ALUIZNI hedh poshtë lejen e legalizimit, të lëshuar prej tij!

1152
Sigal

Juristi: “Ishte gabim njerëzor. Kush bën nder gjen qeder”. Drejtoresha e Urbanistikës nuk ka nerva të merret me qytetarët

ALUIZNI Kavajë, një herë jep lejen e legalizimit, më pas kërkon korrigjimin e saj, pasi e ka bërë gabim. Nga 79.4 metra katror kërkon ta korrigjojë, duke i dhënë qytetares vetëm 16 metra katrorë. Gabimi i bërë nga ALUIZNI ka çuar në konflikt dy familjet, të cilat kalojnë në një rrugë.

Dorjana Alla është ankuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, se ka marrë lejen e legalizimit, nga ALUIZNI Kavajë, por tani i thonë, se ia kanë dhënë gabim. Ajo shprehet, se bëhet fjalë për një rrugicë përpara shtëpisë, e cila është edhe objekt sherri me komshiun e saj. Pasi e kanë marrë lejen e legalizimit, ALUIZNI i njofton me anë të një letre, se është bërë një gabim dhe kjo leje pezullohet, pasi do hiqen metra nga dokumenti që vetë ata i kanë dhënë zj. Alla. “Unë kërkoj të drejtën time dhe që të mos kem konflikt, pasi vetë ma dhanë dhe tani më thonë që është gabim njerëzor. Unë nuk po e gjej të drejtën” shprehet ajo. Për të kuptuar më shumë nga ajo që ka ndodhur, familja Alla iu drejtua ALUIZNI-t Kavajë. Juristi i këtij institucioni Klodi Harizi u shpreh se është bërë një gabim njerëzor dhe kjo leje do korrigjohet, dhe këtë e bën pikërisht për të shuar konfliktet. Ai shprehet se dokumenti, edhe pse është lëshuar nga ata, e firmosur nga drejtori i institucionit, është i parregullt, pasi është përpiluar gabim, pra ka pasaktësi. Dhe të gjitha këto kanë vetëm një kryefjalë “gabim njerëzor”. Madje juristi shkon edhe më tej kur i thotë familjes Alla, se lejen e legalizimit ua ka dhënë ai për t’u bërë nder. “Qenka me të vërtetë ajo pjesa, që kush bën nder, gjen qeder. Je i dyti person që unë bëj leje me kokën time për t’i ndihmuar me hakikat për Zotin, dhe që të dy këto njerëz më kthehen në boomerang” thotë Harizi. Ai shkon edhe më tej duke iu hakërryer qytetarëve, se nuk do u marrë dorën atyre për korrigjimin që do i bëjë lejes së legalizimit, edhe pse në shkresën e përpiluar nga ai vetë, dhe që i ka shkuar me anë të postës në shtëpi familjes Alla thuhet pezullim i lejes, por për këtë juristi shprehet se nuk mban mend gjë se çfarë ka shkruar në të. Familja Alla i drejtohet edhe zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Kavajë, për të marrë përgjigje për kërkesën që ka depozituar pranë kësaj zyre, por ajo që marrin është një sorollatje dhe një shërbim që lë për të dëshiruar për të qenë punonjës të administratës në shërbim të qytetarëve. Vetë drejtoresha e zyrës, Dëshira Qato shprehet se nuk ka kohë dhe nerva të merret me qytetarët, por i adreson ata në zyra të tjera.”Unë s’kam as kohë as nerva me u marrë me ju. Shko atje në kat të parë, ka zyra të tjera që merren me këtë punë” thotë ajo.

Bisedë me juristin e Aluiznit Kavajë, Klodi Harizi

Qytetari – Tashi ku është problemi ktu, a e bëtë ju?

Juristi – Tani a ta kam sqaru 100 herë ktë problem o burrë!

Qytetari – Tani lekët i pagova, e bona.

Drejtori – Ato lekë që ke pagu kanë humb.

Drejtori – Tani më dëgjo i çik. Në momentin kur ka konflikt, unë duhet të gjej mënyrën për të shuar konfliktin. Po të heq ty dhe po e lej shtet se ashtu është. Është bërë gabim kjo.

Qytetari – Po pse?

Drejtori – Po u bo gabimi tani, kupton ti që kur bohet gabim, bohet gabim. Ka dhe ndreqje gabimi mor burrë.

Qytetari: Çfarë faji kam unë që e ke bërë gabim?

Juristi: E kam bërë, ja e ndreq unë.

Qytetarja: Ti e ndreqe gabimin në momentin që erdhi pala tjetër, kundërshove, na solle dhe letër tek shpia, për, pezullimin e lejes.

Juristi: Oj ti goc, është gabim njerëzor që është bërë, unë kam menduar që kjo është bahçe, që është e shpive, por kjo qenka rrugë!

 

Bisedë me drejtoreshën e urbanistikës, Dëshira Qato.

Qytetari: Patëm bërë një ankesë, të na jepni një rrugë zgjidhje.

Drejtoresha e Urbanistikës: Për çfarë?

Qytetari: Për një vërtetim.

Drejtoresha: Po një vërtetim, pa parë situatën në vend si jepet vërtetimi?

Qytetari: Po më jepni një rrugë zgjidhje, nuk po ju kërkoj të më bëni pallat. Një rrugëzgjidhje kërkoj.

Drejtoresha: Shko tek ai i katit të parë, tek IMTV.

Qytetari: Tani ato thonë shko këtu, ti thua shko atje, tashi dhe ne kemi ra në hall, ti thua shko atje poshtë.

Drejtoresha: Unë s’kam as kohë as nerva me u marrë me ju.

Qytetari: A s’ke nerva?

Drejtoresha: Po jo mor se nuk kam, se nuk të lë rrugën unë, se jeni mësuar keq, shko atje në kat të parë, ka zyra të tjera që merren me këtë punë. Shko tek administratori i lagjes, ai të vijë këtu.