Fondi i Kompensimit / Mbikëqyrja e AMF i dha zgjidhje problemit disavjeçar

460
Sigal

Dëmet pezull të Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare së Sigurimeve, ku përfshihen dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe të paidentifikuara kanë arritur në nivelet më të ulëta historike.

Këtë e vërtetojnë edhe statistikat e publikuara së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ku dëmet pezull për t’u paguar nga Byroja zbritën në 812 milionë lekë, 37% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin rreth 1.3 miliardë lekë.

Duke pasur parasysh problematikën që ka ekzistuar para vitit 2017, me shumë të ngjarë, niveli i dëmeve pezull të këtij fondi është sot në nivelet më të ulëta historike.

Gjithnjë duke iu referuar të dhënave të AMF-së, për 10 muajt e këtij viti kompanitë e sigurimeve kanë shlyer rreth 268 milionë lekë dëme për llogari të Fondit të Kompensimit. Kjo shumë është 50% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë rënia e stokut total të dëmeve pezull për t’u paguar tregon se adresimi i problemit të dëmeve të Fondit të Kompensimit është në rrugën e duhur.

Fondi i Kompensimit i Byrosë paguan fillimisht dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe të paidentifikuara dhe më pas vetë Byroja ka të drejtë të ngrejë padi regresi ndaj shkaktarit të dëmit në gjykatë dhe të marrë mbrapsht shumën e paguar. Por, funksionimi i Fondit kishte qenë problematik për gati 15 vjet, duke grumbulluar miliarda lekë dëme të papaguara.

Që nga fillimi i vitit 2017, vlerësohet se Fondi ka paguar mbi 20 milionë euro dëme, ndërsa evidentimi dhe shlyerja e dëmeve është përmirësuar ndjeshëm. Në mënyrë të vazhdueshme, edhe në rezolutën e fundit, Kuvendi i ka kërkuar AMF monitorimin e treguesve të Fondit të Kompensimit dhe Byrosë, gjë që deri tani rezulton të jetë përmbushur me sukses nga institucioni i drejtuar nga Ervin Mete.