferta ekonomike e BOE-së ka parashikuar një fond rezervë prej 5 % dhe jo 3 % siç parashikohet në preventivin e DST-së, (e cila është edhe gjetje e audituesve të KLSH-së, dhe si e tillë i është bërë e ditur gjatë fazës së auditimit në terren), duke mos ju përmbajtur kështu strukturës së parashikuar nga projektuesi/preventivuesi dhe duke përbërë kusht për s’kualifkim pasi nuk kemi të bëjmë gabim aritmetik, por me një strukturë tjetër kostoje të projekt – preventivit.  Duhet theksuar gjithashtu , se sipas Buletinit nr. 36 datë 09.09.2019,  është bërë njoftimi i shpalljes së fituesit të kontratës së zbatimit të punimeve me vlerën me të cilën ai ka ofertuar dhe nuk ka rezultuar asnjë korrespondencë zyrtare për konstatim gabimi apo pranim për modifikim oferte. Korrigjimi i kësaj vlere dhe ndryshimi dhe modifikimi i ofertës është bërë në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 9643 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, e si dhe VKM nr. 914 datë 29.12.2014,  “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit  Publik”,  i ndryshuar,  neni 66, kjo sepse ndryshimi i ofertës, (nëse do të ishte rasti),  kryhet në momentin e shqyrtimit të tyre dhe jo pasi është kualifikuar. Pra në rastin konkret, fituesi i procedurës së prokurimit është shpallur me preventiv të ofertuar, në kundërshtim me DST-në,  dhe korrigjimi i vlerës së preventivit është kryer në momentin e lidhjes së kontratës, kur në fakt, procedura duhet të ishte anuluar. Nga sa më sipër, rezulton se nga ana e punonjësve dhe Titullarit  të Shoqërisë Aksionare  Rezidenca Studentore Universitare nr. 1 Tiranë, janë vendosur kritere diskriminuese duke paracaktuar kështu fituesin, janë mbajtur qëndrime të ndryshme për mangësi të njëjta në të paktën 3 raste, është bërë korrigjimi dhe modifikimi i ofertës në kundërshtim të plotë me LPP dhe RrPP si dhe është lejuar fillimi i punimeve pa kontratë mbikëqyrjeje dhe punimesh për zëra të cilët kanë qenë objekt në proces prokurimi si për kontratën e mbikëqyrjes ashtu edhe në kontratën e zbatimit të punimeve. Sa më sipër,  nuk është gjë tjetër veçse puna dhe mënyra se si dita ditës Kontrolli i Lartë i Shtetit auditon dhe dokumenton  punën e vet audituese  cilësia e të cilës është rritur ndjeshëm me rritjen e profesionalizmit  të vetë audituesve dhe kërkesave gjithnjë në rritje të menaxhimit,  me qëllim rritjen e cilësisë së auditimit dhe performancës së Institucionit  Suprem të financave publike.