Prof. Seit MANSAKU/ Kontributi i Akademik Mahir Domit për historinë e gjuhës shqipe

932
Prof. Mahir Domi, vepra dhe personaliteti i tij shkencor e njerëzor vijnë në këtë 100-vjetor të lindjes së tij në kujtesën dhe ndjesitë e të gjithë ne kolegëve dhe nxënësve të tij, madje e të të gjithë atyre që e kanë njohur nga afër dhe për së largu, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe nderimi për atë trashëgimi shkencore të çmuar që ai na ka lënë, për atë model të rrallë sjelljeje e komunikimi njerëzor e shkencor që rrallëkush ka privilegjin ta arrijë, për atë përkushtim të pashembullt për të kërkuar, zbuluar e vënë në pah vlerat gjuhësore e historiko-kulturore të popullit të cilit i përkiste. Te rrallëkush ndodh që të bashkohen e të harmonizohen aq mirë aftësitë shkencore me cilësitë më të mira njerëzore, pra, shkencëtari dhe njeriu si në personalitetin e profesor Mahir Domit, dijetar i kompletuar, studiues i përkushtuar e i palodhur i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, drejtues i rrallë kërkimesh e nismash shkencore, ndihmëtar i pakursyer deri në vetëmohim i studiuesve të rinj, i prirur gjithmonë drejt së mirës, i ditur dhe modest, kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve, por i matur dhe i urtë e i zhveshur nga çdo ambicie e keqe njerëzore, sinonim i mirësisë, i modestisë, i dijes dhe i urtësisë. Prandaj ai do të mbetet gjatë në kujtesën e brezave jo vetëm si gjuhëtar dhe filolog i shquar, por edhe si drejtues i palodhur e me vizion në fushën e studimeve gjuhësore e filologjike. Eqrem Çabej, gjuhëtari ynë i shquar dhe njëri nga kolegët më të afërt të Mahir Domit, i kishte vënë re këto cilësi të kolegut të tij që 50 vjet më parë, kur në fjalën përshëndetëse me rastin e 50-vjetorit të tij do të pohonte: “Besoj se shpreh një mendim të përgjithshëm kur them se Mahir Domi ka disa cilësi njerëzore të rralla. Ai shquhet sidomos për përpjekjen për një gjykim të drejtë të njerëzve dhe të veprave, për një qëndrim larg nga smirat e vogëlsitë e panevojshme, për një frymë objektive në qenësi e jo në dukje. (shih Mehmet Çeliku, Kontributi i Mahir Domit në gjuhësinë shqiptare, në “Institucione, autorë, vepra, intervista”, Tiranë, 2009, f.138-139).
Prof. M. Domi i përket atij brezi dijetarësh e studiuesish në veprimtarinë shkencore, arsimore e kulturore të të cilëve bashkohet fryma atdhetare, pasioni e përkushtimi i Rilindësve për të përfshirë në rrethin e interesave të tyre etnosin shqiptar në përgjithësi me kërkesat shkencore që shtronte zhvillimi i shkencave filologjike e gjuhësore në shekullin XX. Përfaqësuesit e këtij brezi do të mbeten në histori edhe si shkencëtarë edhe si misionarë të çështjeve kombëtare. Në formimin shkencor e intelektual të Mahir Domit janë bashkuar e shkrirë në një përvoja universitare perëndimore, njohja dhe vlerësimi i traditës gjuhësore e kulturore shqiptare, fryma e Rilindjes Kombëtare dhe përpjekja e pareshtur për të qenë i përditësuar me zhvillimet e reja të shkencës gjuhësore europiane. Formimi i tij i gjerë, interesat e shumta dhe