Italia çel IADSA: Ministritë në garë për projekte në sektorët prioritarë

710
Sigal

TIRANE – Për të tretin vit radhazi në Shqipëri, Programi i Konvertimit të Borxhit (IADSA) do të financojë projektet e institucioneve publike shqiptare që kanë ndikim të madh në komunitet, veçanërisht në zonat rurale në sektorë të evidentuar si prioritarë për vendin. Ndryshe nga dy vitet e para ky program italo-shqiptar, do të financojë projekte të propozuara nga ministritë dhe jo bashkitë e komunat, një vendim ky që vjen në kushtet e ndarjes së re territoriale. Por ministri i Financave Shkëlqim Cani gjatë konferencës së Hapjes së Thirrjes së Tretë për Propozime, u kujdes të sqarojë se pushteti lokal nuk është i përjashtuar totalisht, pasi në bashkëpunim me ministritë mund të gjejnë veten në këto projekte. Në këtë linjë edhe kryediplomati italian në vendin tonë, ambasadori Massimo Gaiani tha se fokusimi i programit tek pushteti qendror nuk do të thotë se bashki të veçanta nuk mund të kontribuojnë për lidershipin.

Cani thirrje ministrive: Paraqisni projekte me buxhet realist!
Kreu i Financave tha se buxhetet që ministritë do të kërkojnë për realizimin e projekteve, duhet të jenë realistë, pasi ky element sipas tij, do të jetë parësor në përzgjedhjen e projekteve.


“U bëj thirrje ministrave që të përgatisin projekte konkrete dhe të aplikojnë për të fituar. Përdorimi efikas i fondeve dhe buxheteve do të jetë parësor në vlerësimin që do të bëhet. Jemi të hapur për bashkëpunim për pushtetin lokal, OJF-të, palë vendase apo të huaja, e rëndësishme është të paraqiten projekte racionalë me buxhete të kufirit maksimal të lejuar për një projekt. Është eksperiencë e dy thirrjeve të mëparshme, paraqitja e buxheteve duhet me fond realist. Ne jemi të sigurt që në të ardhmen të tjera thirrje do të ketë dhe do shohim mundësinë për t’i rritur fondet. Ministria e Financave do të vazhdojë të mbështesë fort këtë program. Ju uroj suksese, më eficentët do të jenë fitues dhe do të dinë t’i përdorin fondet në të mirë të komunitetit dhe të vendit”, u shpreh ministri i Financave.
 
Gaiani: IADSA këtë vit ndryshe, përfshihen sektorë të rinj
Ambasadori italian në vendin tonë Massimo Gaiani tha se këtë vit programit i janë shtuar edhe sektorë të rinj ku mund të kontribuohet, duke veçuar kulturën.
 
Për mua është një kënaqësi e madhe që lançoj këtë thirrje të tretë në tre vitet e mandatit tim këtu. Kam parë të lind ky projekt, kam marrë pjesë dhe kam kontribuar, jam i nderuar që jam në këtë sallë me shumë njerëz që tregojnë se janë të interesuar për këtë etapë të ardhshme të programit në Shqipëri. Prania juaj këtu është dëshmi e gjallë se ky program ka bërë të ketë interes, një program që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, në 2 vite e 3 muaj është bërë një punë e mirë. Janë lançuar 20 projekte dhe 5 prej tyre tashmë janë kompletuar. Do të ketë edhe bashkëpunime të tjera. Në dispozicion të institucioneve shqiptare vihet një instrument për objektivat që janë të prekshme për qytetarët. Ky program ka një impakt të drejtpërdrejtë edhe në administratën shqiptare, të cilët kanë të drejtën e projektimit dhe ekzekutimit të këtij projekti, kjo ndikon edhe në rritjen e kapaciteteve, u shpreh kryediplomati italian në vendin tonë.
 
Gaiani: Ja këshillat e mia drejtuar pjesëmarrësve në Program
Ambasadori italian iu drejtua konkurrentëve në këtë program edhe me disa këshilla:
“Mënyra më e mirë që të imponosh punën dhe t’i bësh të shfrytëzueshme këto projekte.
 
Zgjidhni që në fillim prioritetet mbi të cilat do të punoni. Ka edhe më shumë mundësi për të fituar projektin. Atje ku mund të kursesh mund të kursesh dhe kjo është një gjë e mirë”, tha Gaiani.
 
 Peleshi: Italia, partner strategjik. Konkurrimi nxit rritjen e standardeve
Zëvendskryeministri Niko Peleshi i pranishëm në këtë konferencë, vlerësoi rolin e konkurrimit për projektet që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në komunitet, duke thënë se vënia përballë konkursit nxit rritjen e standardeve.
 
“Është një program bashkëpunimi me një prej partnerëve tanë më të veçantë dhe strategjikë siç është Italia. Është një program modest, por duhet vendosur në kontekstin e bashkëpunimit me Italinë. Ky program ka sensin e drejtpërdrejtë të alokimit të burimeve të projekte me konkurrim që nxit edhe rritjen e standardeve. Projekte në bashkëpunim të shumë aktorëve. OJF-të janë të ftuar të marrin pjesë në këtë program si partner, shqiptare por edhe italiane. Të bashkëpunojnë me ministritë tona në hartimin e projekteve duke sjellë eksperiencën e tyre”, u shpreh zëvendskryeministri Niko Peleshi. 

Çfarë është programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA)
Sipas programit italo-shqitpar IADSA, projektet duhet të vijnë në të njëjtën linjë me prioritetet strategjike që ka vendi në:  arsimimin gjithëpërfshirës dhe cilësor, të mësuarit profesional dhe gjatë gjithë jetës (lifelong learning), shëndetësinë publike, përfshirjen sociale, gjenerimin e punësimit, zhvillimin e qëndrueshëm territorial dhe kohezionin social. 
 
Projektet e ministrive që do të konkurojnë në këtë program, përzgjidhen përmes Thirrjeve për Propozime të cilat publikohen në mënyrë periodike në faqen e internetit të IADSA-s (http://www.iadsa.info), ndërsa afati i fundit i prezantimit të tyre do të jetë 30 marsi i këtij viti
 
Programi i Konvertimit të Borxhit (IADSA, Italian-Albanian Debt for Development Sëap Agreement),i menaxhuar bashkarish nga Ministria e Financave të Shqipërisë dhe Ambasadës italiane në vendin tonë, synon të mbështesë iniciativat e zhvillimit social të propozuara nga autoritet publike shqiptare përkatëse. Për zbatimin e projekteve janë të pranueshme edhe bashkëpunime në formë partnership-i me OJF shqiptare dhe italiane, entet lokale italiane si dhe me Organizma Ndërkombëtare.
 
Në përgjigje të dy Thirrjeve të para për periudhën 2013-2014, IADSA ka financuar 25 projekte me një vlere totale prej 9 milionë eurosh. 

Konferenca u drejtua nga Drejtori i Zyrës së Kooperacionit të Ambasadës Italiane, Z. Andrea Senatori.