Fatos Çoçoli: Bankat tregtare BSH-së: Vazhdo bjeri legenit

663
Sigal

Flet z. Fatos Çoçoli, ekspert i ekonomisë, për rritjen e interesave të kredive nga bankat e nivelit të dytë

Bankat tregtare po sfidojnë hapur Bankën e Shqipërisë.  Kjo pasi BSH për lehtësimin e dhënies së kredive, ka kërkuar uljen e interesit të tyre, por bankat e nivelit të dytë në vend që t’i ulin, i kanë rritur ato. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, z. Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie, i cili shprehet se me këtë kundërpërgjigje të bankave tregtare, duket se i thonë Bankës së Shqipërisë: “Ti vazhdo bjeri legenit, se ne do të vazhdojmë vallen tonë”. Kjo ndodh, sipas Çoçolit, për faktin e thjeshtë se bankat tregtare kanë një treg të sigurt që u siguron fitim po aq të sigurt, blerjen e bonove të Thesarit të Shtetit, pra blerjen e borxhit qeveritar. Gjithashtu buxheti i vitit 2014 dhe përparësitë që duhet të ketë qeveria për të, është një tjetër diskutim i z.Çoçoli në këtë intervistë.

Z. Çoçoli, bankat tregtare kanë nisur të ngrenë përqindjet e interesit për kreditë që i japin biznesit dhe qytetarëve. Çfarë po ndodh, sipas jush?

Ky konstatim i juaji, për fat të keq, është i vërtetë. Gjatë muajit tetor është vënë re një rritje e lehtë e përqindjes së interesit të kredive afatshkurtra dhe afatmesme. Këtë, bankat e nivelit të dytë, bankat tregtare, e justifikojnë me kushtet e vështira në të cilin bëjnë biznesin e tyre sot, si dhe me rritjen e pasigurisë së të bërit biznes tek ne (rritja e falimentimeve tek bizneset, e kredive të këqija tek bankat, etj.). Këto janë arsye që qëndrojnë për të rritur fondet e kontigjencës tek bankat, por jo përqindjen e interesit për kreditë që ato ofrojnë në treg. Në kushtet e rënies së theksuar të kërkesës për kredi nga bizneset dhe qytetarët, të rënies së konsumit në tërësi, bankat tregtare duhet të bëjnë të kundërtën. Të ulin përqindjen e interesit për huatë që japin, që të bëhen më tërheqëse për kredimarrësit. Të ngjallin dëshirën për investime dhe shpenzime. Por ato as që pyesin për uljen e theksuar të numrit të kredimarrësve nga radhët e qytetarëve dhe bizneseve. Kanë një treg të sigurt që u siguron fitim po aq të sigurt, blerjen e bonove të Thesarit të Shtetit, pra blerjen e borxhit qeveritar.

Rritja e interesit për kreditë është njëkohësisht një sfidë që ato i drejtojnë bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ka zbritur disa herë normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes (Re-Po) që ajo kryen (instrumenti i saj kryesor për të ndikuar në tregun bankar) gjatë dy viteve të fundit, pikërisht për të ulur koston e parasë dhe lehtësuar kreditimin. Është pa dyshim një sinjal i qartë i politikës së saj, që u drejtohet bankave tregtare. Dhe me lehtësim të dhënies së kredive, nënkuptohet, pikë së pari, ulja e interesit për kreditë. Është sjellja më normale, në kushtet e një ulje drastike të kërkesës për kredi dhe investime nga bizneset dhe qytetarët. Por bankat tregtare kanë nisur të bëjnë të kundërtën, t’i shtrenjtojnë kreditë që japin. Me këtë sjellje, ato duket se i thonë Bankës së Shqipërisë: “Ti vazhdo bjeri legenit, se ne do të vazhdojmë vallen tonë”.

A mund të ndikohen bankat tregtare të tregohen të arsyeshme me interesat e kredive që japin?

Sigurisht që mund të ndikohen. Por këtë duhet ta bëjë Banka e Shqipërisë. Qeveria nuk mund të ndërhyjë drejt për së drejti në tregun bankar. “Qeveria” e këtij tregu është banka jonë qendrore. Ajo i ka të gjitha atributet për të vepruar dhe ndikuar, por vetëm thirrjet publike të derisotme të BSH-së për bankat tregtare që të lirojnë kreditin, me sa duket nuk kanë pirë ujë. Kërkohen veprime më konkrete dhe të vendosura prej saj. Koha do ta tregojë nëse do të jetë e efektshme Banka e Shqipërisë që të zbatojë politikën e saj të zgjerimit të kreditit për ekonominë, i cili duhet pohuar me plot gojën se është sot në ngërç të plotë.