nevojat e mëdha të kohës, përcaktuan dhe karakteristikën themelore të punës kërkimore-shkencore të prof. M. Domit, shtrirjen e veprimtarisë së tij studimore në shumë fusha të dijes, pothuajse në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushën e studimeve gjuhësore, si në sintaksë e morfologji, dialektologji, histori e gjuhës shqipe, duke përfshirë këtu problemet e etnogjenezës, morfologjinë historike, historinë e gjuhës së shkruar shqipe, historinë e alfabetit të përbashkët, historinë e albanologjisë, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët ballkanike, sidomos me rumanishten, onomastikën, leksikografinë, gjuhën letrare kombëtare e drejtshkrimin, kulturën e gjuhës, terminologjinë, gjuhën e letërsisë artistike, por edhe historinë e letërsisë shqiptare dhe të huaj, historinë e shkollës e të arsimit shqip dhe të kulturës shqiptare, historinë e gjuhësisë shqiptare dhe të mendimit gjuhësor shqiptar, historinë e ngulimeve shqiptare, kritikën shkencore e bibliografinë, tekstologjinë etj. I pajisur me këto cilësi diturore dhe njerëzore, Mahir Domi në veprimtarinë e tij shkencore ka ditur të gërshetojë më së miri historinë me historinë e kulturës e të letërsisë dhe me historinë e gjuhës. Ai nuk mund të linte jashtë vëmendjes së tij edhe studimet në fushë të historisë së gjuhës, një fushë aq e rëndësishme me vlera shkencore dhe kombëtare. Në vitin 1964 Mahir Domi ka botuar Në revistën “Studime historike”, nr2, 1964, f.15 -24 një punim me titull “Momente e aspekte të kontakteve e të raporteve kulturale historike të popullit shqiptar”, botuar më parë në gjuhën frënge në Actes du Colloques Internationales des Civilisations Balkaniques, Sinaia, juillet 1962, Bucarest 1962. Ky punim përbën një kontribut për historinë kulturore të Shqipërisë në përgjithësi dhe të marrëdhënieve të saj me vendet e tjera në veçanti, një temë pak e lëvruar në studimet tona. Qëllimi i këtij punimi është të tregojë se Shqipëria edhe në të shkuarën nuk ka qenë një vend i mbyllur, një vend fare i veçuar, larg rrymave të mëdha të qytetërimit të mendimit. Për të ilustruar këtë ide autori parashtron disa momente dhe aspekte të marrëdhënieve komplekse kulturore të botës shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit, që shënojnë kontribute në fondin e përgjithshëm të qytetërimit botëror. Ai ndalet në shekujt XV-XVIII kur dolën një plejadë humanistësh shqiptarë në fusha të ndryshme të shkencës, të filozofisë, të artit e të kulturës në përgjithësi, që veprojnë e botojnë në qytete të ndryshme të Dalmacisë. Pra Mahir Domi është përpjekur të provojë se “Populli ynë edhe në periudha të rënda të historisë së tij është treguar i hapur ndaj ideve e lëvizjeve të reja të mendimit përparimtar njerëzor. Ndriçimi i këtyre aspekteve të historisë kulturore të shqiptarëve në lidhje të ngushtë me historinë e popujve të tjerë të Ballkanit ndihmon sigurisht për të zhdavaritur hije e mjegulla, mendime e paragjykime të përhapura në të kaluarën nga rrethe të caktuara politike me qëllime jodashamirëse ndaj marrëdhënieve midis popujve.
