Pra rënia e lindjeve është akoma në nivel të ndjeshëm,në përmasa të mëdha. Kjo duket më qartë edhe nga fakti se në vitin 1990, numri i lindjeve ishte 82125. Pra aktualisht numri i lindjeve ka rënë pothuajse katër herë krahasuar me vitin e fundit të monizmit.
Dje INSTAT, publikoi të dhënat për treguesit demografikë, Lindjet, Vdekjet, Shtesën Natyrore të Popullsisë të tremujorit të katërt Tetor-Dhjetor 2025, një prej gruptreguesit më të rëndësishëm sociale dhe ekonomikë, për të sotmen e të ardhmen e shoqërisë dhe ekonomisë sonë.
Njohja e tyre nuk është thjesht kërshëri apo euridicion nga gjithësecili, por vetëm hapi i parë fillestar për tu patur parasysh në zhvillimet e sotme e të ardhme si të shoqërisë ashtu dhe të ekonomisë sonë.
Ky publikim mundëson në të njëjtën kohë njohjen e ecurisë të këtyre treguesve edhe për vitet 2021-2025, apo më gjërë si kanë ecur këta tregues sipas qarqeve. Kjo ecuri e treguesve demografikë është prezantuar duke filluar nga viti 2021, vit që karakterizohet nga një përthyerje të këtyre treguesve demografikë, sidomos për vdekjet që kanë qënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të efektit Covid 19, kur ato kanë patur një nivel të lartë.
Për rrjedhojë shtesa natyrore e popullsisë, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të këtij faktori ka patur një nivel të ulët, madje negativ. Nga ana tjetër ecuria e këtij faktori-shtesa natyrore e popullsisë, që është produkt e rezultat i diferencës midis lindjeve dhe vdekjeve, ka reflektuar gjatë kësaj periudhe dhe ecurinë e lindjeve.
Ecuria e këtyre treguesve paraqitet në mënyrë të snitetizuar në Grafiku Nr 4 bashkëlidhur:-Lindjet Vdekjet, Shtesa Natyrore e Popullsisë nga vitet 2021-2025.
Por më qartë për këdo, ai paraqitet në grafikët bashkëlidhur ku këta tregues paraqiten edhe më vete.
Në Grafikun Nr 1 prezantohet ecuria e numrit te lindjeve. Nga të dhënat e këtij grafiku rezulton se numri i lindjeve ka rënë nga 27211 foshnja në vitin 2021, në 21425 foshnja në vitin 2025. Nga të dhënat duket qartë se numri i lindjeve ka vazhduar të bjerë nga një vit në tjetrin dhe për katër vite ai ka rënë me 5786 foshnja dhe vetëm për vitin 2025 -1885. Pra rënia e lindjeve është akoma në nivel të ndjeshëm,në përmasa të mëdha. Kjo duket më qartë edhe nga fakti se në vitin 1990, numri i lindjeve ishte 82125. Pra aktualisht numri i lindjeve ka rënë pothuajse katër herë krahasuar me vitin e fundit të monizmit.
Dy janë faktorët kryesorë të drejtpërdrejtë të kësaj dukurie, rënia e treguesit të fertilitetit, ose numri i fëmijvë të lindur nga një grua gjatë jetës së saj dhe emigracioni masiv i popullsisë e sidomos grupmoshës më aktive që ndikon drejtpërdrejt në rënien e nënave dhe për rrjedhojë edhe të lindjeve. Të dhënat flasin qartë se masat e marra në këtë fushë kanë dhënë një efekt të vogël minimal. Kjo e bën imerative që dhe masat e marra për mbështetjen e mirërritjes së fëmijve, nëpërmjet lehtësimit nga tatim taksat për shpenzimet e fëmijve, që po hyjnë në fuqi gjatë këtij viti të jenë më të qarta më të thjeshta për këdo e më të prekshme për familjet e reja që janë në periudha të lindjes së fëmijve. Secili mund të ketë një pamje të qartë të ecurisë së lindjeve duke vëzhguar prirjen e qartë të vazhdimit të rënies në ecurinë e tyre gjatë viteve të fundit.
Grafiku Nr 1

