Ulen deri në 25% çmimet e pullave fiskale për mallrat e akcizës. Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale” që hyn menjëherë në fuqi.
Sipas vendimit çmimi i pullës fiskale për birrat do të jetë 17.22 euro për 1 mijë copë nga 22 euro për 1 mijë copë që bizneset i paguanin kompanisë koncensionare “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k. Ulja e tarifës është 20%.
Për produktet e tjera të mallrave të akcizës, si duhan çmimi do të jetë 15.65 euro për një mijë copë nga 21 euro për 1 mijë copë që paguhej. Ulja është 25%.
Për alkoolin tarifa e pullës fiskale do të jetë 25.05 euro për një mijë copë nga 32 euro që paguhej më parë. Ulja 16.5%. Për verën tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 25.04 euro
Vendimi përcakton edhe elementet e sigurisë për gjurmimin e pullave fiskale përfshirë sfondet e sigurta me modele Guilloche, tekst të imët dhe efekte me ndryshim ngjyre.
Për karakteristikat e sigurisë digjitale do të përfshihen elementë si: a) identifikuesi unik: çdo pullë fiskale përmban një identifikues shumë të sigurt dhe të koduar për sistemin e gjurmimit; b) Kodet 2D: përfshijnë kode 2D të dukshme dhe të padukshme, të cilat përdoren për monitorimin e lëvizjes së produkteve dhe sigurimin e integritetit. C) Kode të sigurta për industrinë e pijeve të ftohta: Alternativë ndaj pullave të sigurisë: kod unik 2D, i printuar gjatë procesit të prodhimit; b) Karakteristika të tjera: rezistente ndaj ndërhyrjeve nga sfondi dhe të verifikueshme nga konsumatorët dhe autoritetet përkatëse.