Investimet kineze në Europë, sfida e ardhshme më e madhe e BE-së

651
Sigal

Investimet kineze në Europë kanë arritur në nivele të larta në dy dekadat e fundit. Nëse nga njëra anë, kjo është një mundësi e mirë për të nxitur rritjen ekonomike në disa vende, nga ana tjetër (kryesisht nga disa prej shteteve më të pasura të botës) shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë, shkruan Andreas Vou për VoxEurop

Spas statistikave të grupit Rhodium, investimet në Bashkimin Europian nga Kina arritën nivelin rekord 35 miliardë euro në vitin 2016, një rritje 50-fish më e lartë në krahasim me nivelin prej 700 milionë eurosh të vitit 2008.

Investimet e Huaja Direkte të Kinës drejt Europës u rritën në mënyrë dramatike në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa në Amerikën e Veriut në po të njëjtën periudhë, ato shënuan rënie drastike nga 24 miliardë dollarë amerikanë në 2 miliardë dollarë amerikanë, sipas Baker Mackenzie.
Edhe pse Investimet e Huaja Direkte të Kinës shënuan rënie në të 28 vendet e BE-së, nga 30 miliardë euro në 2017, në 16 miliardë euro në 2018, ky nivel mbetet gjithsesi niveli i katërt më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Investime në një shkallë të tillë vijnë nga dëshira e madhe e Kinës për t’u bërë pjesë e disa prej markave dhe teknologjive më të famshme botërore, shumica prej të cilave ndodhen në BE.

Synimet e Kinës në Europë u ndihmuan pjesërisht edhe nga kriza e borxhit të euros në vitin 2008, gjë që çoi në një normë më të ulët të këmbimit të monedhës midis 2008 dhe 2016. Që prej asaj kohe, firmat shtetërore kineze kanë bërë investime të rëndësishme në fusha të ndryshme.
Pekini ka shfaqur interes të madh ndaj aeroporteve europiane. Ai sot zotëron rreth 9.5% të aksioneve në Aeroportin Heathrow të Londrës, 49.9% të aksioneve në Aeroportin e Toulouse dhe 82.5% të Aeroportit Hahn pranë Frankfurtit. Pekini ka aksione edhe në Aeroportin e Tiranës në Shqipëri dhe në atë të Sllovenisë në Lubjanë.

Kina po investon në energji dhe lëndë të parë në vendet në zhvillim dhe ndërkohë kërkon mundësi për shpërndarjen e energjisë, përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e bashkimeve të ndryshme tregtare, blerjen e disa prej brand-eve më të njohura në Europë, të disa prej kompanive më të suksesshme teknologjike dhe të aksioneve të tregut në ekonomitë e zhvilluara. Me anë të projektit ambicioz kinez “Rruga e Mëndafshit” që prek pjesë të Europës Jugore dhe të Ballkanit, ajo e ka shfrytëzuar më së miri mundësinë e përfshirjes në një pjesë të madhe të projekteve që prekin pikërisht këto zona.

Investimi më i madh direkt i Kinës në Serbi ishte blerja e uzinës së çelikut Smederevo kundrejt vlerës 46 milionë euro. Projekte të tjera përfshijnë ndërtimin e hekurudhës me shpejtësi të lartë midis Beogradit dhe Budapestit dhe zgjerimin e termocentralit në Kostolac, ndërkohë që Huawei po investon në përmirësimin e sektorit të telekomunikacionit.

Greqia, shumë e gatshme, e mirëpriti blerjen e 67% të aksioneve të Portit të Pireut nga kompania shtetërore kineze Cosco, e cila është duke investuar rreth 385 milionë euro për të rritur tregtinë me vendet e BE-së dhe njëkohësisht synon ta përdorë atë si platformën e saj kryesore për projektin “Rruga e Mëndafshit”.

Deri më tani, Italia dhe Kina kanë nënshkruar 29 marrëveshje, të cilat përfshijnë sektorin e energjetikës, turizmit dhe atë financiar.
Vlera e këtyre investimeve shkon deri në 2.5 miliardë euro, ndërkohë që Kina ka parashikuar investime të tjera me vlerë deri në 7 miliardë euro në portet italiane të Xhenovës dhe Triestes. Në Qipro dhe Maltë, investitorët kinezë po përfitojnë nga skema e natyralizimit të shpejtë që lejon blerjen e pasaportave kundrejt investimeve në vlerën prej më pak se 2 milionë eurosh.

Pas një periudhe investimesh të shumta në Europën Jugore, gjatë viteve të fundit, investitorët kinezë u drejtuan nga disa prej ekonomive më të mëdha europiane. Në vitin 2016, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia ishin tre përfituesit më të mëdhenj të këtyre investimeve, ndërsa në vitin 2017 Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca përbënin rreth 75% të investimit total të Kinës në BE gjatë atij viti, njëkohësisht edhe përqindja më e madhe në dhjetë vjet.

Ndërkohë që disa vende europiane i kanë mirëpritur këto investime, të tjera janë shumë të shqetësuara nga ndikimi në rritje i Kinës ndaj këtij kontinenti, sepse interesat e saj nuk janë vetëm ekonomike, por edhe politike. Për shkak të rritjes së ndikimit kinez, ka rënë edhe interesi i shteteve ballkanike ndaj BE-së, dhe më konkretisht ndaj atyre që dëshironin të bëheshin pjesë e saj. Për shembull, në vitin 2012, rreth 70% e Serbisë dëshironte që ajo të bëhej pjesë e BE-së, ndërsa në ditët e sotme, përqindja ka rënë me më shumë se gjysmën, në 34%.

Megjithatë, në një përpjekje për të zvogëluar investimet kineze, në mars të këtij viti, vendet e BE-së miratuan një rregullore për shqyrtimin e investimeve të huaja që do të zbatohen deri në tetor të 2020. Një prej shqetësimeve më të mëdha në lidhje me rritjen e ndikimit kinez është se ai do të shoqërohet me rritje të varësisë së shteteve në të cilat këto investime zbatohen ndaj Kinës, si dhe me rritjen e nivelit të tyre të borxhit.
Masat e reja të ndërmarra nga BE-ja, po edhe kriza e borxhit të Kinës, kanë qenë një prej arsyeve kryesore të reduktimit të investimeve kineze në dy vitet e fundit. Por teksa për një grup shtetesh investimet kineze shihen si një kërcënim, për disa të tjera shihen si mundësia e vetme për t’u rritur ekonomikisht.

Huatë kineze u japin shteteve në vështirësi ekonomike një mundësi për të lehtësuar barrën financiare dhe për të fituar një lloj pavarësie financiare nga BE-ja dhe duke u mbështetur kështu më shumë nga Lindja. Duke marrë parasysh këtë gjë, BE-së ka përpara sfidë shumë e madhe, sepse nëse ajo nga njëra anë do të përpiqet që të ndalojë rritjen e investimeve kineze për shkak të rreziqeve që ato përbëjnë nga pikëpamja politike, nga ana tjetër mund të rrisë rrezikun e acarimit të atyre shteteve të cilat e shohin Kinën si mundësinë e vetme për t’u rritur ekonomikisht.