Inxh. Qerim Ismeni/ Nuk mund të perceptohet Revolucioni Industrial pa hekurudha

918
Para pak kohësh u njohëm me planet e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës z.Haxhinasto lidhur me Privatizimin e Hekurudhës Shqiptare, koncesionimin e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit” etj. Dy fjalë për histori:-Segmenti i parë hekurudhor, ai Durrës–Peqin, u inaugurua në nëntor të vitit 1949 dhe së fundi segmenti Milot–Rrëshen në vitin 1989, ndërsa segmentin “Rrëshen– Klos, me gjatësi afër 55 km, e gjeti viti 1990 me pothuajse 70% të punimeve të mbaruara. Vlen të theksohet se në çdo km të hekurudhës shqiptare gjendet mundi e djersa e rinisë, që sot vështirë të gjendet burrë apo grua të moshës mbi 45 vjeç që nuk ka dhënë kontribut në këtë hekurudhë apo në ndonjë vepër tjetër, mes të cilave mund të përmend Parkun e Tiranës bashkë me Liqenin artificial që drejtuesit e kësaj Bashkie ja kanë vënë syrin për ta shkatërruar dhe se për t’ia arritur qëllimit po testojnë ndërgjegjen e qytetarëve të Tiranës nëpërmjet miratimit të lejes së ndërtimit të disa godinave 17 katëshe, në kundërshtim me të gjitha standardet inxhinierike e urbanistike. Hekurudha deri në vitin 1990 ishte rentabile– ashtu siç ishte dhe është sot e kësaj dite në gjithë botën. Nuk mund të perceptohet Revolucioni Industrial pa hekurudhat, që datojnë në vitin 1825 dhe se pikërisht ai shteti “diktatorial” komunist nga viti 1946 deri në vitin 1990 ndërtoi dhe administroi afër 420 km linjë hekurudhore parësore dhe afër 230 km linjë sekondare, ndërsa që nga viti 1990 e deri më sot, afër ½ periudhës së “diktaturës” nuk u ndërtua as edhe 3 km për tu lidhur me Strugën (Maqedoninë), përveçse u shkatërruan 26 km të segmentit Milot–Rrëshen, i përfunduar, si dhe pjesa Rrëshen–Klos, afër 55 km, pothuajse e përfunduar si dhe shumë segmente dytësore, me përjashtim të fabrikave të çimentos që janë ruajtur. Shinat e gjithë pjesës së shkatërruar përfunduan si skrap. Fatkeqësia jonë si komb me sa duket qëndron në faktin se “ngatërruam” ndryshimin e sistemit me vazhdimësinë e shtetit, pra, ne, bashkë me sistemin, prishëm edhe shtetin . Për pasojë çdo zgjidhje, projekt, që është dhënë në këtë vend gjatë këtyre 24 vjetëve është dhënë gjysmake, e gabuar dhe në dëm të të ardhmes së këtij kombi, në kundërshtim me teorinë e zhvillimit të harmonizuar apo integruar. U projektua e u ndërtua “Rruga e Kombit” Milot–Morinë (Kukës) në zbatim të një detyre projektimi të pa qartë, të pa studiuar mirë, të hartuar nga njerëz jo me përgjegjësi dhe të firmosur nga qeveritar jo kompetent, gjë që solli realizimin e projektit me defekte të mëdha tekniko inxhinierike dhe me kosto shumë të rënda, pa përfshirë kostot korruptive për të njëjtën gjurmë. Që detyra e projektimit ishte e pa plotë dhe se hartuesit e saj nuk panë as deri tek hunda e tyre vërtetohet me faktin që pa mbaruar akoma një pjesë e urave dhe nyjëve lidhëse të kësaj rruge (ku kanë humbur jetën dhjetëra udhëtarë si pasojë e këtyre fajeve), ish k/ministri Sali Berisha, në prill 2010 në një aktivitet në Bruksel deklaron se do të fillojë studimi i fisibilitetit të hekurudhës Milot–Rrëshën–Kukës-Morinë (Kosovë)- nënkuptohet përkrah rrugës Kombit. Këtu shtrohet pyetja: Ku ishte zoti k/minister kur u dha detyra e projektimit në vitin 2006-2007, ku ishin institucionet që nuk parashikuan jo për 100 vjet siç parashikojnë institucionet e vendeve të tjera të botës, por të paktën për 15-20 vjetëshin e ardhshëm. Këtu nuk qëndron problemi pse nuk u ndërtua hekurudha njëherësh me rrugën, por së pari pse nuk u parashikua në projektin e autostradës dhe hekurudha. Së dyti– Pse u prish traseja e segmenti Milot –Rrëshen dhe së treti–A u mor në konsideratë vëllimi i punimeve të kryera (traseja e hekurudhës) në koston e autostradës në këtë segment. Vetëm kjo tematikë të jep të kuptosh se çfarë politikanësh me mungesë vizioni, që e kanë mendjen tek tenderët se si të na vjedhin, se si të shesin çdo pjesë, çdo pasuri të kësaj Shqipërie, që paraardhësit tanë e kanë larë me gjak në shekuj për të na e lënë të lirë