Ja çfarë fshihet  pas investimit 2 miliard euro në Portin e Durrësit

494
Sigal

 Koncesioni i Portit do të “gropos” financat, nënkontraktorët përgatisin paditë në arbitrtrazh, vlera e të cilave mund të kapi 370 mln. euro

 

Plani i ‘EMAAR’ dhe Transferimi i Portit të Durrësit, hapet tenderi për projektin e portit të Mallrave në Porto Romano

 

Në vend të portit actual, kompania ‘EMAAR’ nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të zhvillojë një port jahtesh, një kompleks me rezidenca luksoze, të ngjashme me “Dubai Marina”.

 

 

Nën petkun e investimit 2 miliardë euro në Portin e Durrësit nga kompania ‘EMAAR’ e Emirateve të Bashkuara Arabe, lëvizje të dyshimta janë bërë për të transferuar shërbimin e përpunimit të mallrave nga Porti i Durrësit te koncesionari i naftës në Porto Romano.

Në kulmin e karantinës, kompania ‘MBP’ përfitoi shtesë kontrate, përveç naftës edhe për mallrat  dhe investimet për kalatat që kanë nisur. Ekspertët e çështjeve detare lajmërojnë se Porto Romano nuk është shumë i përshtatshëm për t’u zhvilluar si port për mallrat, dhe se mungon logjistika. Qeveria rrezikon shumë arbitrazhe nga nënkontraktorët koncesionarë që ofrojnë shërbim për mallrat, në Portin e Durrësit.

Përshpejtohen lëvizjet

Autoriteti Portual Durrës (APD) po përshpejton procesin e transferimit të shërbimeve ndërkombëtare të përpunimit të mallrave nga Durrësi, në Porto Romano.

Së fundmi, APD hapi garën për marrë një shërbim konsulencë që do të shërbejë projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto- Romano, me një vlerë prej 1 miliardë lekë, pa TVSH. Afati  për përgatitjen e ofertave është deri më datë 9 korrik 2021 dhe konsulenti do të asistojë projektin për 8 muaj. Pak ditë më parë, qeveria miratoi zgjerimin e Portit të Porto Romanos me territore të reja.

Ky tender mbështet përpjekjet që qeveria shqiptare ka nisur qysh vitin e kaluar për të transferuar shërbimet e përpunimit të mallrave nga porti actual, në Porto Romano. Në vend të portit aktual kompania, ‘EMAAR’ nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të zhvillojë një port jahtesh, në të cilin do të qëndrojë edhe shërbimi aktual i Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe një kompleks me rezidenca luksoze, të ngjashme me “Dubai Marina”.

Kompania ‘EMAAR’ e Emirateve të Bashkuara Arabe, propozoi në nëntor të vitit të kaluar, një projekt me vlerë 2 miliardë dollarë. Por sfida më e madhe, që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare, lidhet me transferimin e përpunimit të mallrave nga Durrësi, në Porto Romano.

 

Ekspertët të fushës pohojnë se: Infrastruktura në Portin e Durrësit është ngritur ndër vite nëpërmjet studimeve dhe investimeve të shumta ndaj duhet kohë dhe studime. Transferimi me shpejtësi i shërbimit të Kargos në Porto Romano, rrezikon ta bëjë Shqipërinë jokonkurruese me rajonin

Zhvendosja në Porto Romano, problematike

Ekspertët të fushës pohojnë se zhvendosja e shërbimit të përpunimit të mallrave në Porto Romano do të jetë një sfidë. Aktualisht, gjiri i Porto Romanos lidhet me rrjetin kombëtar me rrugë automobilistike, e cila ende nuk ka përfunduar totalisht. Zona, e cila synohet të akomodojë portin më të madh në vend për mallrat, nuk ka linjë hekurudhore, si në Portin e Durrësit. Gjithashtu distanca me rrjetin kombëtar është më e largët dhe mungojnë disa elemente logjistike themelore.

Infrastruktura në Portin e Durrësit është ngritur ndër vite nëpërmjet studimeve dhe investimeve të shumta. Ndërsa në Porto Romano mungon. Inxhinierët e Portit të Durrësit pohojnë se transferimi nuk mund të bëhet me urdhra të momentit, porse duhen studime të detajuara dhe shumë investime, që kërkojnë kohë. Transferimi me shpejtësi i shërbimit të Kargos në Porto Romano, rrezikon ta bëjë Shqipërinë, jokonkurruese me rajonin. Kosova që tashmë është përdoruesi kryesor në rajon i Portit të Durrësit, me ndërtimin e Autostradës së re me Maqedoninë, arrin më shpejt në Portin e Selanikut.

