KED lejon kandidimin në Kushtetuese të Markut e Ibrahimit

190
Sigal

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka dhënë miratimin për vazhdimin e garës për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese për ish-kryeprokuroren Arta Marku. Miratimin për kandidim dhe vazhdim të garës ka marrë edhe ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

Hartuesit e Reformës në Drejtësi e bënë ligjin që të përfitojnë për vete

Ish-Kryeprokurorja Arta Marku duket se po shkon drejt katapultimit në Gjykatën Kushtetuese. Ajo hodhi kandidaturën dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi ka kryer verifikimet, ka lejuar kandidimin e saj duke vijuar me procesin e pikëzimit. Ndërkohë është skualifikuar nga gara kandidatja Eloda Take. Një tjetër emër që lakmon Kushtetuesen është dhe ish-kreu i KLP, Gent Ibrahimi. KED ka vendosur që të vijojë procesi i verifikimit për të. Ndërsa katapultimin e figuarave të njohura në krye të organeve të drejtësisë e kishte paralajmëruar edhe Avokati Eduard Halimi ish-anëtar i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. Halimi në analizën e tij shprehet se janë pikërisht këto emra të njohur, të cilët edhe për shkak se janë lehtësisht të shantazhueshëm do i kenë dyert e hapura për të kapur majat e institucioneve kryesore në sistemin e drejtësisë. “Ai që do ketë pushtetin do ketë edhe Vetting-un thoshte Venecia në paragrafin 98-100 në përgjigje të pyetjeve tona në 2015. Dhe ashtu doli” -tha Eduard Halimi për Gazetën ‘Telegraf’. “PS hartoi një draft, në arrogancë të plotë, që hidhte poshtë skemën e ndërtimit institucional. Kush do t’i emërojë ata që do kontrollojnë dhe promovojnë gjyqtarët e prokurorët? Kjo ka qenë pika e debatit. Këta njerëz nuk duhen të jenë njerëz që emërohen nga kryeministri, qoftë kur emrin e ka PS, apo PD. Emërimet duhet të bëhen me një shumicë në parlament. Situata në Parlament është që ka një shumicë mbi 84 votash. Pra këta njerëz duhet t’i zgjedh një numër më i madh votash”! Çfarë ndodh nëse kryeministri emëron me 84 vota gjithë skemën e organizimit të drejtësisë, me 84 vota anëtarët e komisionit të pavarur të verifikimit, ata fusin në provë të gjithë gjyqtarët, të gjithë inspektorët e ILDKP, në draftin e njëanshëm. Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e këshillit të emërimeve. Janë 8 institucione që krijojnë oktapod të vërtetë për kapjen e drejtësisë” do të deklaronte Halimi në 2016. Halimi argumentonte se nëse këta persona duhet të ndaloheshin për t’u ngritur në poste drejtuese për shkak të konfliktit të interesit. Avokat Halimi shprehej se nëse këta persona do të lejohen në krye të organeve më të larta të sistemit të drejtësisë do të jetë njësoj sikur rreth 10 vite më parë të kenë punuar për një ligj që do i ngrinte ata në detyrë. Teksa shtonte se nëse kjo skemë do të vihej në funksionim atëherë do të ishte një fatkeqësi për sistemin e drejtësisë, i cili do të ishte krejtësisht i varur nga pushteti dhe do të mund të konsiderohej si pjesë e administratës si dhe do të humbiste fuqinë që ka si Pushtet Gjyqësor.