Investitorët e huaj “godasin” qeverinë: Po humbet besueshmërinë nga akuzat për drogën

820
“BMI Research”, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit FITCH, publikon raportin për riskun në Shqipëri
“BMI Research”, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit FITCH, ka publikuar dje raportin e radhës së riskut për Shqipërinë. Ndryshe nga raportet e mëparshme, ku vlerësimet kanë qenë pozitive për qeverinë, këtë herë gjuha ka qenë mjaft e ashpër. “Akuzat se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që është në pushtet, është përfshirë në trafikimin e drogave tregon se sa i vështirë do të jetë procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, pavarësisht se PS mban shumicën në parlament që nga zgjedhjet e qershorit. Nëse akuzat dalin të vërteta, madhësia e asaj mazhorance ka gjasa të reduktohet dhe kryeministri Edi Rama ka gjasa të humbasë besueshmëri”, thuhet në raport. Debati për prodhimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri ka ndezur edhe klimën politike, ndërsa prokuroria po heton mbi disa grupe që dërgonin sasi të mëdha të kanabisit drejt Italisë e Greqisë. Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi edhe autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për shkak të dyshimeve mbi lidhjet e tij me një grup të rëndësishëm trafikantësh. 

Ekonomia
Lidhur me ekonominë, FITCH ka qenë më pozitive. Sipas raportit ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë nga një mjedis i jashtëm më i mirë se sa pritet dhe “ne kemi përmirësuar parashikimet tona të rritjes 2017”. Ndërkohë që faktorët ndikues të jashtëm do të pakësohen disi në 2018, një vazhdim i politikës monetare të lehtësuar dhe një profil i përmirësuar i rrezikut politik pas zgjedhjeve të qershorit do të mbështesë investimet dhe konsumin privat. Perspektiva afatgjatë e rritjes së Shqipërisë do të mbështetet nga investimet si rrjedhojë e gazjsellësit. “Mjedisi inflacionist do t’i japë autoriteteve lirinë për të mbajtur politikën monetare relativisht të lirë, pasi ne presim që rritja e çmimeve të mbetet nën nivelin e objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3.0% gjatë 18 muajve të ardhshëm”. Raporti thekson se edhe për tre vitet e ardhshme vendi do të vijojë të rezultojë më deficitit të llogarisë korrente, dhe do të vazhdojë të mbulojë nevojat e saj të jashtme të financimit me investimet direkt të huaja dhe rezervat valutore. Inflacioni do të mbetet i ndikuar ndaj ndryshimeve në çmimet e ushqimit dhe energjisë në vitet në vijim. Ngritja e çmimeve globale të energjisë dhe presionet e forta inflacioniste vendase do të shpejtojnë rritjen e IÇK në H117.

Rreziqet kryesore
Borxhi publik i Shqipërisë ishte 72.4% e PBB-së në 2016, ndër më të lartat në rajonin në zhvillim të Evropës, duke u rritur që nga viti 2008 si rrjedhojë e politikës fiskale zgjeruese dhe rritjes së dobët ekonomike. Duke pasur parasysh madhësinë e ngarkesës së borxhit publik në raport me PBB-në, rreziqet për qëndrueshmërinë e borxhit dhe perspektivën më të gjerë fiskale dhe të rritjes në Shqipëri mbeten të rëndësishme, vlerëson raporti. Një ecuri fiskale më e keqe, e cila mund të shkaktohet nga mungesa e angazhimit fiskal, një dobësim i vullnetit politik për të ndjekur konsolidimin ose një rritje më të dobët ekonomike, mund të ulë besimin e investitorëve dhe të rrisë kostot e huamarrjes, paralajmëron BMI. FITCH pohon se ka përmirësuar parashikimet e rritjes reale të PBB-së për 2017 dhe 2018 si rrjedhojë e një mjedisi të fortë të jashtëm dhe një profili të përmirësuar rreziku pas zgjedhjeve. Sipas tabelave të raportit, ekonomia shqiptare do të rritet 4% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar në 3.6% në vitin 2018.



Sigal