Burimi INSTAT
Një tregues tjetër i rëndësishëm i treguesve demografikë, është ai i vdekjeve i prezantuar në Grafikun Nr 2.
Ajo që të bie në sy nga grafiku është prirja rënëse e numrit të vdekjeve nga viti 2021 në 2025, ashtu si ka ndodhur me lindjet. Ndërkohë mund të thuhet se kjo prirje në dy vitet ekstreme ka qënë më e mprehtë se sa ajo e lindjeve , me një pakësim prej 10262, ose pothuajse sa dyfishi i rënies së lindjeve. Kjo ecuri është ndikuar nga efekti Covid 19 ku për vitin 2021 të marrë si vit bazë ka pasur një nivel mjaft të lartë të vdekjeve, prej 30507 mjaft më i lartë se në vitin 2020 dhe sidomos viti 2019, por dhe ecurisë së tyre pas kësaj ndodhie.
Në se me rënien e efekteve të Covid 19 pritej një rënie me e lehtë e numrit të vdekjve për faktin se shtesa e tyre gjatë covidit ishte e madhe dhe preku mosha të mëdha por ndërkohë vazhdimin e tyre në nivele jo të vogla si rrjedhojë e pasojave që thuhet se ka lënë individët e prekur. Por siç mund të shihet rënia ka qënë shumë më e madhe. Pra pavarësisht nga perceptimi se Covid 19 ka lënë pasoja, në fakt nuk është reflektuar në një nivel të lartë të numrit të vdekjeve, por niveli i tyre ka rënë dukshëm dhe paraqitet më i ulët se sa niveli i tyre në vitin 2019 e disa vite para tij, para Covidit. Një situatë e tillë kërkon një analizë më të plotë të shkaqeve të kësaj dukurie përfshirë bashkimin familjar të moshave të treta me famljen e tyre që kanë emigruar.
Për vitin 2025 vihet re pakësim jo i vogël i numrit të vdekjeve që ka qënë pothuajse sa ai i lindjeve ose respektivisht -1857 vete vdekje dhe 1885 lindje.
Grafiku Nr 2

Një ecuri e tillë e dy treguesve kryesorë demografikë, lindjeve dhe vdekjeve pasqyrohet në shtesën natyrore të popullsisë. Për vitin 2025 ajo mbetet pozitive ose 1180 vetë , në një kohë kur për vitin 2021 ajo ka qënë negative ose -3,296
Grafiku Nr 3

Por ky nivel pozitiv i shtesës natyrore të popullsisë nuk ka vend aspak për vetkënaqësi. Kjo si për faktin se kjo shtesë natyrore e popullsisë është tepër minimale dhe po i afrohet zeros për të qënë më tej negative edhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së popullsisë sipas grupmoshave, por edhe po të mbahet parasysh se në vitin 1990 ky tregues ishte 63 932 vetë. Kjo bënte që shtesa dhe ritmi i rritjes të popullsisë të ishin nga më të lartit në Europë.
Ky nivel pozitiv nuk përjashton ndryshimet me efekte negative në grupmoshat e popullsisë ku vazhdojnë të bien jo vetëm numri i gruppopullsisë nga 0-14 vjec, që duket qartë në rënien e numrit të fëmijëve në kopshte dhe shkolla por dhe rënien e popullsisë në moshë pune kur popullsia mbi moshën e punës vazhdon të rritet si në terma absolute ashtu dhe në terma relative ndaj popullsisë në moshë pune.
Në mënyrë te sintetizuar treguesit demografikë shprehen ne Grafikun Nr 4
Grafiku Nr 4.

Ky informacion fillestar është një premisë e padhënë për një informacion më të gjerë dhe analiza më të plota që nuk janë objekt i këtij shkrimi.




