Në fushën e historisë së gjuhës shqipe prof. Mahir Domi ka lënë disa sinteza të rëndësishme për probleme themelore të kësaj fushe me rëndësi shkencore e kombëtare, disa sinteza të ngjeshura për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera. Kështu, mund të përmendim punimet: Prapashtesa ilire dhe shqipe- përkime dhe paralelizma, mbajtur si kumtesë në një nga veprimtaritë më të rëndësishme ndërkombëtare të studimeve albanologjike: “Kuvendi I i studimeve ilire”, Tiranë, 1972, dhe botuar në një formë të zgjeruar në aktet e këtij Kuvendi, Tiranë, 1974 f. 109-118, është ndoshta sinteza më e plotë e bërë deri tani për të provuar vijimësinë iliro-shqiptare me argumente nga fusha e fjalëformimit, me paraqitje e vështrim kritik të arritjeve të paraardhësve dhe me plotësime të mëtejshme me vëzhgime e materiale të reja. Ishte viti 1982, Akademia e shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës do të organizonin në Tiranë Konferencën Kombëtare për Formimin e popullit Shqiptar të Gjuhës dhe të Kulturës së tij, e cila mori përmasa ndërkombëtare për nga pjesëmarrja, rëndësia dhe problematikat që trajtoi. Ajo pati për qëllim të bënte sintezën e arritjeve të shkencave historike, arkeologjike, gjuhësore dhe etnografike-folklorike lidhur me problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, autoktoninë e shqiptarëve dhe vijimësinë iliro-shqiptare. Problemet do të shqyrtoheshin dhe do të analizoheshin në rrafsh ndërdisiplinor. Për secilin prej fushave kryesore, histori, gjuhësi, arkeologji, etnografi e folklor do të mbahej nga një referat. Në vitin 1982 prof. Eqrem Çabej kishte dy vjet që ishte ndarë nga jeta, prandaj u ngarkua prof. Mahir Domi të përgatiste e të mbante referatin për gjuhësinë. Në referatin e tij Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra të mbajtur në këtë Konferencë ai bëri një sintezë të ngjeshur e të drejtpeshuar të arritjeve të deriatëhershme për problemet themelore të etnogjenezës së popullit shqiptar, të prejardhjes së gjuhës shqipe e të vijimësisë iliro-shqiptare në rrafshin gjuhësor. Autori, pasi paraqiti në mënyrë të përmbledhur tezat e ndryshme që janë hedhur nga studiuesit kryesorë të kësaj fushe që nga fundi i shekullit XVIII deri në fund të shekullit XX parashtroi me një qartësi të veçantë një varg argumentesh historiko-gjuhësore në mbështetje të prejardhjes ilire të shqipes, të autoktonisë së shqiptarëve dhe të vijimësisë iliro-shqiptare dhe përvijoi më tej disa detyra që i dalin përpara gjuhësisë shqiptare për thellimin e mëtejshëm të studimeve në fushën e etnogjenezës, për të gjurmuar e sjellë lëndë të re dhe argumente të reja për të ndriçuar problemin e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe. Temës së ilirishtes autori i është rikthyer edhe më vonë në një shkrim me titull “Gjuha ilire dhe studimi i saj”, botuar në përmbledhjen “Studime”, 4, 1997, 113-119, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në këtë shkrim autori bën një paraqitje të përgjithësuar të gjendjes së studimeve ilire deri në fund të shekullit XX, periudhat nëpër të cilat kanë kaluar këto studime, burimet që kanë pasur në dispozicion studiuesit, arritjet që janë shënuar dhe mangësitë që janë vërejtur në konceptimin dhe shtrirjen e truallit gjuhësor të ilirishtes dhe parashtron disa kritere që duhen mbajtur parasysh në studimet e mëtejshme në këtë fushë dhe për kërkimet që duhen bërë për pasurimin e seleksionimin e lëndës gjuhësore që mund t’i atribuohet gjuhës ilire…
Problemet e historisë së gjuhës së shkruar e të lëvrimit të saj në periudha të ndryshme zënë një pjesë të mirë të veprimtarisë shkencore të prof. M. Domit. Ai ka shkruar për librin e parë në gjuhën shqipe dhe për fillimet e letërsisë shqipe (BSSH 1955, nr. l, f. 63-69), duke mbrojtur tezën e ekzistencës së një tradite shkrimore në gjuhën shqipe para shekullit të Buzukut (1555), për historinë e teksteve të tjera të vjetra shqipe, sidomos për gjuhën e Pjetër Budit, për probleme të gjuhës letrare shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare (SA 1975, nr. 2, f. 77-85), për çështje të alfabetit etj. Tezën e tij për ekzistencën e një tradite shkrimi parabuzukiane të shqipes autori e ka mbrojtur me një varg argumentesh nga burimet historike, nga zhvillimet kulturore të kohës, nga niveli gjuhësor i librit të parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut” etj.