Nëntori po i afrohet fundit dhe ndoshta është koha të presim diskutimin e projekt-buxhetit për vitin 2014…

Keni të drejtë. Është pikërisht koha që Ministria e Financave të bëjë publik planin e saj për Buxhetin e vitit të ardhshëm. Është një plan që ngërthen shumë pritshmëri tek ekonomistët e vendit. Mendoj se edhe për qytetarët e thjeshtë, një diskutim i fortë publik i treguesve të Buxhetit që do të paraqesë qeveria e re, do të ishte me shumë interes. Vitet e fundit, diskutimet i janë lënë ekspertëve të opozitës. Njësoj sikurse kundërveprimi ndaj mundësisë për të çmontuar armët kimike të Sirisë ishte spontan dhe qytetar, edhe për buxhetin e Shtetit 2014, është mirë që fjala e oponencës të mos u lihet vetëm përfaqësuesve të opozitës. Për buxhetin e Shtetit tonë ia vlen të flasin të gjithë ata që e kuptojnë, e kam fjalën për të gjithë ekonomistët e pavarur të këtij vendi, për ata që mendojnë dhe flasin larg syzeve partiake.

Ja cilat duhet të jenë përparësitë e buxhetit të ri

Partia që e ka ndërtuar këtë qeveri, ka premtuar se do të përgatisë një buxhet realist dhe shpresoj që kjo qeveri ta mbajë këtë premtim. Buxheti për vitin 2014 duhet të shmangë praktikën e vërejtur vitet e fundit të korrigjimit të Buxhetit në gjysmën e vitit financiar. Ai duhet të ketë disa përparësi. Duhet të kërkojë shumë, por vërtet shumë prej strukturave të tij parambledhëse, tatimeve dhe doganave. Plani i të ardhurave të tyre duhet të jetë sa realist, aq edhe kërkues, me shifra të forta. Shifrat e rritjes së të ardhurave tatimore e doganore për muajin tetor 2013 janë zemërdhënëse. Mendoj se të dyja drejtueset në këto dy struktura, me sjelljen e tyre, e kanë sjellë këtë rritje. Të dyja janë shumë larg të kapurit dhe të joshurit nga bizneset dhe tatimorët apo doganierët e korruptuar. Njëra e ka shndërruar strukturën që drejton si një bankë (prej asaj eksperience vjen) dhe ka bërë shumë mirë, pse po rrit përgjegjshmërinë, disiplinën dhe prodhimtarinë e strukturës. Tjetra ka vullnet dhe kurajo sa për dhjetë burra bashkë. Kjo energji, e kombinuar me ndershmërinë dhe aftësinë zhbiruese të korrupsionit dhe mashtrimit, mund t’i tjetërsojë për mirë doganat shqiptare.

Përparësia tjetër madhore e Buxhetit duhet të jetë vendosja e një tavani kushtetues për borxhin publik. Kam frikë se kjo qeveri këtë gjë nuk do ta kërkojë. I leverdis të vijojë ta rrisë borxhin publik, pse në kushtet e dhëna, nuk ka rrugë tjetër. Por ama, duhet të tregojë kurajon ta vendosë në Kushtetutë një tavan, të themi prej 65 për qind mbi Produktin e Përgjithshëm Bruto të vendit. Mund të zbatojë rekomandimin e drejtë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që i sugjeron që tavani i vendosur të tejkalohet vetëm në rastet e emergjencave, katastrofave natyrore dhe krizave ekonomike. Dhe në këto raste, qeveria të marrë masa të menjëhershme për balancimin e Buxhetit.

Përparësia e tretë, që nuk e kam dëgjuar deri tani të artikulohet nga ndonjë drejtues i qeverisë, është zvogëlimi deri në arkëtimin e plotë i borxhit tatimor dhe doganor. Ndoshta është një objektiv disi i fshehur, por mendoj se duhet bërë publik sa më parë. U pa çfarë na solli mosbërja publike e bisedimeve për çmontimin e armëve kimike siriane. Sidomos borxhi tatimor është kolosal. Në gusht të vitit 2013, ky borxh gati u dyfishua në krahasim me vitin 2010, duke arritur në 78 miliardë lekë(afro 560 milionë euro). Duhet që gjatë vitit 2014, qeveria, nga njëra anë t’i japë borxhet që i ka biznesit, me ndihmën e kredive të FMN-së apo Bankës Botërore, nga ana tjetër të arkëtojë detyrimet që po biznesi i ka asaj. Vetëm kështu ndërtohet shteti ligjor tek ne, për sa i takon administrimit fiskal. Uroj me gjithë shpirt që kjo qeveri ta kryejë këtë detyrë jetike, të mbledhë borxhin e jashtëzakonshëm tatimor, por edhe atë tatimor sa më shpejt dhe sa më shumë, gjatë vitit 2014.