Përpjekjet për të transferuar shërbimin e kargos nga Porti i Durrësit kanë dështuar më herët. Studimet që nga viti 2000 kanë vërtetuar se, zgjerimi i Portit të Durrësit për të përpunuar më shumë mallra në perspektivë është i pamundur për shkak të mungesës së hapësirave. Porti, brenda në qytet, është i rrethuar me ndërtime dhe për më tepër deti është shumë i cekët, që nuk siguron ankorimin e anijeve me tonazh të lartë.

 

Qeveria miratoi VKM-në

Më parë qeveria miratoi një vendim në mbledhjen e djeshme që i hap rrugë zbatimit të projektit të kompanisë ‘Emaar’ nga Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e një porti jahtesh dhe ndërtesa luksoze në portin e Durrësit, duke i dhënë territore të reja Portit të Porto- Romanos, që do të mundësojnë zhvendosjen e shërbimeve që sot kryhen nga Porti aktual i Durrësit, në Porto Romano.

 

Nënkontraktorët në Portin e Durrësit pezull, rrezikojmë gjoba nga arbitrazhi

Në Portin e Durrësit, i cili është një ndërmarrje me pronësi publike, operojnë shumë operatorë të tjerë që ofrojnë nëpërmjet kontratave koncesionare (PPP), shërbimet e transferimit të ngarkesave nga anijet, ofrojnë sigurinë, remontet, dhe shërbime të tjera portuale. Këto kompani janë private dhe kanë kontrata shumëvjeçare të tipit PPP (Partneritet-Publik-Privat) me Portin e Durrësit.

Një nga më të mëdhatë, është ajo me kompaninë gjermane, “Albanian Ferri Terminal” (AFTO), e cila ofron shërbimin e ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave në terminalin lindor të Portit nëpërmjet një kontrate PPP me afat 25- vjeçar. Kompania nisi ofrimin e shërbimit në vitin 2013. Një kontratë të ngjashme ka edhe operatori tjetër i madh i Portit të Durrësit, “Continier Terminal” (DCT). Kompania ofron shërbimet e Kargos në port, kundrejt një kontrate PPP me afat 35-vjeçar.

Autoritetet shqiptare kanë tentuar të bllokojnë aktivitetin e kompanisë dhe tani palët janë në Arbitrazh, ku “DCT” kërkon dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh. Çështja kundër Shqipërisë është regjistruar më 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ‘ICSID’, në Washington.

Në port ushtron aktivitetin edhe operatori tjetër “EMS APO”, me kapital gjerman, që realizon shërbime të ngjashme me një kontratë PPP me afat 35-vjeçar.

Gjithashtu, janë edhe dhjetëra operatorë privatë që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes së mjedisit, pastrimit dhe shërbimeve të tjera. Burimet në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se, shërbimi i përpunimit të mallrave nga Porti i Durrësit në Porto Romano, do të kalojë pa kontrata koncesionare.

Kjo sipas burimeve të Ministrisë është e logjikshme, pasi operatori që do të operojë në Porto Romano, për të nxjerrë fitimin e investimeve, do ta zgjidhë vetë mënyrën se si do të ofrojë shërbimet. Edhe nëse kontratat lidhen me koncesionarët aktualë të Durrësit, kushtet do të jenë të tjera. Mossqarimi i kësaj pike, rrezikon një lumë padish në arbitrazh për prishje të parakohshme të kontratave./ “Monitor”.

 

 

BOX TJT

Pse Porti i Durrësit është pikë strategjike?

Porti i Durrësit është porti më i madh në Shqipëri. Tani ai shihet si një prej mundësive strategjike të Ballkanit, sepse prej këtu, kalojnë ngarkesa. Porti i Durrësit është ndërtuar prej shekujsh, por dikur është shfrytëzuar pak ndër vite. Shpesh është konsideruar si lidhja e vetme me botën perëndimore që prej kohës së komunizmit kur mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha.

Tani shihen në mënyrë strategjike si një prej mundësive të Ballkanit, këtu zhvillohet trafiku detar dhe kalojnë ngarkesat nga e gjithë bota. Ideja e mini-shengenit mund të lejojë Shqipërinë të zhvillojë një port të fuqishëm për bizneset e rajonit. Është porti që përfaqëson 90% të volumeve tregtare që transportohen në rrugë detare.