Një punim të gjatë e të ngjeshur me probleme dhe ngjarje i ka kushtuar prof. Mahir Domi Alfabetit të gjuhës shqipe dhe Kongresit të Manastirit, botuar në një vëllim prestigjioz me të njëjtin titull, me studime, materiale e dokumente, përgatitur nga një redaksi me redaktor përgjegjës prof. Mahir Domin, botuar nga Universiteti i Tiranës në vitin 1972 . Në këtë punim autori ka bërë një histori të përpjekjeve të njerëzve të dijes e të kulturës për të arritur në një alfabet të përbashkët dhe më pas për një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, si hallkë e fuqishme për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Një fushë e rëndësishme ku spikat kontributi i prof. Mahir Domit për historinë e gjuhës shqipe është trajtimi i marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike e sidomos me rumanishten. Mahir Domi ka mbajtur një varg kumtesash në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka botuar disa artikuj në të cilët janë trajtuar përkime e paralelizma gjuhësorë midis shqipes dhe gjuhëve të tjera ballkanike dhe sidomos midis shqipes e rumanishtes. Ai është përqendruar sidomos në përkimet në fushën e strukturës gramatikore e sidomos sintaksore, duke bërë sintezën e arritjeve në këtë fushë dhe duke sjellë lëndë të re dhe dukuri të reja të përbashkëta të pavëna re më parë. Trajtesat e tij në këtë fushë janë një kontribut me vlerë për të arritur në sinteza të përgjithësuara në fushën e gjuhësisë ballkanike dhe për vendin e shqipes në këtë lidhje gjuhësore. Nuk mund të lihet pa përmendur këtu ndihmesa shumë e madhe e prof. Mahir Domit në fushën e historisë së albanologjisë. Ai ka themeluar dhe ka dhënë për disa vjet lëndën e historisë së albanologjisë në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ka shkruar aq bujarisht e botuar një varg shkrimesh për jetën dhe veprën e një vargu albanologësh, dijetarësh e studiuesish vendas dhe të huaj, duke hapur rrugën për hartimin e një historie të mendimit gjuhësor shqiptar dhe të një historie të gjuhësisë shqiptare. Përveç kontributeve të drejtpërdrejta studimore në fushë të historisë së gjuhës, prof. Mahir Domi meriton një vlerësim të lartë për mbështetjen e fuqishme shkencore dhe organizative që ai u ka dhënë vazhdimisht kërkimeve në këtë fushë me udhëheqje shkencore me nxitje e diskutime punimesh në sektor dhe në redaksi të ndryshme, me organizim veprimtarish shkencore, me informacione të vazhdueshme etj. Ai ka përkrahur dhe nxitur në mënyrë të veçantë studimet në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të etimologjisë, që kryheshin së pari brenda sektorit të gramatikës dhe pastaj si grup dhe sektor i veçantë, gjithmonë nën kujdesin e tij. Ishte përkrahja dhe nxitja këmbëngulëse e prof. M. Domit që prof. E. Çabej nisi të botojë në mënyrë të përzgjedhur “Studimet e tij etimologjike në fushë të shqipes” në Buletinin e Universitetit të Tiranës e pastaj në revistën “Studime Filologjike”. Janë këto pjesë të botuara në këto revista që kanë dhënë lëndën për të përgatitur dy vëllimet e para të veprës “Studime gjuhësore” të Eqrem Çabejt, botuar në Prishtinë, që janë përfshirë edhe në vëllimet e “Studimeve etimologjike në fushë të shqipes” të E. Çabejt. Më në fund dëshiroj të theksoj përkujtimi i jetës dhe i veprës së Mahir Domit u sjell brezave mesazhin e përkushtimit ndaj shkencës, arsimit dhe kulturës kombëtare, të dashurisë dhe të nderimit për trashëgiminë e pasur gjuhësore dhe kulturore të popullit tonë, mesazhin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit shkencor e njerëzor për të mirën e kombit tonë, mesazhin e kultivimit dhe të lartësimit të virtyteve më të mira njerëzore.
Sigal