Investimet e huaja dhe ato vendase do të kenë mbrojtje e detyrime të barabarta para ligjit

495
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një projektligj të ri që synon rritjen e mbrojtjes ligjore ndaj investimeve vendase, njëlloj si investimet e huaja. “Miratimi i projektligjit ‘Për investimet’ ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Në këto kushte u mendua që hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase, por dhe ato të huaja, duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës, barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve do të rriste garancinë e investitorëve” paraqet relacioni.

Sektorët e investimeve strategjike

Në lidhje me investimet strategjike vendase dhe të huaja porjektligji thekson se si të tillë do të konsiderohen sektori energjetik dhe minerar, sektori i turizmit, sektori i bujqësisë, sektori i komunikimeve elektronike, sektori i transportit e i infrastrukturës, i mbeturinave urbane etj,. Projektligji, gjithashtu përcakton edhe zgjidhjen e shpejtë në rastet e konflikteve mes institucioneve dhe investitorëve për të evituar Arbitrazhet. “Risi në projektligj përbën trajtimi i një mekanizmi të shpejtë brenda pushtetit ekzekutiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i lindin një investitori me institucionet shtetërore, duke u përpjekur kësisoj të evitohen kostot e shtuara gjyqësore apo të tjera. Me anë tjetër, miratimi i projektligjit “Për investimet” përveçse ndikon drejtpërdrejte në krijimin e një klime më të favorshme për investimet në vend e duke sjellë kësisoj efekte pozitive në ekonomi, pritet të sjellë garanci e standarde të përparuara në disa fusha. Po ashtu ligji siguron zbatimin e standardeve dhe rregulloreve të punës, të sigurisë dhe të mbrojtjes së mjedisit” thuhet në relacion.