ne, që politikanët për 24 vjet e shpërdoruan e na kthyen në refugjat në tokën tonë. Mbas gjithë këtyre marrëzive të qeveritarëve të mëparshëm vjen z. Haxhinasto- Ministër Transporti dhe kërkon të copëtojë hekurudhën shqiptare, që ka në inventarë 420 km linjë kryesore dhe afër 230 km dytësore, në 4 njësi , në 4 pjesë. Z. Haxhinasto! ju rikujtoj se një ndër zbulimet më të mëdha të njerëzimit është shpikja e Konvejerit ose e prodhimit të madh në seri nga inxhinieri Henry Ford në Detroit (ShBA), në vitin 1893. Ju po kërkoni të copëtoni hekurudhën në 4 njësi, d.m.th., ide me copëtimin e bujqësisë, industrisë etj., që frytet e atij copëtimi tashmë po i shohim. Populli thotë se lopa e coptuar në 30 duar nuk është më lopë por mish që konsumohet maksimumi për një ditë dhe nuk jep më qumësht. Pra ideja juaj e copëtimit të hekurudhës do të rrisë kostot e shërbimit që ofron hekurudha, pavarësisht nga pronësia privat apo shtet. Pra ideja juaj nuk është në të mirë të shoqërisë, por është për t’ju rritur kostot e shërbimit hekurudhor shtetasve tuaj, gjë që ju e kuptoni mirë këtë, por me sa duket këtu nuk shtrohet problemi për perspektivën e hekurudhës shqiptare apo të shqiptarëve, por ajo që nuk thuhet, privatizimi- tenderi, nga ku ju do të merrni pjesën. I njëjti fenomen është dhe koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës së “Kombit” ku, ju, nëpërmjet duarve të kapitalistëve vendas apo të huaj, kërkoni të varfëroni popullin tuaj. Si mund të jepni me koncesion mirë mbajtjen e rrugëve? Pse nuk duhet që kjo detyrë të mbulohet nga shteti, pse nuk analizohen privatizimet dhe koncesionet e dhëna deri tani që pothuajse të gjitha kanë rezultuar të gabuara, kriminale dhe skllavëruese, pse nuk ndëshkohen ato që privatizuan 4 HEC-et, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, apo dhanë me koncesion kromin në Bulqizë, fushën e naftës në Patos –Marinzë me 1% për ne (Shqipërinë) e 99% për “Bankers –Petroleum” etj? Po ndaloj pak në një llogaritje të thjeshtë mbi koncesionimin e rrugës “Kombit”! Sipas të dhënave, fluksi i llogaritur i lëvizjes me rezervë është mbi 12. 000 automjete/ditë, me një strukturë të përafërt: autovetura afër 70%; automjete me kapacitet 2-5 ton afër 10%; 5- 15 ton afër 15%; dhe me më shumë se 15 ton afër 5%. Duke pranuar çmimet referuese, respektivisht 5, 7, 15 dhe 25 euro/automjeti, mund të gjejë në mënyrë të thjeshtuar se koncesionari do t’ju marrë qytetarëve shqiptarë afër 110. 000 euro/ditë ose 40.15 mln euro/vit dhe se për 35 vjet, afër 1405 mln euro. Nga kjo, shumë koncesionari do t’i paguaj shtetit shqiptar 10 % ose 4.015 mln/vit, do të shpenzojë për mirëmbajtje referuar manualeve teknike të rrugëve deri në 1 % të vlerës së investuar. Nëqoftëse e zhveshim vlerën e investuar në rrugën e “Kombit” nga vjedhjet dhe keqmenaxhimi i fondeve, rezulton se kostoja e përgjithshme e saj është afër 600 mln euro . Nga këtej rezulton se kërkesa për fonde për mirëmbajtje është afër 6 mln euro/vit ose 210 mln euro/35 vjet. Investimet e pritshme për përmirësimin e disa nyjëve hyrëse-dalëse si dhe ndërtimi i urës mbi Drinin e ZI (Kukës), mund të kapin shifrën 80 mln euro. Përfundimisht koncesionari i merr popullit shqiptar afër 1405 mln Euro nga të cilat afër 950 mln euro për vete në 35 vjet, ose 28 mln/vit dhe se diferencën afër 12 mln euro e lënë këtu. Shtrohet pyetja: A duhet ta pranojë populli shqiptar këtë vjedhje të hapur? Por problemi nuk është vetëm tek Haxhinasto, ai vijon tek ministri i Shëndetësisë që ka nën hyqëm gjithë infrastrukturën e nevojshme publike për depistim të çdo grup moshe të popullsisë, por kërkon ta realizojë me koncesion!? Pse? Kuptohet, në garë me Haxhinaston për…! Po kështu edhe projekti me matësit inteligjent…. Kur dihet se zgjidhja nuk është matja inteligjente, por ekzistenca ose jo e shtetit. Në kë to kushte, kur besueshmëria ndaj Qeverisë në lidhje me mirë menaxhimin e pasurisë kombëtare gjendet në pikën më të ulët. I bëj thirrje opinionit publik, medias, që të kontribuojnë për t’i thënë “Stop koncesioneve e privatizimeve skllavëruese.
Sigal