Çmimi i naftës në Bursë/ Bie nafta, 1 fuçi 10$ më lirë se para luftës. Në SHBA 1 litër-1 USD. Bordi i Transparencës mendon për arkën e shtetit

742
Sigal

Një fuçi naftë në Bursë ulet në 88 dollarë, Bordi i Transparencës rrit çmimin e naftës

Bordi i Transparencës përcakton edhe Bursën, nuk ulet çmimi i naftës për shqiptarët e varfër

Çmimi i naftës në bursë ka pësuar ulje të ndjeshme duke shënuar për herë të parë që pas nisjes së luftës në Ukrainë një rënie në 88 dollarë për fuçi, praktikisht më e lirë se para nisjes së luftës në Ukrainë. Por Bordi i Transparencës duket se e ndjek Bursën vetëm në momentin kur çmimi i naftës rritet e jo kur ai ulet pasi edhe me rënien e çmimit të naftës në Bursë, Bordi ka rritur me 5 lekë çmimin e naftës. Mesa duket tani po i bën pazaret më lehtë me një naftë që e blen lirë, dhe e shet shtrenjtë, pazare që gjithmonë bëhen në kurriz të qytetarëve. Në fakt Bordi i Transparencës është aty vetëm për të siguruar mbledhjen e sa më shumë taksave nga qytetarët. Ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë me çmimet e ushqimeve tani që nafta ka pësuar rënie! Apo do të vijojë edhe aty abuzimi njësoj si me karburantët, pasi arka e shtetit është e ‘uritur’ për të mbledhur sa më shumë taksa. Këtë abuzim me çmimin e hidrokarbureve e vë në dukje edhe Edmond Panariti, i cili përmes një publikimi në rrjetet sociale shprehet: “Për herë të parë 1 gallon naftë në Amerikë, e enjte 11 gusht, u shit poshtë 4 dollarë. 1 gallon ka rreth 3,8 litra. Pra, një litër naftë në tregun Amerikan është pak më shumë se 1 dollar, ose 120 lekë litri. Por në Shqipëri bordi fiksoi çmimin e naftës te ne, në 220 lekë litri. Pra rreth dyfish më shtrenjtë për shqiptarët e varfër!” Sa i përket keqmenaxhimit të çdo çështje, që lidhet me naftën flasin edhe ekspertët. Pikërisht ekspertët shprehen se fitimet, të cilat do të llogariteshin deri në 10-15 milionë dollarë nga nxjerrja e naftës në Shqipëri përfitohen nga oligarkët dhe shteti merr vetëm thërrimet, kjo për shkak të keqfunksionimit të mbledhjes së taksave. “Po them se, sipas Kontrollit të Shtetit, më pak se 3 përqind të fitimit vjetor nga nafta përfiton shteti, në formën e rentës minerare! A nuk është turp?!” -shprehet për Gazetën ‘Telegraf’ Prof. Jorgji Hanxhari. Më tej eksperti Hanxhari deklaron se përfitimet janë të jashtëzakonshme për Shqipërinë nëse do të arrihej të menaxhohej në mënyrën e duhur nafta shqiptare pasi ajo është shumë e pasur me elementë si naftë e gaz, ku nga nafta bruto prodhohet: benzinë, gazoil (naftë Diesel), vajguri, bitum nafte, solar e distilat, mazut, vajra lubrifikante, graso, solvent,valvolinë, sapun naftenik, koks nafte, gaz i thatë dhe gaz i lëngshëm dhe squfur. Por skandali me çmimin e naftës qëndron në fakt te taksa e lartë që ka ky produkt për të hyrë në territorin shqiptar si naftë e përpunuar. Pasi naftën që prodhohet në vend vetëm eksportohet pasi është e pamundur për t’u përpunuar këtu, kjo për shkak të shkatërrimit të industrisë së naftës nga politika menaxheriale të dobëta dhe me qëllime përfituese. Nafta që hyn në Shqipëri si e përdorshme për mjetet, pa folur këtu për cilësinë që ka ajo, ka rreth 70% taksa. Edhe pse çmimi është i lartë për t’u paguar nga qytetarët kompanitë që e sjellin naftën në vend kanë fitime jo shumë të mëdha. Tanimë këto fitime të kompanive të naftës drejtohen nga shteti i cili me një Bord, që vetëm transparent nuk është, përcakton çmimin e tregut të lirë e kapitalist njësoj si në kohën e komunizmit.